Tifozë me “pikatore”, Partizani ikën pa përshëndetjen e zakonshme/ Ja pikantet e duelit ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2022 | 23:37

Tifozë me “pikatore”, Partizani ikën pa përshëndetjen e zakonshme/ Ja pikantet e duelit ndaj Kastriotit

Në “Elbasan Arena” u luajt një ndeshje thuajse pa tifozë, pasi kishte një prani shumë të ulët të mbështetësve, megjithëse ishte ditë pushimi. “Panorama Sport”, e pranishme në këtë ndeshje, ju sjell disa nga momentet e veçanta të kësaj sfide.

kastrioti

*E diel pasdite, por mbi 40 kilometra larg kryeqytetit, ku është edhe baza e Partizanit. Kjo ishte pikërisht arsyeja që ndeshja u luajt nën praninë e vetëm 200 spektatorëve.

*Në tribunën VIP të stadiumit “Elbasan Arena” nuk mungonte presidenti i Partizanit, Gazment Demi, dhe donatorët e klubit krutan. Kreu i klubit të kuq duket shumë më i përfshirë me skuadrën këtë sezon.

*Nuk mungonin në këtë sfidë edhe ultrasit “Guerrils” të Partizanit, megjithëse të paktë në numër. Në fund kishte zhgënjim dhe ata u larguan pa bërë përshëndetjen e zakonshme me lojtarët në fund të ndeshjes.

*Trajneri i parë i Kastriotit, Emiljano Çela, e ndoqi ndeshjen nga tribuna, i vendosur pas pankinës së tij. Çuditërisht arriti të qëndrojë i qetë thuajse gjatë gjithë ndeshjes, teksa herë pas here komunikonte me ndihmësin e tij Bekim Kulin.

*Gjatë gjithë ndeshjes Kuli ka qëndruar në këmbë dhe i ka tërhequr më shumë vëmendjen repartit të mbrojtjes.

*Edhe trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka qëndruar në këmbë gjatë gjithë takimit dhe në disa momente ka qenë nervoz me të tijtë, që nuk gjetën dot rrugën e rrjetës.

*Pas një kohe të konsiderueshme pa u zëvendësuar, stolat e thyer në “Elbasan Arena” kanë nisur të rivendosen, megjithëse procesi nuk ka përfunduar ende.

* Kur kishin mbetur 12 minuta nga fundi, Murataj bie keq në tokë dhe rrezikon. Hamiti ndal lojën, por mesfushori ngrihet menjëherë për të kursyer kohë. Më pas Murataj i kërkon llogari gjyqtarit për vonesën me ndaljen e lojës, pavarësisht se e gjitha ndodhi për shëndetin e tij.

Hamiti

*Te Kastrioti në fund mezi presin fundin. Nga tribuna një nga të pranishmit dëgjohet të thotë: “O Hamiti, me orën shqiptare ka përfunduar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"