Tirana bën të vetën kupën, kryeqytetaset rikthehen të festojnë pas 5 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2018 | 19:34

Tirana bën të vetën kupën, kryeqytetaset rikthehen të festojnë pas 5 vitesh

Skuadra e Tiranës në basketboll për femra është shpallur dje në mbrëmje fituese e Kupës së Shqipërisë për të 24-tën herë pas fitores 73-57 në finale ndaj Goga Basket. Takim ky, që u luajt në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet. Herën e fundit kjo skuadër e pati fituar në vitin 2013. Një ndeshje me të vërtet finale që e justifikon më së miri edhe zhvillimi i lojës. Një pjesë të parë me dy tablo, ku në periodën e parë janë kryeqytetasit me dyshen Milanoviç – Xhanaj dhe 3 trepikëshat e Popoviç që bombardojnë koshin e Gogës duke mbyllur periodën 28-19. Në periodën e dytë kemi tablo tjetër, ku është Goga me amerikanen Xhasmin Mekroj të papërmbajtshme që realizon 24 pikë gjatë pjesës së parë. Kështu perioda e dytë fitohet nga Goga 21-14.

tirana

Skuadrat shkojnë në pushim me koshin e Eliverta Bujarit që vulos pjesën e parë 42-40. Në fraksionin e dytë, skuadrat luajnë edhe më bukur dhe ethet e fitimit të Kupës i kanë kapur të gjitha lojtaret. E nis Friezmna me dy pikët e para, por Bujari shënon dy herë radhazi dhe nis shkëputja e Tiranës. Elektra Zykaj organizon bukur lojtaret e Tiranës dhe Eliverta Bujari e Xhanaj janë ato që shënojnë vazhdimisht pikët për Tiranën duke e mbyllur dhe këtë periodë në fitim të tyre 19-9, duke shkuar në periodën e fundit me 12 pikë diferencë. Perioda e fundit, shërben vetëm për menaxhimin e diferencës për të ruajtur fitoren deri në fund të skuadrës së Tiranës.

Kështu me 25 pikët e Suzan Milanoviç, 18 pikë të Enxhi Xhanaj e 17 pikë të Eliverta Bujarit mbyllet takimi 57-73, duke shpallur fituese ekipin që drejtohet nga Roland Avrami. Skuadra e Tiranës i bëri të pavlefshme 34 pikët e amerikanes, Mekroj. Në fund nis dhe festa duke ngritur lart trofeun e Kupës së Shqipërisë me kapitenen Eliverta Bujari.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"