Tirana bën “ligjin” jashtë fushe, ja sa pikë kanë grumbulluar bardheblutë larg “Selman Stërmasit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 8:20

Tirana bën “ligjin” jashtë fushe, ja sa pikë kanë grumbulluar bardheblutë larg “Selman Stërmasit”

Tirana ecën më mirë jashtë fushe sesa në stadiumin e vet “Selman Stërmasi”. Kështu, në 25 javë kampionat, bardheblutë janë mundur vetëm 2 herë në 12 takimet që kanë zhvilluar në transfertë. Skuadra ka pesë fitore dhe pesë barazime, duke grumbulluar 20 pikë jashtë fushës së vet. Duhet thënë që pikërisht ndeshjet jashtë kanë qenë forca e skuadrës së Shehit.

Tirana festa5

Bardheblutë janë mundur në transfertë vetëm ndaj Vllaznisë dhe Partizanit, ndërsa të gjitha të tjerat i kanë fituar edhe barazuar. Në fushën e tyre, Tirana ka grumbulluar 18 pikë në 13 takime. Gjithsesi, skuadra ka pesë fitore, pesë humbje e tri barazime. Shumë më keq se ndeshjet jashtë. Duket se mungesa e tifozëve në shtëpi ka ndikuar te skuadra bardheblu, ndërsa në transferta Tirana jep më shumë se zakonisht dhe këtë e tregojnë edhe statistikat.

BEKAJ – Portieri i Tiranës, Visar Bekaj, është lojtari më i aktivizuar te Tirana këto 25 javë. Djaloshi që ka lindur në Kosovë ka luajtur në 24 takime si titullar. Më pas vjen Erjon Hoxhallari, i cili është i grumbulluar me Kombëtaren. Në vendin e tretë Marsel Ismajlgeci, që është surpriza e këtij sezoni. Vazhdon lista me Idriz Bathën, Toshevskin e Najdovskin, ndërsa listën me lojtarët që janë aktivizuar më shumë se 1000 minuta e mbyll Taulant Seferi.

ASISTE – Tirana gjithashtu ka edhe njeriun asist. Deri dje ishte Ernest Muçi njeriu asist me katër të tilla. Në skuadër ka mbetur Marsel ismajlgeci, i cili ka tri asiste. Pjesa tjetër e lojtarëve kanë nga një. Vjet ai që asistonte më shumë quhej Majkëll Ngo, i cili arriti numrin 20.

GOLAT – Për ata që nuk e dinë, golat te Tirana vijnë nga mbrojtja e mesfusha. Batha ka shënuar pesë gola, Ismajlgeci 3. Po kaq edhe Hoxhallari, Najdovski me 2 gola, ndërsa Çelhaka e Behiratçe plotësojnë golashënuesit nga prapavija. Prej sulmuesve kanë shënuar tre gola Seferi, një Halili, Kale e Sasraku si dhe pesë gola që ishin në pronësi të Ernest Muçit, i larguar tashmë nga skuadra bardheblu. Pikërisht këtu është edhe problemi. Tirana nuk ka sulmues goli, ndërsa pjesën më të madhe të rrjetave i shënojnë mbrojtësit dhe mesfushorët.

TAB

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"