Trajneri Çela: Zero presion para Elbasanit, ngjitja e Flamurtarit vendoset në… maj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 15:30

Trajneri Çela: Zero presion para Elbasanit, ngjitja e Flamurtarit vendoset në… maj

Flamurtari llogarit pikët përballë Elbasanit. Vlonjatët po përgatiten intensivisht për ta kaluar me sukses këtë sfidë, që do të jetë tejet delikate. Luajnë në shtëpi dhe përballë tifozëve, ndaj përgjegjësia rritet dhe pse jo presioni. E megjithatë, Emiljano Çela sheh një skuadër tejet të qetë para kësaj përballjeje.

Cela

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri evidenton se lojtarët kanë punuar mirë dhe mbi të gjitha janë me këmbë në tokë. “Situata e ekipit është e qetë. Ne jemi munduar që gjithmonë ta mbajmë skuadrën me “këmbë në tokë” dhe të qetë. Edhe në momentet që ne nuk kemi marrë rezultatet që kemi pritur, unë kam qenë i qetë. Do të mundohem që të bëhem një katalizator i fortë për lojtarët e të mos e përcjell presionin tek ata.

Kjo është mënyra e punës sime”, u shpreh fillimisht memalioti, që thekson se nuk e ka ndierë asnjëherë presionin në Vlorë dhe përpara ndeshjes me Elbasanin atmosfera në skuadër është shumë pozitive. “Personalisht jam i qetë dhe shumë i angazhuar në punën time, së bashku me lojtarët. Nuk kam ndier në asnjë moment presion që kur kam ardhur këtu në Vlorë, si nga klubi, si nga tifozët”, shprehet fillimisht 38-vjeçari i stolit të kuqezinjve.

OBJEKTIVI Trajneri është shumë i bindur te realizimi i objektivit. Edhe pse janë 7 pikë larg kreut pas 7 javëve të para, ai kujton se ngjitja kampion del në fund të sezonit dhe jo në tetor apo dhjetor: “Unë e kam thënë edhe më parë që duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Në maj pastaj le ta ngremë. Aty është fundi i kampionatit. Në Superiore nuk dilet as në tetor dhe as në dhjetor. Në muajin maj është fundi ku ne nxjerrim konkluzionet, çfarë morëm dhe sa dhamë”.

PËRGATITJET Shpesh është parë që stërvit skuadrën direkt pas ndeshjes, sikundër ka ndodhur pas Luftëtarit në Kupë dhe kjo e ka një motiv. “E kisha të rëndësishme stërvitjen pas ndeshjes për t’u dhënë ngarkesat e duhura lojtarëve që nuk patën mundësi të luanin në këtë ndeshje. Për mua lojtarët janë të gjithë njësoj, pasi kampionati është i gjatë dhe ka llojlloj situatash të ndryshme.

Jam shumë i kënaqur edhe me përkushtimin. Ky është një grup i mirë dhe serioz, që gjatë gjithë kohës shkojnë në limite, si në seancat stërvitore, por edhe gjatë ndeshjeve. Mjafton tani të kolaudohemi edhe më shumë, të mësohemi me sinjalet, me mënyrën e lojës, por edhe me ndërveprimet që lojtarët kanë me njëritjetrin gjatë ndeshjeve. Patjetër që çdo gjë do kohën e vet”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"