Teuta kërkon vazhdimësinë, Martini porosi ekipit para Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 13:22

Teuta kërkon vazhdimësinë, Martini porosi ekipit para Kastriotit

Teuta në provën e vazhdimësisë kërkon të bëjë të madhen, përballë Kastriotit. Pretendimet në Durrës janë të mëdha sa i përket kampionatit dhe për t’u arritur vlen vazhdimësia. Teuta vjen në një moment të mirë, ndërkohë që ndaj Tiranës skuadra shfaqi rritje dhe arriti të korrigjojë disi gabimin e bërë ndaj Skënderbeut.

Edi Martini

Sot Teuta do të pres në Durrës, Kastriotin për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Edhe Kupa bën pjesë në objektivat e durrsakëve, por ndaj krutanëve parashikohet e vështirë. Megjithatë, ekipi është i mobilizuar që të bëj maksimumin sot, ashtu siç ka bërë deri më tani në kampionat. Teuta-Kastrioti do të luhet në orën 13:30 në stadiumin “Niko Dovana”.

TRAJNERI MARTINI- Durrsakët mbyllën dje përgatitjet për takimin e Kupës në shtëpi ndaj Kastriotit. Trajneri Edi Martini, para seancës stërvitore, ka folur para ekipit për sfidën ndaj Kastriotit.

Mes të tjerash trajneri Martini iu drejtua kështu lojtarëve: “Duhet të kemi vëmendje maksimale te ndeshja ndaj Kastriotit. Duhet ta vlerësojmë në maksimum, pasi është një ndeshje teke dhe kundërshtari deri më tani ka bërë mirë në kampionat, kështu që duhet të japim maksimumin në fushë për të kaluar këtë tur”.

PËRGATITJET – Pas fjalës së trajnerit ekipi zbriti në fushë duke vijuar programin stërvitor. Përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mesfusha është sektori që po merr vëmendjen më të madhe.

Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë, duke filluar nga Vila, Bregu apo Gruda. Edi Martini pret me ngulm që skuadra të vijojë me fitore, por pse jo të vazhdojë edhe më lojën e bukur që ka dhuruar në dy ndeshjet e para. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që ndaj krutanëve të mos e diskutojnë kualifikimin.

DY MUNGESA – Teuta do të ketë dy mungesa për Kastriotin. Trajneri duhet të bëjë llogarisë pa Lorenco Vilën e dëmtuar. Mesfushori ka pësuar një dëmtim në këmbë që e detyroi të dilte nga loja kundër Tiranës. Ndërkohë, që Fabian Beqja vazhdon ende periudhën e riaftësimit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"