VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana me njërën dorë te titulli, Partizani bie edhe në Farkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 8:53

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana me njërën dorë te titulli, Partizani bie edhe në Farkë

Tirana ka fituar edhe finalen e dytë ndaj Partizanit në Superligën e volejbollit për meshkuj, duke u afruar edhe më shumë me kurorëzimin për herë të tretë radhazi kampione e Shqipërisë.

partizani tirana volej

 

Pasi kishin fituar me rezultatin 1-3 në “Asllan Rusi”, bardheblutë triumfuan edhe në raundin e dytë, në takimin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në sallën e Farkës. Skuadra e Arben Sakos fitoi me rezultatin 3-2 në një derbi shumë të luftuar, me përmbysje dhe ripërmbysje, që zgjati 2 orë e gjysmë. Nga ana tjetër, Partizani nuk arriti të gjente reagimin, ndërsa u godit në momentin e tij më të mirë edhe nga dëmtimi një prej lojtarëve më kryesorë si braziliani Coutinho, pas një problemi në kavilje.

NDESHJA – Seti i parë nisi me një avantazh të lehtë për Partizanin, por Tirana ktheu gjithçka në gjysmën e dytë të setit, duke fituar 25-23. Fraksioni i dytë startoi sërish më mirë për skuadrën e Yllit Tomorrit, që ishte në kryesim të vazhdueshëm, por pozitat u lëkundën në çastet e fundit, me Tiranën që kaloi përpara 20-19. Megjithatë “demat” rikuperuan duke e fituar setin 21-25 për të vendosur baraspeshën. Ndonëse rivaliteti mbetet i lartë, Partizani e kontrollon setin e tretë, por të kuqtë marrin një goditje shumë të rëndë, teksa në mesin e këtij seti Coutinho pëson një dëmtim, duke qëndruar për shumë minuta jashtë parketit. Ky mund të konsiderohet edhe si momenti fatal për Partizanin, që edhe pse arrin ta fitojë setin 18-25, skuadra duket sikur kalon shok psikologjik me largimin e një lideri të vërtetë në parket siç është braziliani.

Tirana shpërthen në setin e katërt në shifrat 25-16, ndërsa vulos gjithçka në setin e pestë, duke fituar 15-12, teksa protagonist i “match point”-it është algjeriani Abdellaoui, duke kaluar në delir bardheblutë. Për sa u përket statistikave individuale, me nga 26 pikë secili, Ledion Martiro dhe Izuchukwu Oforah ishin në një mbrëmje fantastike për Tiranën. Ndërsa për Partizanin shënuesi më i mirë ishte Coutinho, autor i 21 pikëve. Më 28 prill, sërish në Farkë do të jetë radha e finales së tretë, me Tiranën që tashmë ka ndeshjen e parë “bonus” për tu shpallur kampione, ndërsa Partizani do të japë gjithçka, duke shpresuar që t’i hapë rrugë një përmbysjeje të çmendur.

tabe

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"