Teuta, Martini “shkund” skuadrën. Barazimi me Kastriotin përjetohet keq te durrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2021 | 23:59

Teuta, Martini “shkund” skuadrën. Barazimi me Kastriotin përjetohet keq te durrsakët

Hapi fals me Kastriotin ka tronditur jo pak ambientin te Teuta. Megjithatë, nuk ka kohë për të qarë pikët e lëna, pasi nesër durrsakët do të zbresin sërish në fushë, këtë herë ndaj Kukësit në stadiumin “Niko Dovana”, ku do të diskutojnë çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë në një ndeshje me eliminim direkt. Kjo javë është e ngjeshur për “djemtë e detit” edhe për faktin se të dielën luajnë kryendeshjen ndaj Partizanit. Për trajnerin Edi Martini, në ndryshim nga ndeshja me Kastriotin ku skuadra kishte mungesa, këtë herë ndaj Kukësit grupi do të jetë më i plotë. Tre lojtarë titullarë, si Renato Arapi, Albano Aleksi dhe Bllagoja Todorovski, rikthehen të gatshëm, pasi kanë shlyer pezullimet për kartonë. Nga ana tjetër, trajneri pret që të ketë në 100% të formës edhe Blerim Krasniqin, i cili ka qenë i dëmtuar.

Edi Martini

ANALIZA

Teuta ka nisur dje përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës. Në fillim skuadra ka analizuar ndeshjen ndaj Kastriotit, duke nxjerrë në pah problemet e shfaqura, ndërsa vëmendja është përqendruar te Kukësi. Përpara ekipit, trajneri Martini shprehu besimin e tij se pavarësisht hapit fals me Kastriotin në kampionat, skuadra ka forcë për të bërë një kthesë të madhe në këto dy ndeshje delikate. “Djema, edhe pse bëmë një hap të gabuar në fundjavë ndaj Kastriotit, duhet të qëndrojmë me kokën lart, pasi përpara kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Duhet të vijomë  punën për të dalë nga ky moment jo i mirë. Kampionati është ende i gjatë dhe pikët janë aty, kështu që të fokusohemi te ndeshja e së mërkurës, sepse duhet të luftojmë fort për të qenë në gjysmëfinale. Është vetëm një ndeshje dhe duhet angazhim maksimal nga të gjithë ju. Nuk kemi luksin të gabojmë në këtë moment”, mësohet të jetë shprehur para ekipit në seancën e djeshme trajneri i durrsakëve.

FORMACIONI

Blerim Krasniqi ka lënë pas dëmtimin që pati pësuar dhe dje u fut me grupin me ngarkesë të plotë. Tashmë pritët që në formacion të kthehen edhe Arapi, Todorovski e Aleksi. Megjithatë, para Kukësit dilemat e Martinit janë disa, ku një prej tyre është Karabeci. Pra, nëse do të jetë ai në fushë nga minuta e parë apo Daja. Trajneri ka provuar skemë me tre mbrojtës, por edhe atë klasike me katër. Gjithsesi, në portë do të luajë Frashëri, ndërsa në mbrojtje Todorovski, Hoxha, Arapi dhe Kuro. Në mesfushë janë dy ide. E para me Aleksin, Dajën dhe E.Vilën, ndërsa në sulm L.Vila, Bregu e Krasniqi. Po kështu, nëse Martini vendos për Karabecin ose Avdylin titullar, atëherë do të sakrifikohet Daja. Me shumë mundësi, Plaku nuk do të luajë nga minuta e parë. Skuadra do të kthehet te skema 4-2-3-1, e përdorur më tepër këtë sezon. Problemi më i madh ka qenë finalizimi dhe mënyra e lojës, duke pasur vështirësi të mëdha për golin. Megjithatë, duke pasur parasysh cilësinë që ka grupi, stafi është i qetë se kjo ndeshje ndaj Kukësit mund të jetë edhe si një fillim i ri për Krasniqin & CO, të cilët kanë qenë të ngarkuar psikologjikisht këtë periudhë për mungesën e golit.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"