Superiorja zbret sot në fushë, por për të protestuar. Bojkoti kthehet në kosto për klubet dhe FSHF-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 11:51

Superiorja zbret sot në fushë, por për të protestuar. Bojkoti kthehet në kosto për klubet dhe FSHF-në

Kategoria Superiore nuk tërhiqet, bojkoti do të vazhdojë. Skuadrat do të zbresin sot në orën 16:00 në fushë, por vetëm në formë simbolike. Futboll nuk do të ketë as këtë javë, ndonëse ishte parashikuar që kampionati elitar të startonte më 12 shtator. Pas një mbledhje që 10 klubet kanë zhvilluar pak ditë më parë, është rënë dakord që sot të vijohet sikur të jetë java e dytë.
superiore
Referuar këtij kalendari, në pesë fusha parashikohej që të luheshin Tirana-Teuta (“Selman Stërmasi”), Laçi-Kastrioti (Laç), Apolonia-Bylis (Fier), Skënderbeu-Vllaznia (Korçë) dhe Kukësi-Partizani (Elbasan). E megjithatë, ekipet do të dalin në fushë vetëm për protestë. Kapitenët e secilës do të lexojnë një letër, ku do shprehin vullnetin e Ligës Profesioniste për të vazhduar bojkotin deri në plotësimin e kërkesave nga qeveria.

Më pas kur të arrihet një marrëveshje, kampionati do të rinisë me javën e parë, duke respektuar në këtë mënyrë kalendarin. Kjo protestë pritet që të ketë kosto për klubet apo FSHF-në. Skuadrave do u duhet të marrin rrugën sikur do të luanin një transfertë në kushte normale dhe ajo që do ta ndiejë më shumë ndoshta është Vllaznia, që udhëton sot deri në Korçë. Nëse do të zbatohet protokolli, logjikisht federatës do i duhet që të paguajë gjyqtarët dhe zyrtarët e 5 ndeshjeve dhe me një llogari të thjeshtë fatura shkon në afro 12.5 milionë lekë të vjetër.

Edhe pse skuadrat do të zbarkojnë formalisht në terrenet e 5 stadiumeve shqiptare, në kushte të tjera duhet të kenë kryer edhe federimet e futbollistëve. Gjë që duket e vështirë të jetë bërë, në një kohë që edhe merkatoja e verës mbyllet më 2 tetor.

kategoria superiore

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"