Trajneri Febron Ziu: Ja çfarë i duhet Tomorit për mbijetesën në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 13:05

Trajneri Febron Ziu: Ja çfarë i duhet Tomorit për mbijetesën në Kategorinë e Parë

Të ndërgjegjshëm për momentin e vështirë që po kalojnë, por edhe për forcën e grupit dhe cilësitë që disponojnë, te Tomori po përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme për të mos dalë pa pikë nga transferta e Burrelit.

febron ziu

Parashikohet që sfida të jetë sa interesante aq edhe të nxehta deri në fund të kampionatit për beratasit. Trajneri i Tomorit, Febron Ziu, ka deklaruar se çdo takim ka vlerën e një finale, të cilat duhet fituar për të shmangur rrezikun e rënies direkt. Duke folur për “Panorama Sport”, menjëherë pas seancës stërvitore në mesditën e së enjtes, tekniku i skuadrës beratase mes të tjerash u shpreh: “Të gjitha ndeshjet e mbetura kanë të njëjtën karakteristike, pasi janë njësoj të vështira, jo vetëm për Tomorin, por për të gjitha skuadrat në përgjithësi që luftojnë secila për objektivat e tyre.

Po punojmë maksimalisht për të vlerësuar drejt çdo kundërshtar. Gjendja e grupit është optimale në të gjitha aspektet. Po i marrim ndeshjet një e nga një dhe që të gjitha po i konsiderojmë si finale. Si të tilla, po përgatitemi për t’i fituar ato. Janë shumë pikë në lojë dhe kjo ka rritur dukshëm besimin te forcat tona dhe na mban gjallë shpresën për të shmangur rënien direkte. Ajo që do të doja unë si trajner, dhe për të cilën po punojmë të gjithë së bashku, është të përmirësohemi në fazën e finalizimit të rasteve para portës kundërshtare.

Tomori luan jo vetëm bukur, por konstatojmë se krijojmë raste më shumë se sa skuadrat kundërshtare. Mungesa e finalizimit para portës na ka penalizuar jashtëzakonisht. Duke punuar shumë dhe përmirësuar në këtë aspekt. Nuk kam as më të voglin dyshim se skuadra do të marrë rezultatin pozitiv. Duke nisur nga unë dhe i gjithë grupi i futbollistëve mendojmë se i kemi forcat për t’u korrigjuar në finalizim. Të gjithë jemi të përkushtuar në këtë drejtim dhe unë besoj plotësisht te ky grup futbollistësh, që realisht nuk e meritojnë këtë renditje”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"