Tafili: Shënoj dhe i laj borxhin Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2015 | 16:19

Tafili: Shënoj dhe i laj borxhin Partizanit

tafiliNjë vit më parë, goli i Alsid Tafilit me fanellën e Vllaznisë i ka djegur shumë Partizanit, pasi i dha goditjen e parë për mosrealizimin e objektivit madhor.

Tani mesfushori është i gatshëm që të nderojë “demat” dhe dëshira e tij është që të shënojë ndaj ekipit të vendlindjes. Sipas Tafilit, ky është viti i Partizanit dhe si rival direkt shikon vetëm Skënderbeun.

28-vjeçari pohon se të dielën të kuqtë do të zbresin në fushë vetëm për fitore.

Alsid, prej disa javësh jeni bërë pjesë e Partizanit. Jeni i kënaqur me zgjedhjen që keni bërë?

Mendoj se gjatë merkatos së verës kam bërë zgjedhjen e duhur dhe jo më kot që në fillim kam deklaruar se kur edhi puna për të kaluar te Partizani, nuk u mendova dy herë. Më pëlqen ambienti, kushtet dhe profesionalizmi që kam gjetur. Në përgjithësi, jam shumë i kënaqur dhe tani pres që të kem më shumë hapë- sira aktivizimi nga trajneri. Java e tretë ju vë përballë ish-skuadrës së vendlindjes.

Çfarë do të thotë për ju që të përballeni ndaj Vllaznisë si pjesë e të kuqve?

Ndaj Vllaznisë, do të jetë një ndeshje e veçantë dhe emocionuese për mua. Por në këto ndeshje vendos profesionalizmi dhe do të jam maksimumin për fanellën që mbaj veshur duke e harruar për 90 minuta ndjesinë që kam për skuadrën e vendlindjes. Është një ndeshje e veçantë, pasi pjesa dërrmuese e stafit dhe lojtarëve janë miq të mi dhe aty kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës sime. Në sezonin e shkuar, me golin që i shënuat Partizanit në fazën e dytë, ndikuat në largimin e të kuqve nga titulli.

Mendoni se të dielën mund t’i ktheni reston “demave” duke shënuar në portën shkodrane?

Vjet isha pjesë e Vllaznisë dhe sivjet luaj për Partizanin. Kështu që kësaj radhe do të mundohem të shënoj për fanellën e kuqe. Por edhe po nuk shënova unë, rëndësi ka marrja e trepikëshit nga ana e Partizanit. Dëshira është që të shënoj dhe ta nderoj Partizanin në këtë takim. Nëse kjo ndodh, në shenjë respekti për skuadrën e vendlindjes, nuk do të festoj. Gjithsesi, fitorja e skuadrës do të jetë ajo që do të na shijojë më shumë në takimin e radhës me Vllazninë.

Me sa duket, kësaj radhe, Partizani do të bazohet te dyshja shkodrane, Tafili-Sukaj…

Partizani nuk do të mbështetet kësaj radhe vetëm tek unë dhe Sukaj, si shkodranë që jemi, por do të besojë si në ndeshjet e tjera, duke u bazuar te forca e grupit. Aktualisht, ne jemi të fokusuar tek e tashmja dhe jo tek e kaluara jonë futbollistike.

Cili është mendimi juaj për Vllazninë e këtij sezoni?

E kam ndjekur situatën aktuale te Vllaznia dhe problemet e shkaqet që gëzon ende më detyruan të largohem nga Shkodra. Menaxhimi, financat jo të mëdha nga bashkia e shumë gjëra të tjera kanë ndikuar në situatën që po kalon skuadra shkodrane prej kohësh. Për momentin, edhe ekipi nuk është në gjendjen e duhur, pasi ka pasur shumë hyrje-dalje lojtarësh dhe grupi aktual ende nuk është harmonizuar. Ne si ish-lojtarë të Vllaznisë nuk kemi gjë në dorë për të ndryshuar situatën, janë drejtuesit ata që kanë vendimmarrjen. Shpresoj që situata të ndryshojë dhe Vllaznia të kthehet në vendin që i takon.

A është fitorja synimi juaj i vetëm si ekip ndaj kuqebluve?

Jo vetëm në këtë përballje me kuqeblutë, por në çdo takim Partizani hyn për të fituar. Një ekip që synon trofetë, nuk ka rrugë tjetër përveç fitores. Kështu që ndaj Vllaznisë do të luajmë për tri pikë, pasi vetëm kështu mund të marshojmë drejt realizimit të objektivave.

 Përmendët objektivat, sa shanse ka ky Partizan për të dalë kampion?

Ky është viti i Partizanit dhe kam besim se në fund do të realizohen objektivat dhe dëshirat e drejtuesve dhe vetë tifozëve. Presidenti Demi po i ofron më të mirën e mundshme ekipit, në mënyrë që të shkojmë drejt rrugës së suksesit. Skuadra është e kompletuar dhe tani na del për detyrë neve lojtarëve që të japim kontributin maksimal. Pra, duhet të përligjim besimin dhe investimin e drejtuesve. Kjo gjë arrihet duke i marrë ndeshjet një e nga një dhe me përqendrimin e duhur.

Cilin ekip shikon si rival direkt për titull?

Me çfarë kemi parë deri tani, kam përshtypjen se vetëm Skënderbeu është rivali direkt i Partizanit për kampion. Kështu që çështjen e titullit e shikoj mes këtyre dy ekipeve. Ndërsa skuadrat e tjera që kanë pretendime i shikoj në pozita të barabarta, por jo në stadin e Partizanit dhe Skënderbeut. Laçi edhe këtë vit do të ruajë atë statusin e tij, si një skuadër që u prish punë të tjerëve, duke mos e bërë hapin e madh drejt titullit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"