Takimi i legjendave/ Fazllagiç: Jugosllavia shkoi në Europian falë Shqipërisë; Zoran Sllavniç: Fagu, vërtet i shkëlqyer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 22:23

Takimi i legjendave/ Fazllagiç: Jugosllavia shkoi në Europian falë Shqipërisë; Zoran Sllavniç: Fagu, vërtet i shkëlqyer

NGA UVIL ZAJMI
Të ftuar në një aktivitet sportiv të zhvilluar në Ulqin të Malit të Zi, në edi cionin e dytë “Mundiali i Miqësisë”, në të cilin si traditë nga organizatorët ftohen të marrin pjesë, sportistë të shquar të ish-Jugosllavisë ndër vite, kryesisht para 1990. Me ne ishin edhe Perlat Musta, Hysen Zmijani, ndërsa Sulejman Demollari, për arsye shëndetësore, nuk mundi të vinte.

Uvil Zajmi me Fazllagiç dhe Sllavniç

Uvil Zajmi me Fazllagiç dhe Sllavniç

Një organizim i bukur, që na ktheu në kohën, sportin, protagonistët e asaj periudhe që tashmë i takojnë historisë dhe nostalgjisë. Tejet emocional, veçanërisht takimi me ish-legjenda të sportit të ish- Jugosllavisë, disa prej tyre kundërshtarë, rivalë në betejat e atyre viteve me klubet, ekipet kombëtare, ndeshje, që për periudhën përbënin ngjarje të mëdha sportive, kryesisht në futboll, basketboll, me histori nga mbrapa, me sportistë kolosë, të ndjekur me shumë pasion dhe që kanë lënë gjurmë. Midis sportistëve të pranishëm, që koha, vitet kanë ndikimet e tyre, mu dha mundësia të takoj mjaft të njohur, Enver Haxhiabdiç, Skoro, Karasia, Kërpotiç, Ulcner, Joviç, Petroviç, Peshiç, Gudelj, Faruk Haxhibegiç, Bazhdareviç, Radanoviç, deri edhe lojtarë të Partizanit të Beogradit në takimet me Flamurtarin tonë. Midis tyre edhe Saviçeviç, presidentin e Federatës së Futbollit të Malit të Zi.

Por, padyshim dy ishin ata që u ndala dhe qëndrova më gjatë, pra që më tërhoqën për çfarë rrëfyen. Bëhet fjalë për basketbollistin Zoran Sllavnic, “play maker”-in e madh të Crvena Zvezdës e kombëtares, dhe futbollistin, ish- kapitenin e ekipit të përfaqësues të ish-Jugosllavisë, nënkampione e Europës në vitin 1968, Mirsad Fazllagiç. Që në prezantim dëgjova të thonë dy emra: “Panajot Pano e Agim Fagu”. Realisht më shtangën.

Perlat Musta, Hysen Zmijani me Fazllagiç

Perlat Musta, Hysen Zmijani me Fazllagiç

Ishin këto detaje që më shtynë kureshtjen kur bëhet fjalë për dy legjenda të sportit tonë, çfarë ata kujtonin, atmosferën, në të cilat janë luajtur ato sfida Tiranë-Beograd, që i takojnë shekullit të kaluar, por kurrë të harruara. “Falënderoj Shqipërinë”- ishte një moment kur Fazllagiç më tha, pas të cilës kuptova se ndonëse kanë kaluar vite, përballjet me sportin shqiptar kishin lënë gjurmë në memorien e tyre. Vërtet më erdhi shumë mirë, pata emocion, një ndjesi e paprovuar më parë! Kur dikush, në këtë rast, personalitete të tillë, të njohur, të shquar, kampionë Europe, olimpiadash, triumfues pa kufi, të flasin, e japin konsiderata të larta për sportistët e vendit tënd.

* * *

Ato kanë qenë dy përballje në futboll: në vitin 1967, Shqipëri-Jugosllavi dhe katër Partizani-Crvena Zvezda e 17 Nëntori-Crvena Zvezda, të zhvilluara më 1972, 1973 në basketboll. Skuadra me lojtarë cilësorë, emra të njohur, të shquar, si ato shqiptarë, dhe kundërshtarët. Në futboll, për EK Europian, “Italia ‘68″, Shqipëria është në grupin e 4-t me RF Gjermane, Jugosllavinë, dhe në përfundim do të jetë surpriza e madhe e turneut. Ndonëse humbet në Dortmund, pastaj dy takimet me Jugosllavinë, në sfidën e fundit të 17 dhjetorit ’67, pas atij barazimi sensacional 0-0 në Tiranë, do të eliminojë RF Gjermane dhe në Romë do të shkojë Jugosllavia, që në ato vite ka ndoshta formacionin, skuadrën më të mirë të gjithë kohërave, me lojtarin Dragan Xhaiç, ndër futbollistët elitarë në Europë. Madje, do të jetë protagonist në dy takimet dramatike të zhvilluara me Italinë, e cila do të marrë kupën pas fitores 2-0 në sfidën e dytë.

Edhe Shqipëria e asaj periudhe ka në përbërje futbollistë, që për kohën kanë qenë dhe mbeten një faqe e shkëlqyer, duke qenë pjese e librit të fanellës kuqezi. Por, dy ndeshjet, ajo e majit dhe tetorit 1967 me Jugosllavinë, kanë një histori të papërsëritshme, për çfarë përcollën, ato 180 minuta të paharruara, në Tiranë dhe në Beograd. Më pas takimet me klube vetëm në kupën ballkanike, me Zmijanin, Mustën protagonistë, ashtu siç edhe rrëfyen para mikrofonit në podiumin e madh, emocionet, kujtimet si lojtarë në ato sfida, si dhe Flamurtari-Partizani, ku emri i Sokol Kushtës, golashënuesi legjendar, u përmend në atë manifestim. Për të ardhur te dy takimet e basketbollit, ato ndaj Zvezdës, ndaj një kundërshtari, me basketbollin në majën e Europës. Me lojtarë fantastikë, nga Sllavaniç, Kapiçiç e Simonoviç. Jemi ndeshur në Tiranë, Beograd, duke I rivalizuar, me Agim Fagun, kolosin që i shtangu, befasuar ata.

Janë ndeshje që kanë mbetur në kujtesën e brezit tim. Në Shqipëri-Jugosllavi kam qenë i pranishëm në “Qemal Stafa”. Një pasion i madh për ne kryeqytetasit, admirues të sportit, kur të shtunën, pas ndeshjeve në stadium do të vraponim për në pallatin e sportit për të ndjekur sfidat e basketbollit. Kam pasur fatin të shoh nga afër Fagun, Zaçen, Palin, Pëllumbin, Përmetin, Papavangjelin, Mushin, Shakën, Kasmin, Shehun, Topallin Lëvonjën, Kolekën, Avramin, etj. Aq më shumë një takim ndërkombëtar, kur një ekip i huaj vinte në Tiranë, sikur na sillte pak perëndim, i cili na mungonte, ishim shumë larg tij, ndonëse vetëm pak kilometra afër e kishim.

Për këtë arsye edhe pas një gjysmë shekulli, çdo takim, komunikim me ta sikur më risjell shumë pranë ndeshjet, biletën, brezin, tifozërinë, emra, sportistë, trajnerë. Bashkë me Serinë A, kemi ndjekur edhe futbollin, basketbollin jugosllav, në kanalin televiziv “JRT”, nga i cili kemi njohur lojtarët, dhe nisur nga ky fakt, biseda, komunikimi me të tjerë sportistë të asaj kohe të pranishëm në Ulqin, i befasonte informacioni ynë për ta. Edhe pse e kushtëzuar nga censura qe na i kishte mbyllur çdo dritare me Europën, botën, ai nuk na ka munguar. Përkundrazi!.

NJË EKSPERIENCË QË DUHET MARRË
Të tillë e konsideroj atë organizim. Një eksperiencë që duhet marrë, në kushtet dhe mundësitë që mund të ketë një shtet, në këtë rast, vendi ynë, për të kujtuar dhe rikthyer vlerat njerëzore sportive, të harruara e të braktisura për ish-sportistët tanë ndër vite. Dhe nuk kemi pak, madje janë të shumtë me kontribute të mëdha si në aktivitetet, veprimtaritë kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Do të ishte krejt normale që një qytete, si Korça, Saranda, Vlora, Shkodra, cilido qytet tjetër në kohë, muaj, ditë të përshtatshme, një herë në vit, të ftonin, të presin, ish-sportistë të shquar, kampionë, rekordmenë, futbollistë, mjeshtër, meshkujfemra, trajnerë, arbitra, personalitete, drejtues, gazetarë, telekronistë, që jetojnë në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Dy ditë festë, mikpritje, dyer të hapura nga familje, hotele, restorante për ata. Duhet shumë dëshirë, zemër e madhe për një projekt modest, pa asnjë angazhim madhor, për të nisur një traditë, në rikthimin, rinjohjen, ritakimin, rivlerësimin e atij kontributi kolosal të atyre sportistëve, për t’ia transmetuar e bërë të njohur brezave aktual trashëgiminë e lënë pas nga ata. Mjafton iniciativa e një kryetari bashkie, e një biznesmeni, dashamirësi sporti, aq duhet, dhe jam i sigurt se kënaqësia, miqësia e rigjetur do të jetë e dyfishtë, mbresëlënëse për të gjithë.

Një impakt, ndjesi që bashkë me Perlat Mustën e Hysen Zmijanin e provuam në ato dy-tri ditë ulqinake. Nuk pashë federata, në rolin e organizatorit, por vetë qytetin, qytetarët. Një organizim, gjykoj për t’u imituar, nuk humbasim asgjë, përkundrazi duke gjetur mënyra, forma, për të rikthyer emocionet, vlerat e humbura padrejtësisht për ata njerëz, historinë që kanë shkruar. Për t’u treguar mirënjohës ndaj tyre, një detyrim, domosdoshmëri sa sportive aq edhe humane. Ka ende nostalgji të madhe për ata ish-sportistë, por nuk mjafton vetëm kaq, është shumë pak.

MIRSAD FAZLLAGIÇ: SHQIPËRIA MË DHUROI FINALET E ROMËS
Me këtë shprehje, ish-lojtari, kapiteni i FK Sarajevës, kombëtares së Jugosllavisë, e mbylli bisedën ekskluzive për “Panorama Sport”, gjatë të cilës folëm për gjithçka, sidomos duke iu referuar atyre dy ndeshjeve të 67-tës. “Më pëlqen Shqipëria, pushimet, bashkë me familjen i kaloj në Velipojë”, ishte një tjetër preferencë e tij.

Z. Fazllagiç, si fillim çfarë kujtoni nga ato dy ndeshje?
Ishim në një grup me Gjermaninë dhe Shqipërinë. Futbollin gjerman, si nënkampion bote e njihnim. Ndryshe atë shqiptar, nuk kishim asnjë kontakt, asnjë informacion dhe as ndeshje me klube e përfaqësuese. Nuk i njihnim futbollistët, dinim që kishin barazuar 1-1 me Irlandën e Veriut, pak kohë më parë, duke i eliminuar. Në fushën e tyre ishin të fortë.

E para, është luajtur në Tiranë…
Ne vinim pasi kishim fituar 1-0 me Gjermaninë dhe Shqipëria kishte humbur 6-0 në Dortmund. Në atë periudhë kishim një skuadër shumë të mirë, me lojtarë të talentuar, të fortë fizikisht. Dragan Xhaiç ishte i njohur në Europë. Për ne kishte shumë vlerë rezultati i atij takim. Kujtoj se u sistemuam në një hotel në qendër. Na thanë se në atë stadium Shqipëria kishte fituar kupën Ballkanike, që kanë një trajner shumë të mirë, një ish-futbollist me famë. Emri nuk më kujtohet, por e kam takuar në ndeshjen e dytë në Beograd. Me trajnerin tonë Rajko Mitiç njiheshin, kishin miqësi.

E dinit situatën politike midis dy vendeve?
Po, ishim në dijeni. Këtë e pamë kur mbërritëm në stadium. Ndeshja është zhvilluar në mesditë, ka qenë ditë e nxehtë. U befasuam me atmosferën, plot spektatorë, muzikë. Ne ishim futbollistë profesionistë, pak na interesonte politika. Rëndësi kishte ndeshja. Kemi fituar 2-0, me gola të Slovan Zambatës i Dinamos së Zagrebit. Luante mirë në ajër dhe kujtoj se ka realizuar me kokë. Ju kishit një portier jo shtatlartë dhe kjo ishte një nga arsyet që trajneri Ratko e aktivizoi. Kujtoj edhe një sulmues krahu, i shpejtë, me atë jam përballur. Nuk luajti në Beograd.

Keni qenë kapiten i ekipit në ato ndeshje?
Në Tiranë kapiten ka qenë Meliç, ndërsa në Beograd isha unë. Te Shqipëria kapiten ishte një mesfushor me numër 6, nëse jam i saktë.

Në stërvitjen e një dite para takimit ka një detaj: Në njërën nga portat e stadiumit ishin vendosur dhjetë topa, që simbolizonin numrin e golave që parashikohej të shënonit ju? Kështu është komentuar nga shtypi. E vërtetë, e kujtoni këtë?
Nuk e di, nuk më kujtohet diçka e tillë. Sigurisht që ne donim të fitonim, ishim përgatitur për një rezultat të thellë, pasi edhe golavarazhi kishte rëndësi. Duke menduar se ndeshjen e fundit Gjermania e luante në Tiranë, që normalisht do e fitonte.

Flasim pak edhe për ndeshjen e dytë, si e kujtoni?
Skuadra juaj kishte ndërruar disa lojtarë nga takimi i Tiranës. Luante një portier shtatlartë, një mbrojtës qendre, biond, një sulmues krahu i shpejtë, i fortë fizikisht me të cilin e pata të vështirë, kur vinte në krahun tim. Panon e kujtoj, nuk mungonte.

MAJ 1967, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Jugosllavi 0-2

MAJ 1967, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Jugosllavi 0-2

Ka një gol të diskutuar, e kujtoni?
Në Beograd ka qenë një ndeshje e tensionuar, e vështirë në fushë, por edhe në shkallët ë stadiumit, të mbushur me tifozë shqiptarë, që kanë bërë tifo të madhe për ekipin tuaj. Ne vinim pas humbjes 3-1 në Hamburg, ishte takimi fundit në grup për ne. Më duket se goli i parë i shënuar nga ne në fund të pjesës së parë, u pretendua nëse topi kaloi apo jo vijën e portës. Në të dytën shënuam tre gola të tjerë. Fituam 4-0.

Si e keni pritur takimin Shqipëri-RF Gjermane, atë të dhjetorit ’67? A kishit shpresë?
Shumë pak, pasi Gjermania ishte skuadër me lojtarë të njohur, pra mendonim se do të fitonte. Në renditje ishim ne 6 pikë, ata 4. Një fitore e tyre dhe do të barazoheshim, por ata ishin me golavarazh më të mirë. Ne i kishim përfunduar ndeshjet. Vetëm kur u dha lajmi, sepse ndeshjen nuk e transmetonte televizioni. Ju kanë mohuar edhe një gol, siç u informuam më vonë, apo jo?

Ka një kuriozitet: në dy takimet me Shqipërinë Xhaiç ishte në hije…
Po e vërtetë që Xhaiç nuk shënoi, por edhe te ju Pano nuk realizoi. Ndodh që edhe dy futbollistë të mëdhenj, të mos realizojnë në dy takime të rëndësishme. Në Tiranë, Dragani, luante në krah të majtë, e markonte një mbrojtës, i cili nuk luajti në ndeshjen e kthimit.

Më folët për Panon, si e keni njohur?
Panajot Pano, një emër që e kujtoj edhe sot. Ka qenë futbollisti më i njohur dhe më i mirë shqiptar, apo jo? Na kishin informuar si lojtarin më të rrezikshëm tuajin, e ndaj tij duhej kujdes. Jo shtatlartë, por i shpejtë, driblues, e mbante mirë topin, i fortë, shumë i fortë. E kontrollonte Holcer, por të gjithë ishim të vëmendshëm ndaj tij. Nuk pata rastin të takohem asnjëherë më vonë me të. Jeton? Është mirë me shëndet?.

Jo, z. Mirsad. Pano nuk jeton, ka disa vite që ka ndërruar jetë…
Po më vjen shumë keq. Duhet të ketë qenë i ri, pasi mendoj që jemi moshatarë dhe të një brezi.

Të ftuar në Ulqin janë edhe dy lojtarë shqiptarë, shumë të njohur, një portier dhe një mbrojtës, titullarë të Kombëtares, i takuat?
Po m’i prezantuan, Musta dhe Zmijani. Shumë të këndshëm, të sjellshëm. Me të dytin na lidh roli, një rast i veçantë për mua, kur takohen dy numra 2.

Z.Fazllagiç, jeni takuar më pas me futbollistë shqiptarë?
Ato kanë qenë të parat dhe të fundit si futbollist me përfaqësuesen tuaj. Asnjëherë me klube. Takimin e dytë e kam si drejtues, kur në vitin 1995, nëntor, kam ardhur si shef i kombëtares së Bosnjës, në ndeshjen e parë të saj me Shqipërinë. Takimi u zhvillua në Tiranë. Ne kishim një skuadër të sapokrijuar dhe ju keni fituar 3-0. Në Zenica në kthim, pas disa muajve ajo u mbyll në barazim, një ndeshje që u luajt në një situatë të rëndë për shkak të luftës. Pra, në dy rastet, takimi me futbollin tuaj janë të parat dhe të fundit, si me ish-Jugosllavinë dhe me Bosnjën, sidoqoftë të paharruara për mua dhe historike mendoj.

Z. Mirsad, kanë kaluar shumë vite nga 1967-ta e largët, por shoh që e kujtoni me shumë nostalgji…
Sa herë që rikthehem te ato përballje, e them me zemër “Many thanks to the Albania national team” (Shumë falënderime për ekipin kombëtar shqiptar). Edhe sot, ndonëse kanë kaluar kaq vite, prej Kombëtares tuaj kam kujtimin më të madh në karrierë, pjesëmarrjen në fazën finale të një europiani, si ai i Romës. Falë dhuratës që na bëri ekipi juaj përfaqësues, pas barazimit 0- 0 me Gjermaninë.

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

E DIEL, 14 MAJ 1967, ORA 16:30,
STADIUMI KOMBËTAR “QEMAL STAFA”:
SHQIPËRI-JUGOSLLAVI 0-2 (0-1).
SHQIPËRIA:
Janku, Frashëri, Vaso, A. Mema, Shllaku (kap), Kazanxhi, Rragami, Vorfi, Zhega, Pano, Xhaçka.
Tr. L. Boriçi.
JUGOSLLAVIA: Knezevic, Fazllagic, Rasovic, Holcer, Brnic, Melic (kap), Becejac, Nadoveza, Lamza, Zambata, Xhaic.
Tr. R. Mitic.
ARBITRA: Ksanthullis, Zimbras, Bdkurvas (Qipro).
Spektatorë: 23.170.
Shënues: Zambata ‘22 dhe ’54.

ZORAN SLLAVNIÇ: FAGU, VËRTET I SHKËLQYER. NË TIRANË KEMI VUAJTUR

Ka qenë ndër basketbollistët më të famshëm jo vetëm të Crvena Zvezdës, më pas i Partizanit, por edhe i përfaqësueses të ish-Jugosllavisë, tri herë kampionë Europe, kampion bote dhe fituese e medaljeve olimpike. Të paharruara, Partizani-Zvezda në Kupën e Kampioneve dhe pas një viti ndaj 17 Nëntorit për Kupën e Kupave, të zhvilluara në pallatin e sportit “Partizani”, të ndjekura dhe me një interesim të jashtëzakonshëm.

Sapo u prezantuam dhe në ditët në vazhdim, biseda pati interes, për mua veçanërisht, kur në një çast deklaroi: “Partizani kishte një numër ‘9’, Fagu, një lojtar i mrekullueshëm”. Ndjeva një kënaqësi e madhe kur emri i tij shqiptohej nga një personalitet i madh i basketbollit europian e botëror, si Sllavniç. Me një karrierë brilante, ndër lojtarët “play maker” më të mirë të të gjithë kohërave në Europë, një ndër 50 basketbollistët, me emrin në “Hall of Fame” të FIBA-s. Trajner i shumë klubeve, si dhe ekipit kombëtar.

Kur ka qenë kontakti i parë me basketbollin shqiptar?
Kanë kaluar shumë vite. Ndoshta ajo me përfaqësueset në Universiadën e Torinos, në vitin 1970, një ndeshje të cilën e kemi fituar me shumë vështirësi. Ju kishit një skuadër mjaft të mirë. Ne nuk e njihnim basketbollin shqiptar dhe as lojtarët e tij.

Sllavniç, jeni i njohur në Shqipëri, sidomos nga brezi i atyre viteve…
Faleminderit, po më befasoni. Në Tiranë kam qenë dy herë radhazi, ndaj dy skuadrave të ndryshme. E para ndaj Partizanit në vitin 1972 dhe e dyta, pas një viti përballë një ekipi, që e kam të vështirë, t’ia them, ta kujtoj saktësisht emrin. E Tiranës edhe kjo. Në një pallat sporti, me emrin “Partizani”, me shumë spektatorë, entuziazëm i madh. Kemi fituar me pak pikë.

Zvezda kishte një skuadër shumë të mirë, me ju, Simonoviç Kapiçiç…
Jo vetëm me ta, pasi kam luajtur edhe me Cvetkoviç, Cosiç, Dalipagiç, Kiçanoviç. Në atë edicion me Zvezdën, u shpallëm kampion të Europës, duke mundur në finale Spartakun e Çekosllovakisë. Edhe në atë pasues dolëm në finale të Kupës së Kupave, sërish me start nga Tirana, këtë herë me 17 Nëntorin, e shqiptova mirë? Por, humbëm me një ekip rus.

1972, Pallati i sportit “Partizani”, Agim Fagu protagonist në takimin Partizani- Crvena Zvezda

1972, Pallati i sportit “Partizani”, Agim Fagu protagonist në takimin Partizani- Crvena Zvezda

Nga ato sfida kujtoni ndonjë basketbollist shqiptar?
Në Universiadë, në Torino, e kam parë për herë të parë, me numrin 9. Kishim informacion për të, që ishte dalluar me italianët e Oransodës. Në Beograd, kujtoj se spektatorët e kanë duartrokitur.

Bëhet fjalë për Agim Fagun, që në dy takimet ndaj Zvezdës ka shënuar 20 dhe 21 pikë?
Po Agim Fagu, nëse nuk gaboj, ky emër dhe numri më kujtohen mirë. Për të e kam fjalën. Ndërsa shifrat nuk i mbaj mend, por tani që po më thoni ju mundet. Xhorxheviç, trajneri ynë më caktoi mua të luaja ndaj tij. Të dy ishim në rolin e “play maker-it”, por ndryshe nga unë, ai gjuante në çdo pozicion, kishte saktësi, lëvizte shumë dhe e gjithë loja e skuadrës tuaj përqendrohej tek ai.

1973, Pallati i sportit “Partizani”, çaste nga takimi, 17 Nëntori-Crvena Zvezda

1973, Pallati i sportit “Partizani”, çaste nga takimi, 17 Nëntori-Crvena Zvezda

Kam një tjetër fakt kurioz z. Sllavniç: Edhe një tjetër basketbollist shqiptar, Kasmi i 17 Nëntorit, ka shënuar 28 pikë ndaj Zvezdës….
Në Tiranë, ka qenë një lojtar qendre, emri, numri nuk më kujtohet, ndoshta është ky që thoni ju. Skuadra luante shpejt, kishte koncept të lojës, por ishte shtatlartësia që bënte diferencën, si dhe kualiteti, eksperienca e basketbollistëve tanë. Ajo që kujtoj mirë është, kur jemi informuar, se sportistët shqiptarë nuk ishin profesionistë, por klube amatore, na ka befasuar. Si mundet të luaje aq mirë në ato nivele pa qenë i tillë?

Sllavniç, me Fagun jeni takuar edhe më vonë, por jo në parket, e vërtetë?
Po, vite më vonë, në avion. Unë po udhëtoja bashkë me skuadrën e të rinjve, isha trajner, dhe në avion kam parë Fagun. Ja kam prezantuar lojtarëve të mi, si një ndër basketbollistët më të famshëm shqiptarë. Nëse e takoni, pasi më thatë se e keni mik, mos harroni ta përshëndesni nga unë: “All the best Mr.Fagu!”

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

E ENJTE, 9 DHJETOR 1972,
NË PALLATIN E SPORTIT “PARTIZANI”,
PARTIZANI- C.ZVEZDA 83-94(37-40).
PARTIZANI: Fagu 21, Zaçe 17, Papavangjeli 16, Mushi 14, Pali 13, Dheri 2. U aktivizuan edhe Bekteshi, Përmeti, Pëllumbi, Moja, Boshnjaku.
Trajner: A. Greva.
C. ZVEZDA: Kapiçiç 31, Simonoviç 25, Vuçiniç 12, Rakosheviç 10, Sarjanoviç 7, Sllavniç 3, Lazareviç 2, Latifiç 2, Pajoviç 2.
Tr. Xhorxheviç.
Arbitra: Ceresmnjes (Hun), Negulesku (Rum).
SPEKTATORË: 3.500
(Dolën me 5 gabime personale: Pali ‘24, Dheri ’27, Zaçe 37’.

E MARTË 7 NËNTOR 1973,
PALLATI I SPORTIT “PARTIZANI”.
“17 NËNTORI”- “CRVENA ZVEZDA” 83-99 (45-55).
17 NËNTORI: Kasmi 28, Koleka 21, Lëvonja 8, Avrami 8, Topalli 6, Vorfa 8, Shkurti 4.
Trajner: B. Shehu.
CRVENA ZVEZDA: Sllavniç 13, Simonoviç 24, Kapiçiç 23, Vuçiniç 12, Sarjanoviç 10, Lazaroviç 11, Rakosheviç 2, Zugiç 2, Jovasoviç 2.
Trajner: Xhorxhevic.
ARBITRA: Aldea (Rum), dhe Kabert (Çekosllovaki).
Ndeshja e dytë, Crvena Zvezda-17 Nëntori 114-70

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"