Teuta merr Çotën, “I lumtur për rikthimin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2015 | 16:04

Teuta merr Çotën, “I lumtur për rikthimin”

CotaTeuta ka bërë një tjetër goditje në merkato. Këtë radhë bëhet fjalë për Mirel Çotën. Librazhdasi duke nisur nga dje është pjesë e skuadrës durrsake, ndërsa ngelet vetëm kryerja e procedurave (tërheqja e kartonit nga skuadra e Elbasanit), pasi marrëveshja mes sulmuesit dhe presidentit Hasanbelliu u mbyll me sukses. Sikurse kishte deklaruar për gazetën presidenti Hasanbelliu për ndërhyrje në të tria repartet, operacioni është mbyllur më shpejt se sa pritej. Drejtuesit durrsakë, pasi mbyllën marrëveshjen me mbrojtësin Brahja e mesfushorin Kuli, dje blinduan sulmuesin Çota.

Sulmuesi doli dje në seancën stërvitore dhe u ushtrua së bashku me grupin, i cili duket shumë i plotë. Këto tri përforcime do t’i bëjnë shumë punë skuadrës durrsake. Për koincidencë të tre lojtarët rikthehen te Teuta. Si mbrojtë- si Brahja, mesfushori Kuli ashtu edhe sulmuesi Çota më herët kanë qenë pjesë e “djemve të detit”. Rikthimi – Sulmuesi është shprehur i lumtur për rikthimin në Durrës. Çota e konsideron shtëpi të dytë Durrësin, për të cilën thotë se do të japë maksimumin për ta ndihmuar në arritjen e objektivit. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ai shfaqet i kënaqur për arritjen e akordit. “Jam shumë i lumtur që u riktheva te Teuta. Sikurse e shikoni, sot është seanca e parë stërvitore me skuadrën time të re, e cila nuk më duket e tillë, sepse unë e njoh shumë mirë atë, pasi kam qenë pjesë e saj edhe më herët për disa sezone. Sa i përket ambientimit këtu, nuk do të jetë problem, sepse ndihem si në shtëpi.

Do të përpiqem me të gjitha mënyrat dhe do të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit, që tashmë për fat të keq ka ngelur vetëm mbijetesa. Personalisht jam i bindur se Teuta nuk rrezikon dhe do të vazhdojmë të punojmë intensivisht për t’u ngjitur sa më lart në tabelën e klasifikimit. Këtu gjeta një grup shumë të mirë lojtarësh, të rinj e me eksperiencë dhe së bashku do të japim më të mirën tonë, me qëllim që ta ndihmojmë sa më shumë skuadrën, duke korrur rezultate pozitive. Shpresoj ta nisim me këmbën e mbarë pjesën e dytë të sezonit, duke marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen me Flamurtarin”, përfundoi sulmuesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"