Tërbuni, vetofrohet nga Kastrioti pukjani Prendi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2015 | 10:37

Tërbuni, vetofrohet nga Kastrioti pukjani Prendi

terbuniMbrojtësi 19-vjeçar nga Puka, Flavio Prendi, ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e Tërbunit për sezonin e ri. Pasi ka mbaruar shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, Prendi ka luajtur në sezonin e fundit te Kastrioti. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai ka pohuar se pavarësisht ofertave në këtë periudhë, kërkon të kontribuojë për skuadrën e vendlindjes, Tërbunin. “Tërbuni është ekipi im i zemrës dhe në vitet 1978-1985 edhe babai im ka luajtur me këtë skuadër si mesfushor. Unë dua të ndjek rrugën e tij, për të dhënë më të mirën për pukjanët, skuadër që tashmë është bërë pjesë e Superiores. Kam qenë pjesë e Kastriotit në sezonin që lamë pas, por tashmë më ka mbaruar kontrata dhe dëshiroj të bëhem pjesë e skuadrës së vendlindjes. Në këtë periudhë merkatoje, kam oferta edhe nga klube të tjera, por zgjidhja ime është Tërbuni. Brenda këtyre ditëve do të bisedoj me drejtuesit pukjanë, sepse jam lojtar i lirë dhe shpresoj se do të më pranojnë që të bëhem pjesë e këtij ekipi. Besoj se do ta gjej gjuhën e përbashkët, për të veshur këtë fanellë për edicionin e ardhshëm. Me një trajner si Elvis Plori do të ndihem shumë mirë, gjithnjë nëse do bëhem pjesë e kësaj skuadre. Do të kontribuoj në maksimum që Tërbuni të jetë në mesin e artë. Ndërkohë që nga sa kam dëgjuar drejtuesit e Tërbunit janë duke vëzhguar disa lojtarë të Superiores dhe në tregun e huaj, për ndërtimin e një ekipi sa më cilësor për edicionin e ri”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"