Teuta do kthesën, Martini me “artileri” të plotë ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 17:35

Teuta do kthesën, Martini me “artileri” të plotë ndaj Dinamos

Ndërprerja e kampionatit ka krijuar mundësinë e eksperimentimeve, sidomos për skuadrat, ku gjërat nuk kanë ecur si duhet, si në rastin e Teutës.

g jgh

Trajneri Edi Martini ka menduar të bëjë lëvizje në skuadër për ndryshimin e situatës, duke nisur nga ndeshja me Dinamon në kampionat. Teuta nuk ka grupin më të mirë të futbollistëve në sezonet e fundit, por në klub janë të bindur se këta lojtarë me cilësitë që kanë nuk e meritojnë të jenë në vendin e tetë. Mundësitë janë për më shumë dhe skuadra ka kualitet për të qenë shumë më lart në klasifikim.

Trajneri Martini dhe stafi i tij në këtë ndërprerje të kampionatit po mundohen të përmirësojnë elementet që nuk kanë funksionuar në këto javë të para të kampionatit. Ndeshja e radhës ndaj Dinamos, e planifikuar për t’u luajtur më 22 tetor, synohet të shndërrohet në një pikë kthese nga ekipi durrsak, edhe për faktin se ekipi blu është rival direkt, të paktën në këtë pikë të sezonit ku jemi aktualisht. Lajmi i mirë për trajnerin Martini është fakti se nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar dhe ka liri të plotë zgjedhjeje. E vetmja mungesë në kampin durrsak është Blerim Kotobelli, i pezulluar. Në gjykimin e parë, duke ndjekur ndeshjet e zhvilluara deri tani, shohim një ekip që mund të vendosë diktatin e vet, por dhe që dorëzohet pa kushte në momente caktuara, si ajo disfatë e thellë ndaj Laçit.

Sa i përket stërvitjes, lojtarët dhe stafi kanë vijuar edhe ditën e djeshme normalisht stërvitjen. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Atmosfera është e mirë, pavarësisht se rezultatet nuk japin mundësinë për entuziazmin që duhet të ketë normalisht ekipi. Trajneri Edi Martini gjatë gjithë javës, përveç stërvitjes dhe aspektit taktik, është munduar të punojë me skuadrën edhe në aspektin psikologjik.

Teuta është një nga skuadrat më të reja në Superiore dhe mosha ndikon që lojtarët të mos kenë eksperiencën e duhur për të përballuar situata të ndryshme në një sezon të gjatë. E shkuara ka treguar se Teuta ka ditur të reagojë në momentet kur është zënë ngushtë dhe besohet se edhe në këtë sfidë ndaj Dinamos është pikërisht ky moment.

Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"