Tetë javë pa humbje, por vjen Partizani i kreut. “Demat”, ekipi i fundit që ka mundur durrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2018 | 17:30

Tetë javë pa humbje, por vjen Partizani i kreut. “Demat”, ekipi i fundit që ka mundur durrsakët

Një ndeshje që i kishte të gjitha ishte ajo midis Skënderbeut dhe Teutës. Kartonë, emocione, rikthime kujtimesh, shumë lojtarë me statusin e “ish”-it dhe në fund një gol i Kamarasë. Lojtari nga Guinea vendosi fatet e një takimi që duket se hap një kapitull të ri për bregdetarët e drejtuar nga tekniku korçar, Shkëmbi.

Hakaj Teuta

ECURIA – Ndeshje pas ndeshjeje, tekniku Shkëmbi ka kërkuar vetëbesimin e skuadrës së tij dhe ka injektuar në “shpirtin” e kësaj skuadre mentalitetin e fituesit. Aspak e lehtë, por siç ka thënë në fillim: “nëse punojmë, asgjë nuk është e pamundur”. Deri tani ka dhuruar në fushën e lojës një skuadër që bind. Pavarësisht mungesave apo pengesave që dalin gjatë 90 minutave, lojtarët janë gati të “japin jetën” për teknikun e tyre.

Frymëmarrje nuk ka ende për bregdetarët që dhe pse nuk njohin disfatë prej tetë takimesh, janë ende gjashtë pikë larg kreut dhe me pikë të barabarta me Laçin e Kukësin që vazhdon të bëjë presion asfiksues. Skuadra ka grumbulluar 20 pikë nga 24 pikë të mundshme, më mirë se të gjithë kundërshtarët në kampionat apo dhe se dyshja kryesuese, Partizani dhe Skënderbeu. Nëse ruan këtë hap dhe përballë Partizanit, shumë shpejt do të kemi një kandidaturë të re për titullin kampion, Teutën.

NDRYSHIMET – Nëse flasim për fitoret e Teutës, pa dyshim që një meritë të veçantë kanë futbollistët që arrijnë të përshtaten dhe të realizojnë në fushën e lojës të gjitha idetë e teknikut të tyre. Por, meritën më të veçantë pa dyshim e ka Shkëmbi që ka guxuar jo pak për të ndryshuar dhe për të “surprizuar” me skemat e tij. Në 15 javë të luajtura, tekniku ka ndryshuar thuajse të gjithë repartet me përjashtim të portës dhe ndaj Skënderbeut riskoi jo pak, duke zbritur në fushën e lojës pa golashënuesin Latif dhe pa beniaminin e tij në mesfushë, Avdylin. Luan përballë ish-kampionëve thuajse pa një sulmues të mirëfilltë dhe golin e gjen nga goditja e këndit me anë të Kamara, njeriut që në javët e fundit ka fituar besimin e plotë të stafit.

PARTIZANI – Bregdetarët kanë rikuperuar çdo ndeshje të fazës së parë ku kishin lënë pikë dhe tani radhën e ka Partizani i Skënder Gegës. Skuadra që kryeson kampionatin vjen në fundjavën e ardhshme në “Niko Dovana” me statusin e kryesuesve, por përballë gjen një skuadër të pamposhtur si Teuta.

Është herët për ta thënë, por pa dyshim që është një tjetër “klasike” e këtij kampionati që mund të ndikojë te llogaritë në fund të sezonit. Humbja e fazës së parë nuk është harruar ende në kampin blu të “djemve të detit”, që në atë takim jo vetëm u mposhtën thellë, por dhuruan dhe një nga ndeshjet më të dobëta të këtij edicioni. Egoja e skuadrës bregdetare ka treguar që di të fitojë edhe ndaj të “mëdhenjve” dhe për më tepër ka mësuar të sillet si e tillë dhe është kthyer në një barrierë të pakalueshme.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"