EKSKLUZIVE/ “Në gjysmëfinale dua Vllazninë”, Mehmeti: Partizani më i forti, finalja perfekte është… derbi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 20:15

EKSKLUZIVE/ “Në gjysmëfinale dua Vllazninë”, Mehmeti: Partizani më i forti, finalja perfekte është… derbi (E PLOTË)

Adnard Mehmeti ishte ai që me golin e tij i dhuroi Partizanit vendin e dytë në renditje, aq shumë i kërkuar prej javësh.

Mehmeti

Mesfushori tundi rrjetën e Kukësit në fitoren minimale, që ishte e katërta radhazi në kampionat për “demat”. Vetë mesfushori numëron 3 gola në Superiore, shifra pozitive për një lojtar që i është dashur të ndalet herë pas here nga dëmtimet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Mehmeti shprehet se Partizani është skuadra më e mirë e Superiores, teksa tregon preferencat e tij për “Final 4”.

Kundër Kukësit shënuat golin e tretë të sezonit. Jeni i kënaqur me atë çka keni bërë në këtë vit të parë me Partizanin?

Po, ishte goli i tretë, që erdhi pas një lëndimi që mora. Gjithsesi, nuk kënaqem me kaq, do të ishte më mirë të shënoja më shumë, sepse kam luajtur edhe si 8-sh dhe kam qenë disi më afër portës.

Por aq sa ju kanë shënuar edhe lojtarë si Mba dhe Skuka. I ngacmuat ndopak ata pas golit me Kukësin?

(Qesh) Është e vërtetë që më shumë mundësi për të shënuar kanë ata, sepse nga sulmuesi priten vetëm golat. Sado paraqitje të mira mund të bëjë një sulmues, në fund maten golat. Gjithsesi, Skuka ka ardhur vetëm në janar dhe i është dashur të rritet fizikisht, ndërsa Mba në gjysmën e parë të sezonit pati një lëndim, që ia uli ritmin dhe e la shumë kohë jashtë fushave.

Siguruat fitoren e katërt radhazi. Mund të themi se skuadra tani është ingranuar si duhet para ndeshjeve të “Final 4”?

Pas këtyre katër fitoreve në ekip qarkullon një frymë shumë më pozitive. Po e përgatisim çdo detaj me maksimumin tonë, sepse tashmë kemi mbërritur në ndeshjet e fundit dhe na pret “Final 4”, ku do të vendoset gjithçka dhe shpresoj t’i shkojmë deri në fund.

Po besimi te vetja dhe njëri-tjetri, ka ardhur në rritje?

Sidomos në këto ndeshjet, hyjmë në lojë më me shumë besim dhe vullnet. Edhe fizikisht e shoh skuadrën në rritje, pasi stërvitjet po i bëjmë të niveleve shumë të larta dhe po japim 200% në çdo detaj për ato dy ndeshje të fundit.

A besoni se numrin e fitoreve radhazi do ta çoni në shtatë dhe do të thyeni “rekordin” që vendosët me Abilaliajn?

Shpresoj shumë. Është e sigurt që ne do të hyjmë në fushë me qëllimin për të mposhtur Erzenin dhe më pas edhe rivalët në “Final 4”. Por në këtë fazë, me këtë formulë me vetëm një ndeshje, gjithçka është e paparashikueshme. Me Erzenin është e lehtë në letër, por më pas në gjysmëfinale nuk i dihet, janë vetëm 90 minuta.

Kukësi ishte i rënë matematikisht, por a ua bëri të vështirë të shkonit te fitorja?

Ata vinin në këtë ndeshje si të rënë nga kategoria. Nuk vinin për të na bërë dëm neve, por për të dhënë më të mirën e tyre dhe për të treguar cilësitë. Lojtarët dhanë maksimumin e tyre, pasi janë mundësitë e fundit për të rënë në sy dhe për të ngjallur interes të klubeve të tjera. Ishte e vështirë, sepse ata nuk kishin asgjë për të humbur.

Jeni në vendin e dytë. Nëse e mbyllni kështu, sa do t’ju ndihmonte fakti që në gjysmëfinale ju mjafton barazimi për të shkuar në finalen?

Na shkon shumë mirë, por fillimisht ai objektiv kalon nga ndeshja me Erzenin, që nuk duhet nënvlerësuar aspak. Barazimi na shkon përshtat ne, por edhe e komplekson skuadrën kundërshtare. Është si ta nisësh ndeshjen me një gol të shënuar sa i përket dinamikës që mund të ketë loja.

Si e prisni këtë sfidë të fundit kundër Erzenit, ishskuadrës suaj?

Mendoj se do të jetë një ndeshje po aq e sikletshme dhe delikate si ajo kundër Kukësit. Erzeni fatkeqësisht ka rënë nga kategoria tashmë dhe nuk ka objektiva. Sipas meje, sa i përket organikës ata kanë një ekip më të mirë se Kukësi.

Nëse e mbyllni të dytët, në gjysmëfinale do të donit Vllazninë apo skuadrën që do të renditet e katërta?

Të them të drejtën, do të doja një përballje me Vllazninë. Kemi pasur përballje të forta me ta dhe besoj i njohim shumë mirë taktikisht në ato katër përballje. Gjithashtu gjatë sezonit të rregullt kemi mundur të regjistrojmë ecuri pozitive kundër tyre.

Po një derbi me Tiranën në “Final 4”, nuk do ta donit?

Nuk e di sesa do të jetë e mundur, por finalja më e bukur sa i përket atmosferës dhe konkurrencës do të ishte me Tiranën. Është tjetër frynë, tifozët do të ishin më të ndezur se kurrë. Nuk ka ndeshje më të bukur se derbi, aq më shumë në një finale ku vendoset titulli kampion. Është tjetër nivel.

A mendoni se Partizani ka diçka më shumë se të tjerat për titullin kampion?

Konstatim i drejtë. Në këtë skuadër janë lojtarët më të mirë në Shqipëri. Jemi përballur me të gjithë rivalët direkt tashmë dhe mendoj se kemi treguar se jemi skuadra me më shumë cilësi.

Keni pasur një sezon me mjaft dëmtime, por a ndiheni gati për të krijuar një vazhdimësi në “Final 4” dhe më pas në Europë?

Goli që shënova erdhi pasi u ktheva nga dëmtimi. Të shtohet motivimi dhe tashmë më ka mbetur të tregoj veten për sa do të kem mundësi në këto ndeshje që kanë mbetur e më pas në atë çka do të na rezervojnë kompeticionet europiane, ku besoj se do të jemi të pranishëm.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"