Testime pa fund te Skënderbeu, ja 5 lojtarët që duhet të bindin Ahmatajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 9:28

Testime pa fund te Skënderbeu, ja 5 lojtarët që duhet të bindin Ahmatajn

Skënderbeu është kthyer në një “kantier”. Edhe pse kampionati starton më 12 shtator, nuk dihet ende se kur do të jetë gati ekipi i Julian Ahmatajt. Janë më shumë se 8 lojtarë që janë në provë te bardhekuqtë, por ngushëllues është fakti që në organikë janë disa elementë të konfirmuar. Veç atyre që kanë kohë që janë vënë në urdhrat e stafit teknik, të tjerë janë shtuar rishtas. Detyra më e vështirë i mbetet pikërisht trajnerit, i cili duhet të evidentojë cilësisë e secilit dhe më pas të vendosë se kush do të qëndrojë e kush do të largohet. Deri më tani ata që kanë bindur janë Terziu dhe Bunjaku, ndërsa të tjerë mbeten në “lupën” e stafit teknik.
julian-ahmataj-770x395
ALEKSANDROS BIMAI
Është futbollisti më cilësor i ardhur në provë për momentin te korçarët, kjo edhe prej CVsë që zotëron. Aleksandros Bimai, shqiptar i lindur në Athinë dhe me pasaportë greke, prej vitesh luan në ekipet greke, duke nisur që nga të rinjtë e Panioniosit deri tek Apolon Larisa në kategorinë e dytë. Një mesfushor qendre që mund të shërbejë më shumë për Ahmatajn në të ardhmen. Është 23 vjeç dhe vlera e kartonit të tij, sipas “transfermarkt”, shkon në 50 mijë euro.

DONALD BOGDANI
Një tjetër mesfushor në provë, por këtë herë shkatërrues. Quhet Donald Bogdani dhe është 20 vjeç, ndërsa prej disa ditësh po testohet në “Tropikal”. Ka luajtur më herët te TuRu Duseldorf në kategorinë e pestë gjermane dhe kërkon të tregojë se mund të jetë i vlefshëm për Skënderbeun në këtë sezon mes vështirësish ekonomike.

AMER DUKA
Pasi morën Ditmar Bicajn dhe Harallamb Qaqin, për qendërmbrojtësin, bardhekuqtë marrin një tjetër lojtar të konfirmuar. Është Amer Duka, i cili vjen pas aventurës te Luftëtari. I riu 21- vjeçar ka një eksperiencë të pasur me ekipe të ndryshme në vendin tonë. I dalë nga akademia e Teutës, ka gjetur hapësirë jo vetëm te durrsakët, por edhe te Laçi, Erzeni dhe së fundi në Gjirokastër (ku ka koleksionuar edhe numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura gjatë sezonit të kaluar, 12 të tilla). Ai mund të cilësohet si një alternativë që Ahmataj do ta pëlqente.

HOLKER SUVARIJA
Një tjetër mbrojtës këtë herë i krahut të djathtë është në provë te korçarët. Suvarija, 26 vjeç, ka luajtur më herët për Dinamon dhe Elbasanin me të cilin u prezantua edhe sezonin e kaluar. Një lojtar pa shumë informacione dhe Ahmataj do të mundohet ta njohë më mirë, teksa ka debutuar në Superiore në vitin 2017 kohë kur Elbasani luante për herë të fundit në kategorinë e më të mirëve.

ARENS MATELI
Edhe një fantazist i është bashkuar kampit të Skënderbeut, Arenc Mateli. Është vënë në urdhrat e trajnerit para dy ditësh dhe impakti i parë ka qenë pozitiv. 20-vjeçari ka luajtur dy takime në elitë me Kukësin, por mbylli bashkëpunimin me verilindorët sezonin e kaluar. Tashmë kërkon një aventurë të re te Skënderbeu, ndonëse fillimisht duhet të bindë stafin teknik për cilësitë e tij.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"