Teuta vuan për sulmues, Shkëmbi s’e ka me nxitim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 18:18

Teuta vuan për sulmues, Shkëmbi s’e ka me nxitim

Teuta ka ngelur në vend numëro lidhur me afrimet, pas shpërthimit në javën e parë të qershorit, ku nënshkroi me katër futbollistë. Aktualisht, bregdetarët po punojnë për afrimin e disa lojtarëve, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Shumë emra po diskutohen me stafin e ri teknik, i cili po ndjek futbollistë të ndryshëm, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Amerika Latine, më saktësisht Brazili dhe nga Maqedonia pritet të jenë afrimet e ardhshme.

Bledi Shkembi

Edhe pse kërkon dy mbrojtës qendre, duket se në këtë moment prioritet për “djemtë e detit” është sulmi. Ky është një nga repartet që ka më tepër nevojë për përforcime dhe kërkohet një lojtar që e njeh mirë portën. Në vitet e fundit, Teuta ka vuajtur shumë për një golashënues, ndaj në këtë merkato po i shohin me shumë kujdes alternativat e ofruara.

SULMUESIT – Në edicionin e kaluar, golashënuesi më i mirë ishte Latif Amadu me 9 rrjeta, ndërsa në fushatën 2016-2017 Andi Ribaj, Faisal Bangal dhe Artur Magani shënuan në total 11 gola, me peqinasin që e dërgoi vetëm tri herë topin në rrjetë.

teutaa

Artur Magani ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në edicionin 2015- 2016 me 9 rrjeta, ndërsa në fushatën 2014-2015 lojtari me më shumë gola ishte Ansi Nika me 5 rrjeta, teksa roli i tij është mesfushor krahu, me sulmuesit që shënuan nga dy gola secili Pepa dhe Çota. Pra, këto statistika tregojnë qartë se sa të nevojshëm e ka Teuta një sulmues që e njeh mirë rrjetën.

Lajmi i mirë është që ka opsione zgjedhje dhe ndaj stafi teknik nuk kërkon të nxitohet për të bërë gabime duke ditur se faza përgatitore fillon në javën e parë të korrikut. Trajneri Bledi Shkëmbi kërkon që ta ketë të gjithë grupin e gatshëm kur të fillojë me përgatitjet dhe puna në këtë moment është intensive. Për momentin, skuadra është me pushime dhe grumbullimi do të nisë në ditët e para të muajit të ardhshëm.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"