Trofe me moshat, rritje e talenteve. Vllaznia nis punën për transformimin e akademisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 16:34

Trofe me moshat, rritje e talenteve. Vllaznia nis punën për transformimin e akademisë

Vllaznia e ka marrë më shumë se seriozisht edhe akademinë për sezonin 2020-2021. Klubi pret jo vetëm trofe, por edhe më shumë talente prej moshave. Kjo është forma e vetme për të pasuruar organikën e ekipit të parë dhe mbi të gjitha për të gjeneruar të ardhura nga shitjet, ndaj edhe drejtuesit kanë vendosur disa pika mbi “i”. Para se të nisin zyrtarisht stërvitjet për këtë edicion, në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” është zhvilluar një mbledhje. Veç trajnerëve e drejtuesve të kësaj akademie, e pranishme ishin edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, si edhe administratori Suad Lici e sponsori Alban Xhaferi.
118702354_3263766287033708_3208062319096735543_o
Në fillim të fjalës së saj kryebashkiakja u ka bërë të qartë trajnerëve dhe drejtuesve të akademisë se do ketë disa ndryshime te moshat. Në bashkëpunim edhe me sponsorin është rënë dakord që të ketë tjetër organizim. Do të punohet për sigurimin e një ambienti tjetër për të kryer stërvitjet së pari, si edhe do të plotësohen të gjitha ekipet me bazën e duhur materiale dhe didaktike. Është paralajmëruar se këtë vit do të ketë edhe një kërkesë më të madhe llogarie për të gjithë.
Alban Xhaferri
Sponsori i klubit ka shpalosur tri pika, që pret të vihen në zbatim. Së pari, pret rritje të numrit të lojtarëve të regjistruar në akademi, çka do të thotë një masivizim më i madh që më pas do të sjellë edhe cilësi; së dyti, pret që t’u jepet rëndësi më e madhe evidentimit të talenteve të reja, që më pas mund të jenë burim të ardhurash edhe për klubin; së treti, ka vendosur si objektiv që ekipet U-17 dhe U-19 të marrin trofe. Prej ditës së djeshme ka nisur stërvitja e këtyre dy ekipeve, ndërsa në ditët e ardhshme do të vijojnë të tjerat. Bashkë me fillimin e përgatitjeve, do të nisë puna për regjistrimet e tjera. Ato të bëhen në ambientet pranë stadiumit “Loro Boriçi” dhe oraret do të bëhen publike nga ana e klubit. Gjithçka është thënë dhe diskutuar në këtë mbledhje, ka qenë vetë Vllaznia që e ka shpalosur për publikun në faqen zyrtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"