“Troisi t’i lërë thashethemet”, Idrizi: Flamurtari është klub gjysmë… amator

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2023 | 13:20

“Troisi t’i lërë thashethemet”, Idrizi: Flamurtari është klub gjysmë… amator

Flamurtari nuk ka në plan që të ndahet nga Marcelo Troisi. Përtej shkarkimit dhe zhurmës së madhe që u shkaktua me akuzat dhe kundërakuzat që ish-trajnerit pati me pasardhësin e tij (Diego Longon), bashkëpunimi do të vijojë. Në një tjetër formë tashmë. Këtë na e konfirmon edhe vetë Sinan Idrizi, kur zbulon projektin që ka me të. SINAN IDRIZI

Për “Panorama Sport”, administratori i përgjigjet edhe deklaratës së fundit të brazilianit. Jo vetëm për pjesën që ai rrethohet nga njerëz që e pengojnë, por edhe për largimin e tij të parakohshëm.

“Troisi ka qenë në Vlorë disa ditë. Me Marcelon kemi pasur një projekt bashkëpunimi edhe me një akademi të futbollit në Brazil. Ata kanë dashur të bashkëpunojnë me ne. Ai erdhi dhe na solli këtë projekt dhe unë e vlerësoj si serioz”, thotë fillimisht numri një i klubit.

KËSHILLA – Sinan Idrizi ka një këshillë për Marcelo Troisin, ndërsa i kërkon që të jetë më i kujdesshëm dhe mos merret me thashetheme.

“Miqësisht, Troisin do ta këshilloja që të qëndronte larg komenteve dhe batutave në Shqipëri. Shqiptarët kur lindin, këtu fus veten time të parin, germën e parë të alfabetit kanë shkronjën A, si në të gjithë botën, por është edhe ajo e fundit Th-ja. ‘Ky tha, unë i thashë, ai tha’. Të rri larg këtyre historive me ‘tha’. Nuk e di në fjalorin e tij, në gjuhën e tij… Unë e vlerësoj realisht për seriozitetin që ai ka.

Është njëri serioz në punën e tij, por larg sa më shumë komenteve. Këto janë klasike fare, si puna e ‘kanë disa personazhe që pengojnë’. Kur nuk shkojnë punët mirë, duhet të gjendet dikush që e bllokon një proces. Unë e kam thënë që Flamurtari nuk shquhet për një klub profesionist. Jemi një klub gjysmë amator, që nga drejtimi dhe të gjitha bashkë. Unë e përsëris dhe kam vite që e them këtë gjë.

Mirëpo, problemi është që ne jemi duke tentuar që të bëjmë një gjë. Ne jemi duke pritur nisjen e ndërtimit të fushave të reja dhe pas kësaj, klubi do të kalojë në fazën profesioniste të tij. Pas kësaj nuk do të dëgjojmë më historitë Idrizi dhe njerëzit rreth tij, të tipit ‘Tomka dhe shokët e tij’. Është përgjegjësi kolektive. Ndoshta është faji im që nuk di të zgjedh njerëzit dhe Troisi e paska kuptuar këtë (qesh,) por… janë komente të tepërta”, theksoi presidenti.

LARGIMI – Një koment e ka edhe për largimin e trajnerit brazilian 6 javë përpara mbylljes se kampionatit. Presidenti nuk e cilëson normale këtë gjë, por nënkupton një zgjidhje apo ndryshim të momentit.

“E ka pranuar edhe presidenti… (qesh). Në një situatë gjakftohtë, trajneri gjithmonë duhet të japë maksimumin e tij. Unë miqësisht e kam pranuar që një trajner nuk hiqet 6 javë para përfundimit të kampionatit. Kjo nuk është për Troisin. Pasi një trajneri ri do kohë të fillojë të njohë ambientin. Në atë kohë u mor ky vendim për këto arsye. Në kushte normale e përsëris, që një trajner nuk hiqet 6 javë para përfundimit të kampionatit”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"