“Të mbyllet sezoni në fushë e jo në tavolinë”, Hasani: Të fitojmë me Koronavirusin, titulli i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2020 | 17:17

“Të mbyllet sezoni në fushë e jo në tavolinë”, Hasani: Të fitojmë me Koronavirusin, titulli i Tiranës

Edon Hasani është nga lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës dhe një nga ata me më shumë gola bardheblutë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për situatën te bardheblutë. Sipas tij, gjendja është e vështirë, por shpresohet që gjendja të përmirësohet.

edon hasani

Izolimi – Si është të qëndrosh i izoluar në shtëpi. Edhe Edoni është në një linjë me shokët e skuadrës. “Futbolli është puna jonë dhe e kemi të vështirë në këtë moment. Por në këtë rast dhe këtë situatë kemi të bëjmë me jetën. Përfitoj t’i bëj thirrje çdo kujt të zbatojmë këshillat e thjeshta të mjekëve, në dukje, por që na mbrojnë jetën”.

Dita – Shkodrani Hasani flet edhe sesi një lojtar dhe në veçanti ai e kalon ditën në shtëpi. “Rregjim diete dhe ushtrime në kushtet e shtëpisë”, u shpreh Edoni.

Diferenca – Për një nga golashënuesit e skuadrës, jo vetëm izolim, por te Tirana duhet të mendojnë edhe për titullin. “E rëndësishme që të mbyllet sezoni në fushën e blertë e jo në tavolinë. Ne jemi 9 pikë përpara dhe me meritë të plotë”.

Rinisja – Titulli po diskutohet mes vendimit në tavolinë, play off dhe rinisjes së kampionatit. Si mund të zgjidhet kjo çëshje. ”Ne jemi gati për çdo rrethanë. Eksperienca e një klubi te madh si Tirana, stafi drejtues, ne lojtarët do të dimë të jemi në çdo situatë gati. Ndeshjet që do të vinë, ne duhet t’i shohim si finale, sepse vështirësia do të jetë akoma më e madhe”.

Thirrja – Golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar foli ka edhe një thirrje për të gjithë këto ditë të vështira. “Edhe një herë dua ta them që sot ndeshja më e rëndësishme që duhet ta fitojmë patjetër është ajo me këtë sëmundje që tashmë e kemi në derë të shtëpisë. Kujdes dhe vetëm kujdes në këto momente”, u shpreh Hasani.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"