EKSKLUZIVE/ “Partizani të shfrytëzojë momentin ‘jo’ të Tiranës”, Trashi: Derbi mbetet i kuq, rikthehem pa e menduar te “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 9:29

EKSKLUZIVE/ “Partizani të shfrytëzojë momentin ‘jo’ të Tiranës”, Trashi: Derbi mbetet i kuq, rikthehem pa e menduar te “demat”

Kur luante te Partizani e bënte “vizë” krahun e majtë. Vazhdon ta bëjë te Ballkani i Ilir Dajës, që po dominon futbollin e Kosovës. E kemi fjalën për Lorenc Trashin, një nga mbrojtësit anësorë më të mirë që ka nxjerrë Kategoria Superiore në dekadën e fundit. 31-vjeçari, i cili prej sy sezonesh luan në Suharekë pas largimit nga Kuvajti, ka folur për “Panorama Sport” para derbit të së dielës. Mbrojtësi shprehet i hapur për rikthimin te Partizani, por vendimi do të vijë në fund të sezonit, kur edhe do të ndahen gjërat me Ballkanin në lidhje me qëndrimin apo jo.

trashi

Trashi shprehet se Partizani është favorit në derbin e së dielës. Lorenc, si po ju shkon viti i dytë me Ballkanin?

Jeni i kënaqur me çfarë skuadra dhe ju vetë personalisht po bëni? Mendoj se deri në këtë pikë ku jemi, ka shkuar gjithçka siç duhet. Kemi dy pikë më shumë se vendi i dytë kur kanë ngelur edhe gjashtë ndeshje. Do të bëjmë maksimumin dhe në fund shpresojmë që të shpallemi sërish kampionë.

Shkuat edhe në finale të Kupës së Kosovës dhe kryesoni kampionatin. Besoni se mund t’i merrni të dy trofetë?

Po, edhe Kupa është një nga objektivat e vendosur nga klubi që në fillim të sezonit. Kërkojmë ta fitojmë edhe këtë trofe, pasi jemi në finale dhe kemi shansin për t’i fituar të dy trofetë. Jemi pranë fundit të sezonit.

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Unë jam ende në kontratë me Ballkanin dhe nuk dua të flas para kohe. Do të mendohem dhe do të diskutoj me klubin dhe njerëzit e mi të afërm, që në fund të marr vendimin më të mirë, qoftë për të qëndruar këtu apo për të ndjekur një tjetër aventurë.

Do ta konsideronit një ribashkim me Partizanin, nisur nga fakti se ata mund të mbeten pa opsione në të majtë në verë?

Kjo është pyetje e bukur, por që gjithnjë përgjigja ime dihet. Klubi i Partizanit është familja ime. Ruaj ende raporte shumë të mira me presidentin Demi dhe pa dyshimin më të vogël nuk do ta mendoja rikthimin në ekipin e zemrës.

Si e prisni këtë përballje derbi këtë fundjavë?

Derbi është derbi, diçka e veçantë. Është një ndeshje që të fal emocione unike, të cilat nuk i ndien në asgjë tjetër. Është një ndeshje, së cilës nuk i dihet asnjëherë fati dhe luftohet në çdo cep, deri në minutën e fundit. Siç ka ndodhur gjithnjë, pres të përsëritet edhe në këtë përballje.

Ju ka marrë malli ta luani derbin, aq më shumë që në “Air Albania” krijohet një atmosferë ndryshe?

Po, të them të drejtën më ka marrë shumë malli të përjetoj sërish emocionet e derbit, është një ndeshje fantastike. E them gjithnjë në diskutime të ndryshme që bëj se janë me fat ata lojtarë, të cilëve u është dhënë shansi ta luajnë derbin mes Tiranës dhe Partizanit.

Cili prej ekipeve ju duket më favorit për momentin?

Duke parë që Tirana nuk po kalon momente të mira prej një kohe të gjatë, mendoj se Partizani duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Gjithsesi, nuk duhet harruar se kur vjen dita e derbit ekipet janë njësoj, lojtarët shndërrohen komplet dhe japin 100%.

Si ju duk Partizani në derbin me Dinamon? Tregoi ndopak nga forca e vet?

Mori një fitore të rëndësishme me një lojë shumë të mirë. Skuadra vinte nga disa rezultate negative dhe ky triumf erdhi në momentin e duhur për të rikthyer besimin dhe për tu përballur me Tiranën me motivim maksimal.

A mendoni se situata në lidhje me aksionet mund të ndikojë te Tirana në këtë ndeshje?

Të them të drejtën, nuk jam mjaftueshëm i informuar në lidhje me atë çfarë ka ndodhur. Vetëm kam lexuar disa informacione të cekëta nëpër rrjete sociale. Por e them me bindje se kur vjen puna te derbi, nuk ndikon asgjë.

Tirana luajti edhe në Kupë dhe ka më pak kohë për ta përgatitur ndeshjen. Është ky një avantazh për Partizanin?

Sigurisht që është njëlloj avantazhi, sepse të kuqtë do të jenë më të freskët se Tirana, por prapë jam i mendimit se në derbi të gjallërohet një fuqi e jashtëzakonshme, një motiv i madh shumë. Partizani nuk duhet të neglizhojë në asnjë moment.

Sipas jush, sa del derbi dhe cili nga lojtarët mund ta vendosë?

Dëshira është e madhe që ta fitojë Partizani dhe besoj se ia del me rezultat të ngushtë. Nuk di të them një rezultat fiks. E rëndësishme është që të jetë një ndeshje e bukur, e luftuar dhe uroj që në fund të gëzojë Partizani.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"