Tirana fiton “derbin” ndaj Bashkimit, spektakël i bardhebluve në Ligën Ballkanike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2017 | 18:30

Tirana fiton “derbin” ndaj Bashkimit, spektakël i bardhebluve në Ligën Ballkanike

Te skuadra e Tiranës në përfaqësimin që bëri në Ballkan Ligë, pas dy humbjeve radhazi, ka ardhur dhe fitorja e parë në përballjen me skuadrën kosovare të Bashkimit të Prizrenit 75-69, duke u ngjitur në vendin e gjashtë me 4 pikë. Ka qenë një superndeshje, që ka sjellë emocione mjaft të zjarrta si në fushë, por edhe në tribunat e spektatorëve që ishin rreth 700.

kb tirana

Kjo fitore e kryeqytetasve ka ardhur si rezultat i lojës së shkëlqyer të kapitenit Erkan Karaj, Endrit Hysenagolli dhe serbit Svelozar Popoviç, duke qenë lojtarët më protagonistë të kësaj fitoreje të madhe. Për sa i përket kronikës së kësaj ndeshjeje fantastike, që rrallëherë e kemi parë në të tilla evente, ajo nis me 2 pikët e para për ekipin tonë, shënuar nga Hysenagolli të mbështetur më pas nga Gerti Shima.

Skuadra e Tiranës vijon kryesimin me një shkëputje pikësh deri në +7, por më pas janë miqtë nga Kosova që ngushtojnë në 17-16 dhe Adrian Molej e kalon për herë të parë ekipin kosovar në epërsi 17- 18, por perioda do të mbyllej me fitoren e bukur të Tiranës, ku Abdyl-Bazit bëhet protagonist, duke shënuar 9 pikë, kundrejt 11 pikëve të Tahirit. Në periodën e dytë, skuadra e Tiranës triumfon përsëri 18- 13, duke thelluar diferencën e pikëve në +8, për të shkuar në pushim me rezultatin 41-33.

tirana basket

Pjesa e dytë e takimit ka qenë edhe më e bukur, por ka pasur hera-herës dhe luhatje te skuadra jonë. Ngushtimi i pikëve e ka vënë në pozita të vështira në disa momente, pasi ajo përfundon në favor të skuadrës së Bashkimit 17- 22.

Në periodën e fundit, skuadrat e nisin me vetëm 3 pikë diferencë, gjë që shtoi dhe më shumë rivalitetin. Gjatë kësaj periode ka vend edhe për të riun Abdel Gjyzeli, që tenton të shënojë trepikësh që në kontaktin e parë.

Kjo periodë ka sjellë dhe spektakël të lojtarëve te të dyja skuadrat. Një fragment i bukur kur Bazit i mohon një kosh Molej, duke fluturuar mbi koshin dhe largon topin, por dhe momente rrëqethëse pas dëmtimit në vetull të Adrian Molej, i cili u gjakos. Kështu kjo periodë merr fund me fitoren e ekipit tonë kryeqytetas 17-14 dhe i gjithë takimi 75-69.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"