Takim mes drejtuesve për sezonin e ri, zbulohet plani për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 18:36

Takim mes drejtuesve për sezonin e ri, zbulohet plani për Elbasanin

Pritet që Elbasani i ri të mësohet pas datës 15 gusht. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit elbasanas pohojnë se pikërisht në këtë datë është programuar një mbledhje midis drejtuesve të klubit, për të nisur edhe organizimin e sezonit të ri futbollistik. Me sa duket, kjo situatë e nderë, që ka përjetuar klubi elbasanas që pas rënies në Kategorinë e Dytë, do të marrë fund në mesin e muajit gusht, ose të paktën kështu shpresohet.

Elbasani

Pas kësaj date pritet të mësohet diçka më shumë edhe për sa i përket merkatos që do të bëhet, nëse do të afrohen futbollistë që do të mundësojnë ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë apo thjesht do të bëhet një skuadër sa për të marrë pjesë në kampionat. Gjasat janë që të bëhet e pamundura për të pasur një Elbasan pretendent në këtë kategori, sepse dy vite në Kategorinë e Dytë do të ishte vërtet shumë, për të mos thënë turp, për një skuadër që ka qenë dy herë kampione e vendit.

SITUATA

Në fakt, verdheblutë prekën fundin gjatë sezonit që sapo lamë pas, teksa ranë në Kategorinë e Dytë. Mirëpo, kjo ishte e keqja më e vogël, pasi për rreth tre muaj me radhë në klub “ngriu” gjithçka dhe asgjë nuk po bëhej për të ringritur skuadrën. Ky 3-mujor mund të konsiderohet si një nga më të vështirët në kampin elbasanas, pasi nuk është bërë asgjë për të rimëkëmbur skuadrën.

Deri më datën 15 gusht, sigurisht, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë para kësaj date, situata do të vijojë të jetë e “ngrirë”. Tifozët dhe të gjithë në qytetin e Elbasanit presin zhvillime pozitive dhe një “shkrirje” të situatës, e cila ka preokupuar pothuajse të gjithë sportdashësit e kësaj skuadre. Edhe për sa i përket stërvitjes, pritet të nisë pas kësaj date, ndonëse mungon një konfirmim zyrtar nga ana e klubit elbasanas.

KRIZA

Elbasani preku pikën më të dobët në historinë e vet si klub, ku në fund të kampionatit të kaluar ra në Kategorinë e Dytë. Por, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, është fakti që ende nuk dihet se kush do të drejtojë klubin. Aksionet janë shitur te kompania angleze “Mançester Group”, por këta të fundit nuk janë shfaqur në klub. Gjithashtu, edhe financat janë një pjesë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës dhe mbetet për t’u parë se kush do t’i garantojë për sezonin e ri.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"