Teuta-Vllaznia, Mancaku “firmos”: Fitorja ndaj shkodranëve vlen 6 pikë, ja kush e vendos sfidën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2021 | 15:10

Teuta-Vllaznia, Mancaku “firmos”: Fitorja ndaj shkodranëve vlen 6 pikë, ja kush e vendos sfidën

Bledar Mancaku është mësuar në karrierën e tij t’i shënojë shpesh Vllaznisë kur ka luajtur jo vetëm me Teutën, por edhe skuadra të tjera në kampionatin shqiptar. Sot ish-kapiteni i durrsakëve mundohet të analizojë kryendeshjen e javës së 22-të si një trajner i ri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mancaku thekson se pret fitoren e Teutës, ndërsa beson shumë se sot do të jetë dita e Blerim Krasniqit.

Teuta-Laci 2-1. Mancaku ka shenuar

Bledar, si e keni parë ecurinë e Teutës në këto 21 javë kampionat? A ka diçka që ju zhgënjyer më tepër?

Më shqetëson vetëm mungesa e golave, pavarësisht se në javën e fundit realizuan dy herë ndaj Kukësit. Megjithatë, nëse i hedhim një sy statistikave, Teuta ka qenë në ekuilibër dhe ka shënuar mesatarisht nga një gol për ndeshje. Më vjen mirë që ekipi ka reaguar në disa ndeshje pasi ka pësuar duke treguar forcë dhe karakter prej një skuadre me mentalitet kampioni.

Pas barazimit me Kukësin, sot Teuta luan një ndeshje direkte me Vllazninë. Mund të themi se është shansi i fundit për të bërë hapin e madh në luftën për titull?

Unë mendoj se në këtë fazë të kampionatit Teuta është mirë me pikë, por këtë herë e ka të domosdoshme të marrë maksimumin ndaj Vllaznisë. Kalendarin e ka të mirë dhe duke qenë se e pret Vllazninë, duhet të bëjë gjithçka për të fituar. Pas atij barazimi me Kukësin duhet të rikthehet te fitorja. S’mund ta vendosim në presion ekipin, pasi nuk është kjo finale. Ka ende shumë javë për t’u luajtur, por ndaj Vllaznisë një fitore ka vlerën 6 pikëve, prandaj duhet patjetër.

Edhe Vllaznia vjen nga një moment jo i mirë. Cila mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Shiko, në të tilla ndeshje nuk ka favoritë, por duke nisur nga gjendja e lojtarëve të të dy ekipeve, por edhe nga entuziazmi që mbizotëron në Durrës këtë periudhë, unë mendoj se Teuta ka më shumë shanse për të marrë tri pikë. E shikoj të supermotivuar skuadrën, por gjithsesi është nga ato ndeshje ku diferencën mund ta bëjë edhe thjesht një episod.

Ka ndodhur këtë sezon që edhe pse me një mbrojtje shumë të fortë, Teuta ka pasur vështirësi për të zhbllokuar takimin. Çfarë mendoni se duhet të bëjë më tepër ekipi?

Në shumë ndeshje Teuta ka dominuar me lojë dhe ka patur mundësi për të shënuar, por nuk e ka ndihmuar as fati. Mendoj që problemi i golave nuk është aq i thjeshtë për ta treguar, por nëse do vijojë më këto ritme ekipi, edhe sulmuesit do të shpërblehen.

Sulmuesi kryesor, Blerim Krasniqi, nuk po shënon. Mund të jetë ndeshja ndaj Vllaznisë dita e tij?

Në fakt, Krasniqi është një lojtar i mirë, i fuqishëm dhe jam i bindur se do të bëjë diferencën në këtë ndeshje. Fusha është ajo që do të tregojë gjithçka, por është momenti i tij për të shënuar dhe besoj se do ta bëjë. Deri më tani ka dhënë më të mirën, pavarësisht se ka realizuar pak gola.

Në karrierën tuaj i keni shënuar shpesh Vllaznisë, ka ndonjë gol që e kujtoni më shumë?

Dua të veçoj një gol të sezonit 2011-2012, në të cilin Teuta ishte në luftë për titull. Pas një krosimi nga Hyshmeri në mos gaboj kam shënuar më kokë në minutën e 27-të dhe deri në fund nuk ndryshoi rezultati.

Nga ekipet që luftojnë për titull, cili mendoni se mund t’i shkojë garës deri në fund?

Besoj që të katërta ekipet janë në garë, por një ndarje më të qartë them se do të kemi deri në fund të fazës së tretë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"