Teuta me 5 mungesa, zbardhen ndryshimet në formacion për Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2021 | 22:51

Teuta me 5 mungesa, zbardhen ndryshimet në formacion për Kastriotin

Teuta për të dytën herë me radhë nuk ia doli në transfertën e Ballshit. Në fazën e parë barazuan 0-0, ndërsa në javën e fundit u ndalën në 1-1. Pa dyshim, barazimi i fundit djeg më shumë se ai i fazës së parë, pasi të besuarit e trajnerit Edi Martini humbën një shans për të marrë kreun për herë të parë në këtë sezon. “Djemtë e detit” për herë të tretë në 3 ndeshjet e fundit nuk kanë mbrojtur avantazhin. Ndodhi dy herë me Kukësin dhe tashmë kundër Bylisit. Teuta ka lëshuar pikë edhe më herët gjatë kampionatit, ku në pjesën e parë barazimet kanë qenë të shpeshta.

teuta

Teuta ka vijuar edhe dje përgatitjet me ritëm në funksion të ndeshjes së nesërme me Kastriotin, të cilin e presin në “Niko Dovana”. Trajneri Edi Martini dhe stafi i tij kanë zhvilluar dje një seancë tekniko-taktike, pasi synojnë që ta përshtatin skuadrën për ndeshjen e radhës, meqë kanë disa mungesa titullarësh. Trajneri punoi kryesisht me pjesën sulmuese duke bërë goditje në portë për të qenë më efikasë në ndeshje. Drejtuesit kërkojnë me çdo kusht që blutë t’u rikthehen vendeve të para të renditjes, por që të realizohet kjo, duhen shmangur gabimet e bëra javë pas jave. 41 pikë në 23 takime janë shumë pak për durrsakët, ndaj ka ardhur koha për ndryshimin e madh. Këtë sezon Teuta ka më pak pikë se vitet e fundit. Martini kërkon nga çdo lojtar që të jetë agresiv dhe të sulmojë.

RRESHTIMI — Teuta ka një duel mjaft të vështirë në Durrës, ku presin Kastriotin. Në këtë sfidë “djemtë e detit” do të jenë pa pesë lojtarë, madje mbrojtja thuajse do të bëhet nga e para. Stafit teknik i del përpara shumë punë, pasi duhen gjetur zëvendësuesit e lojtarëve që mungojnë dhe mënyra e rreshtimit. Arapi, Aleksi dhe Todorovski janë të pezulluar nga kartonët e verdhë, ndërsa Zogaj dhe Gruda të dëmtuar. Gruda ka probleme në tendinën e këmbës dhe nuk llogaritet për nesër, ndërsa Zogaj është në pikëpyetje për këtë ndeshje pasi ndien dhimbje në kavilje. Trajneri po motivon lojtarë me eksperiencë, si: F.Beqja, Avdyli, Karabeci, Daja dhe Pjeshka që do të luftojnë për një fanellë titullari, kryesisht për vendet e lëna bosh nga titullarët, pasi Zogaj dhe Gruda kanë qenë rezervë.

teuta (1)

Gjithsesi, nga ajo që u pa në seancën e djeshme, u dhanë sinjale se si mund të luajë Teuta nesër ndaj Kastriotit. Porta do t’i besohet Stivi Frashërit. Në mbrojtje, në mungesë të Arapit dhe Todorovskit pritet të luajnë Pjeshka dhe F.Beqja, në mesfushë aty ku mungon Aleksi, ka dilema pasi janë tre lojtarë për dy vende: Avdyli, Karabeci dhe Daja. Ndërsa nga krahët parashikohen L.Vila, Bregu, E.Vila. Mund të ndodhë edhe spostimi i Emiljano Vilës në qendër të mesfushës me njërin prej Avdylit, Karabecit dhe Dajës. Dyshim i vetëm ngelet mes Krasniqit dhe Plakut se kush mund të luajë nga minuta e parë, por mund të luajnë të dy nëse Vila spostohet në qendër të mesfushës dhe ekipi rreshtohet me skemën 4-4-2. Gjithçka do të vendoset në seancën e sotme, që do të jetë e fundit për duelin e javës së 24-t me Kastriotin.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"