“Trajneri po injekton grintën që e karakterizon”, ish-drejtori Ardi Behari: Flamurtari, në elitë me Memushin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 12:45

“Trajneri po injekton grintën që e karakterizon”, ish-drejtori Ardi Behari: Flamurtari, në elitë me Memushin

Ardi Behari është i bindur se Flamurtari i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në Superiore nga “play off”-i.

Ardi-Behari

Për “Panorama Sport”, ish- drejtori më jetëgjatë i klubit vlonjat, thotë se në dy ndeshjet e fundit ka parë një Flamurtar të bukur. Emërimin e trajnerit Eqerem Memushi e vlerëson nga grinta që e karakterizon teknikun vlonjat.

Si e shikon Ardi Behari Flamurtarin aktual?

Flamurtari po na kënaq me atë që po tregon në fushë, ka kualitet dhe grintë. Është ndër të paktat herë që e kam shijuar. Në Elbasan ekipin e ndoqa nga afër. Edhe kur ishin në inferioritet numerik treguan shumë karakter. Nuk hoqi dorë asnjëherë nga fitimi i ndeshjes duke rrezikuar jashtë mase shumë, qoftë edhe duke kaluar në aventurë me 4-2-4 me Vasil Shkurtajn në fushë. E njëjta gjë edhe kur dolën me një lojtar më pak në Elbasan dhe luajti në 4-2-3, nuk hoqi kurrë dorë nga sulmet.

Shikoni ndonjë problematikë tek ekipi?

Vlen për t’u përmendur se është një Flamurtar i bukur për t’u parë. I vetmi problem që shikoj unë, është vazhdimësia. Nëse do të ketë një vazhdimësi të tillë, gjithçka është e mundur për skuadrën.

Eqerem Memushi rikthehet si trajner. Si e shikoni këtë lëvizje?

Ndryshimet në pankinë kanë filluar të duken. Pa dashur të fyej askënd, secili ka veçoritë e tij. Eqeremin e njohim të gjithë. E karakterizon grinta dhe mundohet që ta injektojë në skuadër. Në këtë prizëm, ekipi ka ndryshuar shumë. Nuk është kriter, pasi skuadra është e ndërtuar për të luajtur me kundërshtarë të përshtatshëm, me ata që janë më lartë. Në ndeshje të tilla jep më të mirën e vetes.

Keni ndonjë këshillë për skuadrën vlonjate?

Kampionati nuk është bërë nga këto skuadra që kanë nivel të kënaqshëm, por edhe me skuadra nën Flamurtarin. Me këto ekipe duhet që të kenë shumë kujdes për të arritur objektivat që ka.

E keni ndjekur Flamurtarin në këtë sezon?

Të gjitha ndeshjet që Flamurtari ka luajtur jashtë Vlorës nuk i kam lënë pa parë. Është pjesë e jetës time dhe e të gjithëve ne vlonjatëve. Mirë, keq, jemi të gjithë pjesëtarë të kësaj situate, ku është Flamurtari. Të gjithë bashkë me aq kontribut sa mundemi, kur të na jepet mundësia të kontribuojmë.

Si mund të ngjiten në Superiore?

Duhet që të synojë patjetër “play-off”-in për t’u ngjitur në Superiore dhe kjo arrihet duke luajtur me çdo skuadër dhe jo vetëm me pretendentët. Duke pasur një vazhdimësi të tillë, një grup të tillë dhe me këtë kualitet që ka, besoj se nuk do të përsërisin historitë e viteve të shkuara në “play-off”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"