“Të isha si Mema, do ikja nga Tirana”, Agustin Kola: Duhet të dalë të mbrojë lojtarët nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 19:43

“Të isha si Mema, do ikja nga Tirana”, Agustin Kola: Duhet të dalë të mbrojë lojtarët nga…

Në intervistën ekskluzive dhënë ditën e sotme për “Panorama Sport”, veç ecurisë së Kombëtares, një legjendë e Tiranës si Agustin Kola, flet edhe për ish-klubin e tij, ku ka kontribuuar si lojtar e trajner.

Kola5

Ndër të tjera, Kola shprehet se Tirana ka ecur mirë këto javë të para, dhe ngritja e ekipit duhet pritur gradualisht. Ai e vë veten edhe në pozicionin e trajnerit Ardian Mema, e shprehet se nëse do ishte si ai, do largohej që pas derbit. Më poshtë, një pjesë nga intervista e Agustin Kolës.

Meqenëse e përmendët, si e gjykoni situatën e Tiranës nga fillimi deri më tani?

Nëse flasim me logjikë, faktikisht Tirana nuk ka ecur keq. Dakord, të gjithë duam fitore në çdo ndeshje, por mendoj se është në pozita të pranueshme. Unë e vlerësoj që është një Tiranë edhe për kampionat, që e synon titullin për vetë mënyrën si është ndërtuar këtë vit. Pra, ndryshe nga ecuria e viteve të fundit.

Ama dy humbje me rivalet direkte dhe disfata në derbi e “paralizoi” për të mos fituar as ndaj Flamurtarit. Si shpjegohet që një kontingjent i tillë të vuajë presionin psikologjik?

Shikoni se duhen marrë gjërat me qetësi, sipas meje. Nga një periudhë dy apo trevjeçare, ku diskutohej rënia dhe ndodhi, tani ngritja duhet pritur dalëngadalë. Nuk mund të shpërthejë ekipi menjëherë. Por, në optikën time, janë mirë dhe është një skuadër që, sipas meje, primare duhet ta ketë luftën për të qenë në vendet e para që futen në Kupat e Europës. Por, e vazhdoj mendimin që për lojtarët që kanë, mund edhe të synojmë kampionatin. Ju përmendët me të drejtë edhe derbin, por pavarësisht çfarë po ndodh këtu në kaq vite pa fitore nga Tirana, unë them se derbi humbet. Ndodh.

Agustin-Kola

Në këtë situatë që është ekipi, si e vlerësoni situatën e trajnerit Mema, i cili u vu edhe në diskutim?

Sipas meje, është diçka që matet me rezultate dhe nuk më takon mua ta them se çfarë duhet bërë. Ama, të isha unë personalisht në vend të Ardit, menjëherë pas derbit do të isha larguar direkt. Pas atyre fjalëve që dolën nga klubi (referuar drejtuesve dhe presidentit), nuk do të kisha qëndruar më aty. Siç ika në vitin 2009, pasi më shitën Kupën, nuk do të kisha ndenjur edhe pas asaj situate. Drejtuesit i dinë vetë punët se çfarë duhet bërë, unë vetëm u referohem fjalëve të dala nga klubi, nga drejtuesit që përmendën se do të bëjnë ndryshime.

Ju personalisht, çfarë gjykimi keni nga jashtë për këtë çështje?

Trajneri e di pozicionin e tij vetë. Presidenti apo drejtuesit e dinë vetë se çfarë vendimesh marrin. Nuk mund të them unë se çfarë të bëjnë me Ardin, por thashë çfarë do të kisha bërë unë në atë situatë. Unë di të them që Tirana këtë vit ka mundësinë të luftojë edhe për kampionat, edhe për Kupën, edhe për zonën e Kupave të Europës.

Kola-Halili

Është vetëm një pikë larg ekipeve që kryesojnë, dy prej të cilave janë ato që vijnë nga Kategoria e Parë…

Vërtet që kanë ardhur nga Kategoria e Parë, por Bylisi ka afruar futbollistë me eksperiencë. Ka afruar Bicajn, Isli Hidin.

Si e vlerësoni situatën e ndëshkimeve të lojtarëve, si Hoxhallari apo të tjerë që u dërguan tek ekipi B, ku sipas asaj që është mësuar nga brenda klubit, arsyeja kanë qenë gabimet në derbi?

Shikoni, këtu është puna e trajnerit. Pse nuk del vetë ai dhe të mbrojë futbollistët? Shikoni, unë i kam mbrojtur futbollistët e mi, sepse presidentët janë ata që investojnë, por në disa raste nuk kuptojnë sa duhet. Po flas në përgjithësi. Një president nuk mund të kuptojë teknikisht më shumë se ne trajnerët. Këtë rast i del detyrë trajnerit të mbrojë futbollistët e tij. Në të kundërt, të dalë të deklarojë largimin e të mos qëndrojë më aty. Lojtari mund të gabojë edhe në një ndeshje. Po, edhe Strakosha gaboi. Për t’iu kthyer bisedës së mëparshme, ama ka nevojë për mbrojtje, për mbështetje. Trajneri në këtë rast merr përsipër.

Ka aq fuqi trajneri në Shqipëri sa të kundërshtojë presidentin?

Shikoni, më vjen keq për trajnerët në Shqipëri, sepse i njohin mirë presidentët. E dinë çfarë sjelljeje kanë. E dinë mirë, sepse janë trajnerë që e njohin kampionatin. Por, trajneri duhet të flasë atëherë kur është për të folur. Shoh shumë që flasin vetëm kur ikin dhe jo atëherë kur duhet. Çfarë të thotë Agustini më tepër? Dy gjëra janë: Flit kur duhet, për të mbrojtur ekipin, lojtarin dhe punën tënde ose ik!

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"