Triumfi ndaj Gjilanit në miqësore, Duro i kënaqur: Luajtëm mirë, respekt për kundërshtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 13:05

Triumfi ndaj Gjilanit në miqësore, Duro i kënaqur: Luajtëm mirë, respekt për kundërshtarin

Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, është i kënaqur për mënyrën se si luajti ekipi i tij në ndeshjen e parë miqësore në këtë periudhë përgatitjesh.

SHPETIM DURO

Në prononcimin pas ndeshjes me Gjilanin për “Panorama Sport”, kreu i pankinës bardhezi theksoi se skuadra u shpreh mirë në fushë ndaj një rivali për t’u vlerësuar.

“Jam i kënaqur me skuadrën. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë në këtë periudhë përgatitjesh që kemi bërë në Pogradec dhe normalisht ngarkesat stërvitore bëjnë punën e vetë te lojtarët.

Përballë kishim një kundërshtar si Gjilani, i cili është gjithashtu në Ligën e Konferencës dhe shumë më i avancuar në përgatitje në krahasim me ne, pasi më parë kishte zhvilluar tri ndeshje miqësore.

Respekt për Gjilanin, por sa i përket ekipit tim, jam i kënaqur në përgjithësi me të gjithë lojtarët. Ishte thjesht një miqësore që e fituam, por më kënaq fakti që skuadra u shpreh mirë në fushë dhe kjo u duk qartë nga loja që zhvilloi ndaj një rivali serioz si Gjilani”, ka thënë Duro.

Ndërkohë, nesër bardhezinjtë do të luajnë testin e radhës, këtë herë me Llapin e Podujevës në stadiumin e Strugës në Maqedoninë e Veriut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"