Teqja, gati për Kukësin: Kamza do të rikthehet te fitorja, të kënaqur me trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 17:10

Teqja, gati për Kukësin: Kamza do të rikthehet te fitorja, të kënaqur me trajnerin e ri

Stafi teknik i Kamzës ka nisur dje punën për përpilimin e formacionit të mundshëm për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajnë në shtëpi ndaj Kukësit. Gjithsesi, trajneri Gjoka dhe ndihmësit e tij në seancat e fundit e kanë vënë theksin te përgatitja fizike, e cila ka zënë pjesën dërrmuese të kohës. Skuadra dje ka qenë e kompletuar, pasi kanë qenë prezent edhe dy lojtarët që kishin munguar me leje nga klubi, kapiteni Sebino Plaku, si dhe portieri Mario Kirev. Kamza nuk do të jetë e plotë ndaj Kukësit, pasi dihet se Argjend Malaj do të jetë i pezulluar për shkak kartonësh.

teqja altinparmakovski

Në skuadër është rritur optimizmi pas ndryshimeve të fundit dhe këtë e konfirmoi edhe mbrojtësi Olsi Teqja në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Kukësin. “Ndaj Kukësit është një ndeshje për t’u marrë në konsideratë. Luajmë ndaj një skuadre që është pretendente, ndërsa për ne ka një rëndësi të veçantë, sepse nëse fitojmë, skuadra fiton optimizmin për të vijuar më tej me rezultatet pozitive. Trepikëshi ndikon shumë edhe në anën psikologjike, sepse një fitore kundër Kukësit të hap oreksin për lojëra më të bukura.

Dëmtimi? Ndihem mirë dhe faza e rikuperimit ka kaluar me sukses dhe besoj se do të jem gati për Kukësin dhe shpresoj që çdo gjë do të shkojë mbarë”, u shpreh fillimisht Teqja. Ndërsa, për situatën që është krijuar pas ardhjes së trajnerit Ernest Gjoka, mbrojtësi u shpreh: “Gjoka është një trajner që të stërvit mirë, të lodh fizikisht për të rimarrë ngarkesat fizike dhe më pas të ul tempin para ndeshjes, gjë që ndikon më së miri në formën e lojtarit. Të gjithë jemi të kënaqur. Kjo na jep më shumë optimizëm për të treguar vlerat tona si skuadër, si dhe për t’u rikthyer së shpejti te rezultatet pozitive”.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"