Tronditet Tirana, Majkëll Ngoo dëmtohet rëndë dhe mbyll sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2018 | 9:36

Tronditet Tirana, Majkëll Ngoo dëmtohet rëndë dhe mbyll sezonin

Tronditen bardhe blutë, Majkëll Ngoo mbyll sezonin para kohe. Vetëm dy ditë pasi u kthye nga Anglia (atje ku u bë protagonist për dënimin që mori nga gjykata për shpërndarje droge, ngjarje e ndodhur kjo në 2016-ën), sulmuesi ka pësuar një dëmtim që ka rezultuar fatal për atë vetë, por mbi të gjitha për Tiranën.

ngoo

Autori i 11 golave do të detyrohet që të futet në operacion. Stërvitja e së hënës edhe pse nisi mirë për shtatlartin, u mbyll si mos më keq. Një lëvizje e gabuar dhe e “la” gjuri. U detyrua që të linte me urgjencë fushën dhe fill pas kontrollit fillestar të mjekëve, u ndie frika. Diçka nuk po shkonte siç duhet.

Megjithatë, pa bërë ekzaminimet e duhura askush nuk guxoi që të dilte në konkluzione. Direkt kreu rezonancën magnetike dhe vetëm dje mori përgjigjen. Dëmtimi në gju i kishte prekur meniskun dhe rrjedhimisht duhet të futet në sallë. Lajmin për ndërhyrjen kirurgjikale e dha vetë klubi, por duket se rreziku nuk është aq i vogël.

Edhe pse Ze Maria në konferencë deklaroi dhe shpresoi që gjithç- ka të mbyllej në 20 ditë, kur dihet që deri në mbyllje të këtij kampionati kanë mbetur 6 ndeshje, shanset që të rikthehet janë minimale. Ngoo nuk mund të bëhet gati para se të mbyllet sezoni, por sigurisht që shkëputja e gjatë, do kushtëzonte edhe Ze Marian që të mos e hidhte në fushë dhe mos rrezikonte.

Mungesa e tij do ta penalizojë ndjeshëm Tiranën dhe sidomos kur dihet që ai ishte kthyer në një pikë referimi në majën e sulmit. Jo vetëm ka dërguar 11 herë topin në rrjetë, por dëshmoi gjatë këtyre muajve që kishte aftësi edhe në shërbim dhe jo më kot është “mbreti” i asisteve (me 7 të tilla).

Në një kohë që kryeqytetasit po luftojnë që të mbyllin sa më shpejt “garën” për ngjitjen në elitë, dëmtimi i Ngoosë i gjen të papërgatitur dhe sidomos në këtë fazë delikate që ka hyrë kampionati. Tashmë e gjitha pesha e ofensivës kthehet te Junus Sentamu, i cili për fatin e keq të Tiranës mungon ndaj Apolonisë dhe do të jetë nën urdhrat e Ze Marias vetëm në “finalen” me Bylisin, që luhet më 7 prill.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"