Tirana, Shehi mund të quhet “mjeshtri i derbit”/ Ja bilanci në dy vite si bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2022 | 21:17

Tirana, Shehi mund të quhet “mjeshtri i derbit”/ Ja bilanci në dy vite si bardheblu

Orges Shehi është mjeshtri i derbit mes Tiranës dhe Partizanit. “Ish” i të kuqve e tani trajner i Tiranës në shtatë ndeshje ku ka drejtuar derbin ia ka dalë të fitojë katër herë, ka barazuar dy sfida dhe është mundur vetëm në takimin e parë ndaj Ilir Dajës përballë. Më pas, ai ka bërë të vetin derbin me një apo dy gola diferencë.

SHEHI

Dy sfida janë mbyllur pa gola. Shehi ka sjellë qetësi në ekip, ashtu siç bëri edhe Egboja që në vitin e titullit, nga tri ndeshje fitoi dy prej tyre, një prej të cilave 5-1. Nga ana tjetër, duke lënë pas humbjen, Tirana vjen në derbi me një filozofi ndryshe. Paçka se u mund me Teutën, bardheblutë kanë 648 ditë që nuk e humbasin derbin me Partizanin. Bardheblutë kanë katër fitore me të kuqtë, ndërsa dy takime të tjera janë mbyllur në barazim.

PARADERBI – Fakt është që këtë herë numrat nuk janë me Orges Shehin dhe Tiranën e tij. Kjo pasi në shtatë pragndeshjet e tjera të Shehit me Tiranën në derbi, ai nuk e ka nisur kurrë me humbje siç do ta bëjë këtë pragndeshje të tetë ku bardheblutë vijnë me një humbje ndaj Teutës.

Më përpara, në shtatë derbet e tjera, Shehi dhe Tirana kanë marrë gjashtë fitore, katër me durrsakët dhe një me Kastriotin si dhe një barazim, po me Teutën. Këtë herë situata është pak më ndryshe. Tirana shkon në derbi me një humbje. Një gjë e tillë ka ndodhur vetëm në 6 korrik 2020 kur Tirana paraqitej në derbi me një humbje 1-2 ndaj Kukësit.

KARRIERA TE TIRANA – Orges Shehi në karrierën e tij si trajneri i Tiranës ka në koleksion 81 takime. Në këto 81 ndeshje, 45 janë fitore, 17 barazime dhe 19 humbje. Golavarazhi i skuadrës së Shehit është 143:72. Shehi është emëruar në krye të Tiranës në 27 janar 2021. Shehi gjithashtu është trajneri më jetëgjatë i Tiranës prej më shumë se dy dekada.

derbet

Trajneri ka 690 ditë në stolin bardheblu dhe pritet që këtë shifër ta thyejë shumë shpejt. Kujtojmë që Tirana është e dyta në renditjen e Superiores me 25 pikë. Ekipi ka fituar 1.79 pikë. Skuadra e Shehit ka shënuar 23 gola, me një mesatare prej 1.64 golash për takim dhe 9 gola të pësuar ose me një mesatare 0.64 gola për takim.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"