“Teuta dhe Laçi mund të jenë kundërshtarët për ‘play off’-in”, Dalanaj: Flamurtari i ka cilësitë, ja si e kapim Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 11:20

“Teuta dhe Laçi mund të jenë kundërshtarët për ‘play off’-in”, Dalanaj: Flamurtari i ka cilësitë, ja si e kapim Superioren

Aleksandër Dalanaj analizon humbjen përballë Burrelit. Për “Panorama Sport”, 24-vjeçari thekson se Flamurtari dominoi krejtësisht ndeshjen, ndërsa kundërshtari shënoi në rastin e vetëm që pati. Vlonjati deklaroi se skuadra nuk është aspak euforike, por me këmbë në tokë.

dalanaj flamurtari

“Pavarësisht rezultatit, ne gjatë gjithë ndeshjes kemi dominuar kundërshtarin. Burreli na rrezikoi vetëm në rastin e shënimit të golit. Në të gjitha momentet e tjera kemi qenë në dominim total. Në fund të fundit ky është futbolli. Ka edhe ndeshje të tilla. Skuadra dha maksimumin. Në pjesën e parë kishim shumë mundësi, por nuk finalizuam dot. Në këto kushte, menduam se në të dytën do të bënim mirë dhe do të shënonim, por nuk arritëm dot. Burreli na goditi vetëm me një mundësi. Në skuadër nuk ka vend për eufori apo pesimizëm. Ekipi  është me këmbë në tokë për të dhënë maksimumin”, shprehet Dalanaj.

SHANSET – Aleksandër Dalanaj shprehet se Flamurtari duhet të rrisë nivelin e lojës. Sulmuesi tha se nuk ka asgjë të pamundur. “Ne do të luajmë shanset tona deri në fund. Duhet të rrisim nivelin e lojës dhe të marrim maksimumin nga çdo ndeshje. Pastaj do të luajmë shanset tona deri në ‘play off’. Nuk ka asgjë të pamundur. I kemi lojtarët me cilësi dhe me eksperiencë për të dalë me sukses, pse jo nga ‘play off’”, vijon Dalanaj.

Vlonjati komenton edhe përballjet e pritshme me skuadrat e Superiores. “Teuta dhe Laçi mund të jenë ato me të cilat ne mund të ndeshemi në ‘play off’. Nuk kam ndonjë dëshirë. Të shkojmë deri aty dhe të japim maksimumin. Pak rëndësi ka se kush do të jenë përballë nesh nga skuadrat e Superiores. Mendoj se Laçi dhe Teuta janë më të rrezikuara se të tjerat”, shprehet sulmuesi.

KASTRIOTI – Aleksandër Dalanaj deklaron se çdo ndeshje duhet fituar. Me Kastriotin shikon vetëm tri pikët. “Çdo ndeshje për ne është shumë e rëndësishme. Edhe sfida e radhës me Kastriotin ka shumë vlera, ku duhet të marrim maksimumin. Fitorja është i vetmi rezultat për ne në çdo ndeshje. Unë personalisht mundohem që të japë maksimumin si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Kështu do të bëjmë edhe në vijim”, përfundon Dalanaj.

Rikthimet- Flamurtari luan të shtunën në transfertën e Kastriotit. Gjasat janë që skuadra të jetë e plotë. Për transfertën e fundjavës pritet që Fabio Beqja të jetë plotësisht i gatshëm, teksa u la pushim këtë javë. Gjithashtu, gjatë javës pritet që të shihet edhe rikuperimi i kapitenit Pjeshka, Antoni Beji dhe Hasës. Janë të gjitha shanset që edhe mes tyre të ketë të rikuperuar.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"