“Tiranës i japin penallti”, presidenti i Luftëtarit: Me Kukësin raporte të shkëlqyera, s’e cënojmë garën për asnjë çmim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 23:47

“Tiranës i japin penallti”, presidenti i Luftëtarit: Me Kukësin raporte të shkëlqyera, s’e cënojmë garën për asnjë çmim

Kur sezoni bëhet kritik, nuk mungojnë as polemikat. Ka nga ata që i bien drejt, por ka edhe të tjerë që me diplomaci ngrenë dyshime se po krijohen aleanca. Safet Gjici lëshoi kunja të hidhura në adresë të Bylisit dhe Luftëtarit dy ditë më parë në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”.

halilaj

Presidenti i Kukësit tha se Tirana po arrinte fitore të çuditshme në fushë dhe hodhi dyshime për impenjimin e Bylisit dhe Luftëtarit. Tirana mundi në transfertë ballshiotët 3-1 dhe më pas shkërmoqi bluzinjtë në Gjirokastër me rezultatin 5-0. Presidenti i klubit gjirokastrit, Bekim Halilaj, pohon se ia ka kthyer Gjicit përgjigjen edhe personalisht.

Madje menjëherë gjatë emisionit. Halilaj mohon në mënyrë kategorike që Luftëtari të bëhet pjesë e pazareve dhe të cenojë garën. “Iu përgjigja direkt Gjicit, – thotë Halilaj për ‘Panorama Sport’ – Nuk është fare e vërtetë ajo që pretendon ai. Ne marrëdhëniet me Kukësin i kemi të shkëlqyera. Me Tiranën nuk kemi asnjë lidhje.

halilaj luftetari

Por ndeshja e fundit tregoi te ne diferencat e mëdha që kemi me kryesuesit. Pastaj, të mos harrojmë se në 4 ndeshjet e fundit i janë dhënë Tiranës 6 penallti, 3 vetëm ditën e diel… E megjithatë, i them Gjicit dhe kujtdo tjetër se Luftëtari nuk e prish garën. Ne kurrë nuk do të bëhemi pjesë e këtyre gjërave për asnjë çmim”, u shpreh kreu i klubit gjirokastrit.

 

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"