Teuta “mace e zezë”, Kukësi nuk e mund prej 5 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 20:50

Teuta “mace e zezë”, Kukësi nuk e mund prej 5 vitesh

Fitorja e Kukësit në Korçë erdhi pikërisht në momentin kur kjo skuadër kishte më shumë nevojë. Një tjetër javë pa pikë do të ndikonte shumë edhe në aspektin moral të skuadrës, sepse do të bëheshin plot pesë javë që verilindorët nuk shkonin dot deri te marrja e pikës.

teuta-kukesi

Tani ekipi është më i qetë dhe duket sikur është rikthyer besimi, sepse skuadra tregoi se ka forca për t’u përballur me rivalët e saj këtë kampionat. Idetë e Stavri Nicës po vihen në zbatim dhe në klub shpresojnë që të nisin një cikël me rezultate pozitive dhe t’i largohen fundit të klasifikimit, pasi ende janë ata që mbyllin tabelën.

TEUTA

Gjithsesi, nuk ka shumë kohë për festë te blutë, sepse nesër kanë sërish ndeshje në kampionat. Kësaj here do të jenë mysafirë në qytetin e Durrësit, aty ku do të përballen me Teutën vendëse, e cila vjen gjithashtu pas problemeve, ku ka shkarkuar trajnerin e saj.

Në fakt, durrsakët janë një ndër skuadrat më të vështira për Kukësin, sidomos në transfertë, me verilindorët që nuk kanë një bilanc të mirë. Mjafton të thuhet se për herë të fundit ata fitonin në Durrës ndodhte para pesë vitesh. Pikërisht më 15 shtator të 2018-ës verilindorët fitonin 0 me 1 me golin e Rexhinaldos. Që nga ajo kohë njihen vetëm fitore të durrsakëve apo edhe barazime.

Praktikisht, janë plot 13 ndeshje radhazi që Kukësi del pa tri pikë nga kjo transfertë dhe shpreson që të thyejë njëherë e mirë edhe shansin e keq që kanë përballë kësaj skuadre. Fakti që vijnë me një moral më të mirë në krahasim me rivalin, ngjall shpresë se kësaj here blutë nuk do të dalin duarbosh, në një kohë që ndoshta edhe barazimi mund t’i lërë të kënaqur.

GRUPI

Me shumë gjasa Stavri Nica do ta ketë të plotë grupin në këtë ndeshje, sepse për momentin nuk raportohet për lojtarë të dënuar apo dëmtuar. Pritet që tekniku të hedhë në fushë nga minuta e parë formacionin fitues në Korçë, duke shpresuar të bëjnë po aq mirë edhe në Durrës.

Gjithsesi, gjithçka do të ndahet ditën e sotme në seancën e fundit stërvitore, por e rëndësishme është që ekipi po gëzon një formë të mirë pas asaj nisjeje të dobët të kampionatit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"