Trofe dhe miliona, Teuta mund të bëjë “bingo” këtë sezon. Ja lojtarët që pritet të mbushin arkat e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2021 | 11:24

Trofe dhe miliona, Teuta mund të bëjë “bingo” këtë sezon. Ja lojtarët që pritet të mbushin arkat e klubit

Ky është një sezon i çuditshëm i Teutës. Jo vetëm sepse ka 10 barazime dhe sot ndodhet një pikë larg kreut, por sepse pikërisht në këtë moment skuadra është në lojë për të dy trofetë dhe mbi të gjitha ka shansin që deri në fund të rrisë vlerën e disa lojtarëve të rinj dhe të përfitojë miliona në fund të sezonit.

Bregu Halili

DEJVI BREGU

Kryefjala është Bregu, i cili pas shumë muajsh me dritëhije në Durrës është rikthyer protagonist absolut. Ka shënuar shtatë gola deri tani, tre prej të cilëve në 6 ditët e fundit. Shënon nga çdo pozicion, shërben për shokët dhe natyrisht është edhe një pikë referimi, sepse edhe është pjekur si person. Drejtuesit e Teutës me të drejtë mund të thonë: “Fundja për këtë e kemi marrë”, por ndërkohë mund të shndërrohet në një bonus të dyfishtë për klubin bregdetar.

br

Rendimenti sportiv nga njëra anë që ndihmon të arrihen objektivat dhe nga ana tjetër vlera e tij në merkato. Bregu është cilësuar prej vitesh si një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit dhe sot që është 25 vjeç e ka vlerën e kartonit 325 mijë euro. Nëse vazhdon me këto ritme deri në fund, vlera edhe mund të dyfishohet. Vlonjatit i shtohen shanset për të nisur një aventurë jashtë Shqipërisë dhe Teuta të bëjë një tjetër goditje në merkato pas Kallakut sezonin e kaluar.

lorenco vila

LORENCO VILA

Ky sezon tregoi se nuk ishte rastësi shpërthimi i vjetshëm. Ka luajtur 20 ndeshje, ka shënuar 6 gola dhe është vetëm 20 vjeç. I talentuar, me parametra fizikë premtues dhe mbi të gjitha në skuadrën e duhur për t’u rritur profesionalisht.

vi

Vlera e kartonit të tij, sipas “Transfermarkt”, është 350 euro, por me gjasë mund të shkojë shumë më tepër nëse e mbyll sezonin me këto ritme. Një tjetër xhevahir në radhët e Teutës, që pas një vere me shpenzime si ajo e vjetshmja, mund të arkëtojë shuma të konsiderueshme në të ardhmen.

Teuta45

KRASNIQI & CO…

Blerim Krasniqi mbetet një lojtar i rëndësishëm i Teutës, edhe pse 3 gola për një si ai janë pak. Ende nuk po arrin të jetë vendimtar për ekipin, por është vetëm 24 vjeç dhe është në kohë për t’i dhënë një shtysë karrierës së tij. Vlera e kartonit të tij në këtë moment llogaritet rreth 300 mijë euro. Ildi Gruda ka koleksionuar 17 paraqitje si zëvendësues këtë sezon, por ka gjetur edhe rrugën e rrjetës një herë. Është vetëm 21 vjeç dhe ka shansin që të bëjë gjëra të rëndësishme në të ardhmen, nëse do t’i shfrytëzojë si duhet hapësirat që i jepen. Silvio Zogaj ia ka dalë gjithashtu të zbresë 7 herë në fushë me skuadrën e parë të Teutës, ndonëse si zëvendësues. Ka ende shumë punë për të treguar se mund të jetë protagonist në Superiore, por 23- vjeçari ka talent dhe egon për të bërë gjëra të mëdha në të ardhmen.

ZAMIR QYPI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"