Trajneri i Flamurtarit analizon situatën dhe kërkon fitore në 10 ndeshjet e mbetura. Memushi: Kemi shansin e dytë për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 11:43

Trajneri i Flamurtarit analizon situatën dhe kërkon fitore në 10 ndeshjet e mbetura. Memushi: Kemi shansin e dytë për elitën

Pas humbjes me Burrelin, Flamurtari do të duhet të përgatitet “shpirtërisht” për fazën “play off”. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri Eqerem Memushi e pranon se me këtë humbje skuadra është penalizuar për të arritur ngjitjen nga dy vendet e para. Megjithatë shanset janë ende aty, përderisa në lojë janë edhe 10 ndeshje.

memushi ribaj shkurtaj

“Humbja me Burrelin në shtëpi na penalizon shumë. Kishim të gjitha mundësitë për të bërë mirë dhe kalendari na favorizoi. Ky trepikësh i humbur na pengon shumë, shumë për të kapur dy vendet e para. Megjithatë, Flamurtari aty është, ka shansin tjetër dhe unë e kam thënë edhe më parë. Ne duhet të jemi të përqendruar për të arritur maksimumin tonë për objektivin madhor që kemi, ngjitjen e kësaj skuadra në Superiore për ta çuar Flamurtarin aty ku e ka vendin.

Kështu që e luajmë edhe shansin e fundit, atë të “play off”. Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe kemi edhe ne shanset tona. Në lojë janë edhe 10-të sfida të tjera finale, kështu që duhet të shikojmë përpara për të dhënë dhe për të marrë maksimumin në këtë fazë të tretë”, shprehet fillimisht Memushi.

OBJEKTIVI – Për trajnerin Eqerem Memushi, Flamurtari është i dënuar që në çdo ndeshje të marrë fitoren. “Në çdo ndeshje ne duhet të hyjmë për tri pikë. Kjo është detyra jonë. Por ne gabuam. Skuadrat kundërshtare nuk kanë gabuar. Kështu që distanca u shkëput. Nuk duhet të ulim ritmin. Duhet që të jemi kokulur dhe të punojmë. Duhet që të punojmë fort dhe të jemi të angazhuar në çdo ndeshje për tri pikët. Duhet të marrim fitoren në çdo takim që do të kemi në vazhdim”, thotë trajneri.

ANALIZA – Eqerem Memushi analizon dhe se çfarë nuk shkoi në ndeshjen me Burrelin. Sipas trajnerit vlonjat, skuadrës së tij i mungoi qartësia në lojë. “Skuadra nuk është se nuk tregoi dëshirë në ndeshjen e radhës me Burrelit. Madje, krijoi volum loje, krijoi lojë dhe raste. Na mungoi edhe qartësia përpara në zonë. Nëse e shikoni, e kemi goditur portën 5-6 herë në pjesën e parë. Megjithatë, unë mund të mbaj pak përgjegjësi, duke nisur nga tri pikët.

Ndryshuam edhe modulin e lojës. U munduam të krijonim më shumë nga krahët duke parë edhe Burrelin shumë i ngjeshur në lojë dhe me shumë lojtarë. Mendoj se kemi arritur te porta, por nuk kemi finalizuar. Nuk kemi qenë të qartë dhe të kthjellët në zonën e rrezikut. Megjithatë, skuadra bëri mirë dhe dha maksimumin në të dyja pjesët. Unë rastin e Burrelit nuk e quaj as aksion dhe as sulm. Ata morën tri pikët te ne me një goditje në portë, ndërsa ju e patë që Flamurtari kishte shumë raste”, përfundon Memushi.

Kthimet

Katër lojtarë më shumë

Flamurtari luan të shtunën në transfertën e Kastriotit. Gjasat janë që skuadra të jetë e plotë. Për transfertën e fundjavës pritet që Fabio Beqja të jetë plotësisht i gatshëm, teksa u la pushim këtë javë. Gjithashtu, gjatë javës pritet që të shihet edhe rikuperimi i kapitenit Pjeshka, Beji dhe Hasës. Janë të gjitha shanset që edhe mes tyre të ketë të rikuperuar. Pas humbjes me Burrelin, dje skuadra është lënë pushim. Përgatitjet pritet që të startojnë sot ku trajneri Memushi do të bëjë edhe një analizë të humbjes së ndeshjes me Burrelin.

11 pikë

larg vendit të dytë është Flamurtari në këtë moment. Skuadra vlonjate ka marrë humbjen e parë me Memushin, ndërsa pozicionohet e katërta në renditjen e Kategorisë së Parë.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"