Trajneri i Flamurtarit, Memushi: Fitore e merituar, të gjashtë golat i shënuam vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2024 | 22:58

Trajneri i Flamurtarit, Memushi: Fitore e merituar, të gjashtë golat i shënuam vetë

Flamurtari “shkërmoq” Burrelin. Skuadra e trajnerit Eqerem Memushi fitoi në shifrat 4-2, ku bindi jo vetëm me gola, por edhe me raste pafund. Ndërsa miqtë nuk shfaqën ndonjë kërcënim real, ku çaluan në çdo repart. Memushi rreshtoi një skuadër me skemë 4-3-3.

memushi

Eqerem Memushi shijoi fitoren e parë, në javën e dytë si trajner i Flamurtarit. Për “Panorama Sport”, pas ndeshjes trajneri vlonjat përdori edhe batutën teksa tha se të 6 golat i shënoi skuadra e tij. “Ishte një fitore e merituar. Mendoj se të gjithë golat i bëmë ne, të 6 golat (qesh). Skuadra tregoi entuziazëm, luajti bukur dhe krijoi pafund. Nuk duhet të shpërdorojmë.

Duhet të ishim më shumë në ekuilibër dhe ta menaxhonim më mirë rezultatin, kur ishte 3-0. Futbolli prandaj është i bukur, pasi çdo gjë mund të ndodhë. Gjetëm forca përsëri për të qenë më të qetë dhe shënuam golin e katërt. Besoj se autogoli nuk do të ndodh më në stadiumin tonë. Falënderoj djemtë për atë që dhanë në fushë. Na kanë dhënë një fitore të bukur, por edhe me lojë shumë të mirë”, u shpreh Memushi. Trajneri u ndal pak edhe te ndeshja e radhës me Korabin.

“Ndeshja e radhës është shumë e vështirë dhe duhet ta përgatisim shumë mirë. Kemi kohën e duhur në dispozicion për të punuar gjithë javën. Luajmë me një kundërshtar thuajse direkt në renditje. Mendoj që do të shikojmë një takim mjaft interesant javën që vjen”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"