Tirana ndalet nga Shkupi, vetëm barazim pa gola. Magani: Spektakël, por munguan golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2014 | 9:10

Tirana ndalet nga Shkupi, vetëm barazim pa gola. Magani: Spektakël, por munguan golat

Shkupi-TiranaTIRANA – FC SHKUPI 0-0
GOLA: S’ka
Formacioni i bardhebluve:
Frashëri, Kërçiku, Muça, Pashaj, Idrizaj, Karabeci, Bulku, Ndikumana, El.Bakaj, Morina, Bushiç; Trajner: Gugash Magani U aktivizuan: Ed.Bakaj, Kalari, Vrapi, Malaj, Gavazaj, Olaki, Peposhi.

Vjen barazimi i parë për Tiranën. Bardheblutë nuk kanë shkuar më larg se 0-0 në miqësoren e zhvilluar dje në Ohër përballë Shkupit. Ka qenë një takim i kontrolluar, ndonëse skuadra e Maganit dëshmoi se ishte më lart se kundërshtari. Bardheblutë zbritën në fushë këtë formacion: Frashërin në portë, në mbrojtje u rreshtuan Kërçikun, Muçën, Pashajin, Idrizajn, përpara defensivës Karabeci me Bulku, në krahët e mesfushës El.Bakaj dhe Ndikumana, ndërsa në sulm ishin dyshja Morina e Bushiç.
Ndeshja – Takimi nisi i qetë, por me Shkupin disi më të rrezikshëm me kalimin e minutave. Rasti i parë vjen prej Goran Maznov që doli i vetëm përballë Stivi Frashërit, gjuajti, por portieri i Tiranës, nuk e lejoi sulmuesin shkupjan të shënojë. Por edhe Shabani me Bajramin patën rastet e tyre, por pa gjetur dot rrjetën. Megjithatë, reagimet e skuadrës 24 herë kampione të Shqipërisë nuk munguan, teksa vizituan disa herë portën e mbrojtur nga Zendeli. Ishte Ervin Bulku dhe Elis Bakaj që rrezikuan, por goditjet e tyre nuk përfunduan në kuadrat. Ky fraksion u mbyll pa gola. Sakaq, edhe pjesa e dytë ishte me të njëjtin ritëm, ndonëse u kryen mjaft ndryshime në formacionet respektive. Është pikërisht ekipi i Shkupit që rrezikon në fillimin e kësaj pjese, teksa Ardian Nuhiu tentoi dy herë të zërë në befasi katërkëndorin e bardhebluve, por nuk i konkretizoi dot. Ndërsa për Tiranën sulmuan edhe Ndikumana dhe kroati Bushiç, por as njëri e as tjetri nuk arritën të gjenin golin e avantazhit. Kundërshtari ishte vendosur mjaft mirë në mbrojtje, duke bllokuar shpeshherë edhe aksionet e Tiranës. Spikati loja e mirë e Ndikumanës, i cili dje zhvilloi edhe ndeshjen e tij të parë për këtë sezon si bardheblu. Bardheblutë iu afruan disa herë portës së shkupjanëve deri në fund të këtij 90-minutëshi miqësor, por pa gjetur dot kuadratin dhe për pasojë takimi u mbyll pa gola. Tifozët – Ndeshjen Shkupi-Tirana e kanë ndjekur edhe tifozë të dy ekipeve, “Shvercerat” dhe “Tirona Fanataics”, grupime të cilat njihen për bashkëpunimin e tyre. Këtë e treguan edhe në stadiumin e Ohrit dje, ku mbi 100 të pranishëm, të bashkuar në një tribunë, kanë ndjekur këtë miqësore.

Magani: Pati spektakël, por na munguan golat
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka mbetur i kënaqur nga niveli i lojës dhe atë çka paraqiti skuadra e tij në fushë. Përtej rezultatit dhe mungesës së golave, ai theksoi se u dhurua spektakël. “E rëndësishme është që zhvilluam një ndeshje shumë korrekte, unë mendoj se dy skuadrat punuan mjaft mirë faktikisht dhe pavarësisht se nuk pati gola, pati lojë dhe spektakël”, tha tekniku i bardhebluve. Magani ka komentuar në veçanti edhe lojën e skuadrës së Shkupit, duke u shprehur me tone pozitive për një ekip të Ligës së Dytë. “Unë mendoj se skuadra e Shkupit nuk kishte dallim me ekipet e elitës së Maqedonisë. I uroj trajnerit Zekaria Ramadanit shumë suksese dhe që të shpallet kampion, meqenëse e kam pasur edhe lojtar kur unë isha në krye të Flamurtarit. Ai ka shumë karakter dhe mbi të gjitha është profesionist, ndaj besoj se do ia dalë”, ka përfunduar Magani.

“Provë me vlera, ekipi më bindi”
Me lojën e treguar në këtë ndeshje, trajneri i Shkupit, Zekerija Ramadani, ka mbetur tepër i kënaqur. Ai e ka cilësuar këtë miqësore si tepër të vlefshme për të ardhmen e skuadrës së tij, madje pas këtij 90-minutëshi e radhit Shkupin si pretendente në sezonin e ri. “Thashë para ndeshjes se Tirana për ne do të jetë një test i madh dhe unë mund të them me plot bindje se ne iu përshtatëm mjaft mirë kundërshtarit. Ekipi im zhvilloi një lojë të mrekullueshme, jam më shumë se i kënaqur nga angazhimi i tyre dhe besoj se me këtë ritëm jemi ne ekipi që do të ketë fjalën kryesore në kampionat”, është shprehur Ramadani për faqen zyrtare të FC Shkupit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"