“Teuta është ekipi për t’u mundur në Superiore”, Kallaku: Kam 5 alternativa për t’u larguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 15:19

“Teuta është ekipi për t’u mundur në Superiore”, Kallaku: Kam 5 alternativa për t’u larguar

Teuta arriti të sigurojë kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini e tregoi forcën edhe në ndeshjet e fundit ndaj Tiranës, Luftëtarit dhe së fundmi me Vllazninë. Tanimë “djemtë e detit” i pret një kalendar i vështirë, duke nisur nga transferta në Shkodër të dielën. Mesfushori i bluve, Sherif Kallaku, shprehet se gjithkush duhet të jetë me këmbë në tokë, duke bërë të ditur se Teuta e respekton kundërshtarin e radhës, ndërsa e vlerëson në maksimum Vllazninë.
kallaku batha
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shprehet i kënaqur me punën e bërë deri tani nga skuadra. Kallaku është i qartë në atë që thotë, teksa shprehet se kjo skuadër do të luftojë për tri vendet e para, por mbi të gjitha deklaron se dëshiron edhe trofeun e kupës.

Për te ardhmen Kallaku nuk po nxitohet dhe shton që po mendohet të bëjë një zgjedhje që të mos e rikthejë sërish në Superiore pas dy vjetësh.

Sherif, keni bërë një rinisje perfekte në kampionat me dy fitore si dhe u kualifikuat në gjysmëfinale. Çfarë ka ndryshuar tek Teuta?
Asgjë s’ka ndryshuar, pasi jemi po e njëjta skuadër. Mirëpo, një dallim mbas ndeshjes me Bylisin ka qenë reparti i mbrojtjes, që tashmë është më i përqendruar në lojë. Në këtë fazë të sezonit, deri në fund, nuk na lejohet asnjë hap i gabuar. Nuk duhet të mendojmë më se çfarë ndodhi me Vllazninë, por të përqendrohemi vetëm për atë që na pret.
VLLAZNIA BYLIS1
Pak kohë në dispozicion dhe në fundjavë do të luani sërish kundër Vllaznisë. Sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?
Tani në fund të sezonit të gjitha ndeshjet janë të vështira. Mirëpo ne duhet të luajmë në Shkodër njësoj si me Tiranën në Durrës, duke pasur shpirtin e garës në maksimum. Teuta të dielën kërkon vetëm 3 pikët! Lojtarët besojnë dhe do të japin maksimumin. Unë gjithashtu kam besim se do ta kalojmë me sukses, pavarësisht vështirësisë që ka kjo ndeshje.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon dhe a mund të arrijë 3 vendet e para?
Deri tani kemi bërë mirë në shumë aspekte, sidomos në menaxhimin e situatave. Skuadra është shumë e bashkuar, ka unitet, disiplinë dhe profesionalizëm në stërvitje. Shpresojmë ta mbyllim mirë sezonin. Unë besoj se do të arrijmë objektivin për të hyrë në kupat e Europës.

Dy fronte për Europën, nga cila rruga mendoni se Teuta do ta arrijë?
Unë mendoj që në UEFA duhet të shkojmë nëpërmjet kampionatit. Kam besim se kështu do të ndodhë. Për sa i përket Kupës, unë mendoj që ne ua kemi detyrim tifozëve durrsakë dhe duhet të bëjmë çdo sakrificë që ky trofe të vijë në Durrës këtë vit.

Ku e sheh veten sezonin tjetër Kallaku?
Për hir të së vërtetës janë 4-5 klube të gatshme për shërbimet e mia. Unë kam ende nevojë që të mendohem edhe pak se ku do të shkoj. Jam duke i parë të pesta variantet. Personalisht mendoj se nuk do të më tërheqë ana financiare, por do të shikoj klubin te i cili mund të bëj një hap tjetër mbas dy vitesh dhe jo të kthehem prapë në Shqipëri.
teuta
Cili është ekipi për t’u mundur në këtë kampionat?
Ekip për t’u mundur është Teuta. Kemi pasur bilanc të mirë si me Tiranën, ashtu edhe me ekipet e tjera kryesuese.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"