Kukësi kap kreun, Laci mund kuqeblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2014 | 17:00

Kukësi kap kreun, Laci mund kuqeblutë

Kukesi-Teuta 1-0, festohet goli i PejicitPas javës së shtatë të Superiores kemi në krye një skuadër të vetme, për herë të parë. Kukësi i Artim Shaqirit ka lënë pas të tjerët, duke i parë nga lart, në kuotën e 13 pikëve, një më shumë se treshja që ecën me të njëjtin hap: Tirana-Partizani-Flamurtari. Po ashtu, skuadra verilindore ka në gjirin e saj golashënuesin më të mirë për momentin, kroatin Pero Pejic, me 4 gola, mbajtësi i “Këpucës së Artë” në fuqi. Ka qenë pikërisht Pejic, ai që i ka dhënë tri pikë tepër të cmuara skuadrës së tij, e cila ka vuajtur në “Zeqir Ymeri” ndaj Teutës. Durrsakët janë paraqitur në mënyrë dinjitoze në këtë transfertë dhe ua kanë vështirësuar dukshëm punët nënkampionëve të vendit. Dhe kur Kukësi vuan, del në pah një goleador i spikatur në kampionatin shqiptar, me disa skuadra, si Pero Pejic.
Laci shpërthen me tre gola, duke mundur dhe parakaluar në renditje kuqeblutë e Rainerit. Kurbinasit kanë tashmë 10 pikë dhe shikojnë nga kreu. Dygolëshi i Xhejms dhe rrjeta e malazezit Cetkovic nga penalltia kanë bërë diferencën e pastër rezultative, ndërkohë që Vllaznia ka zhvilluar një lojë të mire, përgjithësisht. Nëse nuk ka shënuar, kjo për meritë të portierit Vujadinovic, por edhe mefshtësi të repartit ofrensiv kuqeblu. Ndalet kësisoji skuadra shkodrane, që kishte konsumuar disa suksese radhazi në javët pararendëse.
Fusha e Pogradecit ka rezultuar fatlume për Elbasanin. Skuadra verdheblu prish më së fundi “magjinë” dhe kuotën “zero” të pikëve në klasifikim. Fitorja 2-0 ndaj Apolonisë, në një duel debutuesish në superiore,  ka sjellë tri pikët e para për skuadrën e Dostit në javën e shtatë të kampionatit. Transferta, edhe pse luhej në një fushë asnjanëse në fakt, mbetet një nga pikat më të dobëta të fierakëve. Ata nuk e dinë se c’është pika kur luajnë jashtë “Loni Papuciut”, cka do të thotë se do ta kenë të vështirë në këtë mënyrë t’i largohen zonës së rrezikut.


Superiorja, java e 7-të

05.10.2014
LAÇI – VLLAZNIA   3-0
Golat: Xhejms 17′, 90+1′, Cetkovic 85′ (pen)
Gjyqtar: Kreshnik Cjapi


KUKËSI – TEUTA   1-0
Golat: Pejic 65′
Gjyqtar: Laver Alla

ELBASANI – APOLONIA  2-0
Golat: Cota 45′, Musta 84′
Gjyqtar: Lorenc Jemini

04.10.2014
SKËNDERBEU – TIRANA    0-0
Gjyqtarë: K.Meta, R.Cokaj, D.Rexha

PARTIZANI – FLAMURTARI   0-0
Gjyqtarë: A.Koci, F.Lamaj, E.Velo

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"