Partizani pëson 3 gola, shthuret në Korçë. Bardheblutë dhe Kukësi bashkëkryesojnë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 8, 2014 | 13:55

Partizani pëson 3 gola, shthuret në Korçë. Bardheblutë dhe Kukësi bashkëkryesojnë

IMG_223105365604720Pas 9 javë kampionat radhazi pa pësuar gol (dhe humbje) vjen edhe ndërprerja e këtij rekordi për të kuqtë e Shpëtim Duros. Dopieta e brazilianit të Skënderbeut, Diego Martins, dhe “vula” e Fatjon Sefës “in extremis”, një dedikim tepër njerëzor për Alban Hoxhën, portierin e të kuqve që mungoi në Korçë, për shkak të problemit serioz shëndetësor që po kalon bashkëshortja e tij pas lindjes së djalit, i jep fund pathyeshmërisë së mbrojtjes së Partizanit prej 30 gushtit, kur mundej për herë të parë në këtë kampionat në Fier. Në Korcë, skuadra e Shpëtim Duros shthuret jo vetëm se pësoi më shumë gola se në 11 javët e kaluara të kampionatit, por e mbylli lojën me 9 lojtarë në fushë, pas daljes me kartonë të kuq të Xhikës dhe Fejzullahut. Fitorja u takon kampionëve të vendit në fuqi, që përballë një rivali direkt janë shfaqur tepër agresivë, kanë luajtur tërë kohës në sulm dhe janë shpërblyer. Me nga një gol në secilën pjesë loje, juglindoprët i kanë kënaqur tifozët e tyre, të rikthyer në stadium kësaj here në numër të shumtë, duke shtuar njëkohësisht edhe tri pikë të tjera të cmuara në llogarinë e vet. Pas javës së 12-të, korcarët barazohen me pikë me Partizanin, nga 25 të tilla, dhe vihen në ndjekje të bardhebluve kryesues, me një pikë më shumë. Sikurse thamë edhe më lart, Skënderbeu ka qenë dominues në lojën e zhvilluar, tepër këmbëngulës. Përballë një kundërshtari që mendon më shumë të mbrohet, me deficite të dukshme në planin ofensiv, kuqebardhët janë zotër të tapetit të blertë. Në fakt, peshorja nis të anojë dukshëm nga vendësit që në minutën e 29-të, kur kryesori Laver Alla ndëshkon me karton të kuq portierin e Partizanit, Xhika. Nga ky moment, kryeqytetasit janë të detyruar të luajnë me një lojtar më pak, duke ia bërë më të lehtë misionin skuadrës së Josës. Pra, në minutën e 29-të, Skënderbeu fiton penallti, të cilën e merr përsipër ta gjuajë kapiteni Bledi Shkëmbi. I sapofuturi në lojë në vend të Nexhipit, që zë vendin e Xhikës në kuadartin e kuq, Gjonikaj, pret goditjen e numrit 10 të vendësve (penalltia erdhi si pasojë e ndërhyrjes së gabuar të Xhikës, i cili i ndalon Olyanikën dhe si lojtar i fundit merr të kuqen. Me të kuqe largohet edhe Fejzullau në minutën e 82-të, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Berishës). Vrapi bën gabim amatoreskt në kthimin e topit, duke e detyruar portierin e vet të shkaktojë 11-metërsh. Partizani mbetet me një lojtar më pak, ndërkohë që një minutë pas penalltisë, topi vjen nga goditja e këndit dhe Martins godet e shënon. Kurorëzohen kësisoji sulmet e panumërta të korcarëve, që e kanë detyruar kundërshtarin që në fillim të ngjeshet në gjysmëfushën e vet. Në rastin e daljes me të kuqe të portierit Xhika, Duro bën një zëvendësim të detyruar. Kapiteni Nexhipi lë lojën për Gjonikajn dhe kësisoji të kuqtë humbasin dirigjimin e fantazinë në ndërtimin e aksioneve. Edhe pjesa e dytë nuk sjell ndonjë ndryshim për mirë te “demat”, edhe pse Duro bën zëvendësime për ta spostuar skuadrën më përpara. Goditjet nga distanca dhe pozicionet standarde janë “menuja” e vetme e Partizanit, por që nuk sjell rezultat. Korcarët nuk e ulin aspak ritmin, edhe pse janë në epërsi, duke kërkuar të dyfishojnë rezultatin dhe mbyllur gjithcka në favor të vet. Në minutën e 72-të është sërish braziliani Martins, ai që përfiton nga vendosja e gabuar e mbrojtjes kundërshtare dhe e dërgon për herë të dytë në rrjetën e Gjonikajt topin. Shuhen kësisoji shpresat e pakta të Partizanit për të marrë të paktën një barazim në këtë transfertë. Në minutën e 82-të akordohet edhe kartoni i dytë i kuq për “demat”. Konkretisht, Fejzullahu “skuqet” pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Berishës, duke përmbledhur një 90-minutësh tepër konfuz të të tijve. Goli i Fatjon Sefës në minutën e fundit të kohës së rregullt vetëm sa i jep të tjera përmasa fitores së Skënderbeut, që kthen me këmbë në tokë Shpëtim Duroin dhe të tijtë, të cilët jo vetëm janë thyer pas disa javësh, por kanë pësuar më shumë gola se në 11 javë kampionat.

Duro takohet me Hoxhen ne spitalDURO: 6 ARBITRA KUNDER 9 LOJTAREVE
Trajneri i Partizanit ka akuzuar gjyqtarët e ndeshjes në Korçë, si shkaktarë të humbjes së të tijve, edhe pse bëhet fjalë për një disfatë bindëse prej tre golash. “Ndeshja e sotme ishte një përballje midis dy ekipeve që synojnë kreun e klasifikimit dhe duhej drejtuar nga gjyqtarë me stemën e FIFA-s. Ky aspekt nuk duhej anashkaluar aspak. Habitem se si këto episode nuk u panë nga asnjë prej gjashtë arbitrave në fushë. Për sa i përket lojës, u munduam të merrnim maksimumin ndaj një kundërshtari të fortë si Skënderbeu. Edhe më parë kam deklaruar që kjo ndeshje i ka të tria rezultatet brenda. Dalja e lojtarit të dytë me karton të kuq e çoi rrjedhën e lojës përfundimisht në favor të kundërshtarit. Nuk ka vend për pesimizëm, duke parë që dhe kampionati është i gjatë. E sigurt është që Partizani do të luftojë deri në fund për kreun e renditjes.”

Laver Alla takohet me ShkembinPartizani shpall “non grata” Laver Allën
Klubi konteston me forcë gjykimin e Laver Allës në ndeshjen e javës së 12-të Skënderbeu-Partizani, e përfunduar me rezultatin 3-0. Kryesori nga Lushnja së bashku me 5 asistentët e tij kanë rezultuar të njëanshëm dhe aspak profesionistë në vendimet e tyre të marra përgjatë sfidës së luajtur në Korçë. Klubi konfirmon se do t’i drejtohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit që gjyqtari Laver Alla të mos drejtojë më asnjë ndeshje të Partizanit përgjatë këtij sezoni futbollistik. Askush nuk mund të nëpërkëmbë dinjitetin, investimet , objektivat dhe tifozerinë e këtij klubi me histori dhe trofe.

Takaj“Jemi në formë, e dinim se do të fitonim”
Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, është ndier i kënaqur nga fitorja e skuadrës ndaj Partizanit. Sipas tij, Skënderbeu e meritoi fitoren, i cili po rritet nga java në javë. “Ekipi ka ardhur në ngritje dhe e dinim që do ta fitonim këtë ndeshje, pasi ishim në formë shumë të mirë. Jemi kampionët e Shqipërisë dhe tani jemi në rrugën e duhur. Loja tregoi që e merituam fitoren. Skënderbeu aty ka qenë edhe në javën e shtatë dhe tani. Thjesht na ka munguar fati dhe s’kemi arritur të fitojmë. Tani fokusohemi te ndeshja e radhës. Do të ecim në rrugën tonë dhe do të kërkojmë vazhdimësinë e ndeshjeve të fundit. Kemi dominuar me lojë përballë çdo ekipi, vetëm fati na ka munguar. Pikërisht mund të them se i trembemi vetëm fatit dhe askujt tjetër. Të tjerët na tremben ne dhe kanë frikë nga Skënderbeu. Sado që ne kemi bërë hapa falsë, ata gjithmonë na e kanë pasur frikën. Skënderbeu është në ditët e mira dhe po ecim me hapa të mirë. Më pëlqeu grinta e ekipit dhe dëshira për ta fituar këtë takim. Grupi funksionoi mirë dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Takaj.

Tirana-Vllaznia 1-0, Taku ne dyluftim me kundershtarinTaku i jep fitoren dhe kreun Tiranës
Tirana ka qenë tërë kohës dominuese e ndeshjes me Vllazninë. Në një stadium të zbrazët, megjithatë, mungonte atmosfera për t’i karikuar futbollistët si për një klasike të futbollit shqiptar. Kuqeblutë e Rainerit ia dalin të organizohen e mbrohen mirë në pjesën e parë, por fare pak kujtohen për të ngacmuar portën e Frashërit. Dyshja Soza-Kruja nuk koordinohen mirë mes tyre, megjithatë pak furnizohen me topa. Reparti ofensiv i shkodranëve mbetet i distancuar nga pjesa tjetër e skuadrës, kështu që topat e gjatë nuk vlejnë shumë. Te bardheblutë mungon Debatik Curri nga fillimi, kështu që dyshja e qendrës së mbrojtjes “arnohet” nga Magani. Ervin Bulku vijon të luajë në rolin e qendërmbrojtësit, ndërkohë që përkrtah tij është Alban Muca. Ata janë të pakalueshëm, ndërsa dy lojtarët e krahut, Kërciku dhe Kalari, shndërohen në “pistonë” tepër të lëvizshëm, gjithnjë në ndihmë të sulmit. Karabeci filtron aksionet e të tijve, duke i shpërndarëe topat sa në njërin krah, në tjetrin; ndërsa Morina dhe Bushic kanë për detyrë ta shtyjnë topin në rrjetë. Përpjekjet janë të shumta, por goli do të dilte në dritë në minutën e 64-t. Ish-lojtari i Vllaznisë, kroati Bushic, asiston bukur për Takun dhe ky i fundit zhbllokon shifrat e kurorëzon epërsinë territoriale e të zotërimit të topit nga bardheblutë. Clirohet Tirana, që duke ditur edhe disfatën e të kuqve në Korcë, bënë gjithcka për të mos dështuar ndaj kuqebluve. Dhe ia dolën, duke marrë tri pikë të cmuara, të cilat mjaftojnë për të kryesuar të vetëm pas javës së 12-të, me 25 pikë. 24 herë kampionët e vendit parakalojnë kësisoji “demat e kuq”, që kanë një pikë më pak, aq sa edhe Skënderbeu. Skuadra e Joës duke mundur Partizanin rikuperoi distancën prej tri pikësh që kishte me ta dhe tani e sheh veten në start të njëjtë për javët në vazhdim me të kuqtë.

Taku“Heroi” Taku: Goli, për familjen dhe tifozët
Ishte “heroi” i ndeshjes dhe për këtë është pa dyshim i lumtur. Afrim Taku, në përfundim të ndeshjes, ia dedikoi këtë gol familjes së tij, si dhe tifozëve. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe e luftuar shumë nga të dyja skuadrat. Hasëm shumë vështirësi për të gjetur rrugën e golit dhe jam i kënaqur që në fund fituam. Kampionati është shumë i gjatë dhe ka shumë përballje ende për t’u luajtur, ndërsa synimi ynë është që të marrim sa më shumë fitore dhe të mos e lëshojmë më kreun e klasifikimit. Por, për momentin, duam ta shijojmë këtë sukses të arritur ndaj Vllaznisë. Golin ia dedikoj familjes, së fejuarës sime, gjithë ekipit dhe tifozëve tanë të mrekullueshëm. Mund të them se fansat e Tiranës janë tifozët më të mirë në kampionatin tonë dhe na mungojnë shumë. Janë forca jonë dhe do të jenë gjithnjë”, tha Taku.

Teuta-ElbasaniElbasani surprizon në Durrës, mund Teutën
Që nga java e 7-të, Elbasani nuk fitonte dot, edhe pse kishte ardhur në rritje loja e tij javët e fundit. Më 5 tetor mundte Apoloninë me rezultatin 2-0, ndërkohë që për të mbërritur suksesi i radhës, me të njëjtat shifra, duhej të vinte 8 nëntori. Cota dhe Lamcja me golat e tyre, nga një në secilën pjesë, i kanë dhënë skuadrës së Muharrem Dostit një trepikësh shpresëdhënës për të ardhmen, edhe pse nuk pritej edhe nga më optimisti. Megjithatë, vendi i fundit është sërish “pronë” e Elbasanit, që tashmë ka 6 pikë, një më pak se Apolonia. Verdheblutë kanë gjetur rrugën e golit, po ashtu, pas pesë javësh agjërim, pikërisht në Durrës. Mirel Cota, një ish-lojtar i Teutës, i ka ndëshkuar për herë të parë të besuarit e Hasan Likës kur nuk pritej, në minutën e 11-të. Një mosmarrëveshje mes mbrojtësit Hoxha dhe portierit Rizvani për zotërimin e topit është shfrytëzuar nga sulmuesi verdheblu, që ka zgjatur këmbën dhe e ka drejtuar “sferën” në rrjetën e vendësve. Reagimi i “djemve të detit” ka qenë evident, por u ka munguar finalizimi. Edhe pse e kanë spostuar lojën në gjysmëfushën kundërshtare, durrsakët kanë dështuar t’i barazojnë shifrat në pjesën e parë. Në fakt, topi e ka prekur rrjetën e Kotorrit pas goditjes së dënimit nga Krsniqi, por anësori ka anuluar gjithcka për pozicion jashtë loje.
Pjesa e dytë ka qenë një dialog i gjatë mes sulmeve të pafundme të durrsakëve dhe mbrojtjes së saktë mike. Trajneri Lika ka bërë zëvendësime duke shtuar numrin e sulmuesve në fushë, por zhbilancimi drejt ofensivës i ka kushtuar golin e dytë. Ka qenë Lamcja, ai që ka dyfishuar shifrat në minutën e 82-të, duke i shkaktuar Teutës një humbje të papritur dhe tronditëse.

Elbasani-Laci 0-2. Vujadinovic pertoke, debat me CotaMirel Çota, gol me dedikim
Teuta u ndëshkua nga ish-sulmuesi i saj, Mirel Çota. Në një bisedë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Elbasanit u shpreh sa i lumtur për golin e shënuar, por aq dhe i hidhëruar për faktin se i realizoi ish-skuadrës së tij. “Sa për golin ndihem sa i lumtur aq dhe i hidhëruar. Jam i lumtur se bëra detyrën time duke shënuar. Por, nga ana tjetër, ndihem keq, për shkak se shënova kundër ish-skuadrës, ku kam kaluar disa sezone. Golin ia dedikoj xhaxhait tim Besnik Çotës, i cili ndodhet në spital, si pasojë e një sëmundjeje”. Më tej ai thotë: “Sigurisht që fitorja më lumturon. Luajtëm mirë dhe arritëm të merrnim një trepikësh me shumë vlera. Kishim ardhur në Durrës për të bërë një paraqitje dinjitoize dhe fitorja është shumë për ne. Shpresoj të vazhdojmë kështu, për të mbijetuar në elitë”.
Kukesi-Laci para ndeshjesKukësi fiton minimalisht, bashkëkryeson me Tiranën
Kukësi i falet një goli në ndeshjen ndaj Lacit, nuk shkëlqen, por merr tri pikët e radhës në kampionat. Me këtë rezultat pozitiv në “Zeqir Ymeri”, skuadra e Artim Shaqirit barazohet me pikë me Tiranën, duke bashkëkryesuar Superioren. Si dhe në të shkuarën e ballafaqimeve mes këtyre dy skuadrave, loja ka qenë e fortë dhe diferenca është bërë nga një gol i vetëm. Në minutën e 77-të, kosovari Lushtaku ka devijuar mrekullisht me roveshiatë goditjen me kokë nga Shameti, duke mashtruar portierin kurbinas, Vujadinovic, dhe zhbllokuar shifrat. Duhet thënë se kuksianët kanë dominuar në fushë dhe me rastet e krijuara e kanë merituar fitoren. Bardhezinjtë e Cungut, që rikthehej në Kukës si kundërshtar për herë të parë pasi bëri histori në Ligën e Europës me verilindorët, janë paraqitur komkpaktë në pjesën e parë. Me anë të kundërsulmit, Laci ka sjelle rrezik në portën e Halilajt, por ky i fundit është treguar në lartësinë e duhur. Sidomos në një rast, kur ka pasur përballë Cetkovic, portieri vlonjat ka evituar golin e sigurtë. Me kalimin e minutave ka ardhur në rritje presioni i vendësve, që kanë kërkuar golin me ngulm. Prapavija kurbinase ia ka dalë të neutralizojë golashënuesin më të mirë të Superiores, Pero Pejic, por e ka pësuar nga Lushtaku, që me zgjuarsi ka ditur të devijojë një top e t’u japë 3 pikët të tijve. Laci vijon me humbje, duke u distancuar tashmë nga kreu, ndërsa Kukësi ka 25 pikë dhe kryeson bashkë me bardheblutë.

 

MuzakaApolonia e Flamurtari, barazim në derbin e fqinjëve
Ndeshje e zjarrtë dhe plot emocione është luajtur në stadiumin e Fierit. Një derbi fqinjësh, që ka prodhuar luftë të fortë sportive dhe antagonizëm pa fund, në ndonjë rast edhe tension, deri në tribunën VIP, por gjithcka është mbajtur nën kontroll nga policia. Dy tifozëritë kanë qenë të shumta në numër, duke i dhënë më tepër bukuri e adrenalinë këtij ballafaqimi, që në përfundim të 90 minutave ka regjistruar barazimin 1-1. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë nga Vlora, në minutën e 34-t, kur Muzaka, i asistuar mrekullisht nga Vucaj, zhbllokon shifrat. Goli shoqërohet me një tension të pakuptueshëm mes lojtarëve, cka i kushton gjeorgjianit të Flamurtarit, Gelashvili, kartonin e kuq. Pra, sulmuesi në fjalë e lë me dhjetë lojtarë në fushë për pjesën e mbetur të ndeshjes skuadrën mike. Trajneri italian, Ramela, që debuton në stolin kuqezi, bën lëvizjen e menjëhershme, duke shtuar në repartin ofensiv Abilaliajn në kurriz të një mesfushori, si Gilman Lika. Apolonia nuk pajtohet me disavantazhin, ndaj nuk rresht së sulmuari drejt portës së Xhelilajt. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për Flamurtarin. 45 minutat e dyta janë sërish të ethshme, me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat. Kuqezinjtë mendojnë të mbrojnë golin e Muzakës, ndaj janë paksa të tërhequr, duke synuar ta ndëshkojnë sërish Apoloninë me kundërsulm. Por, me një forcë më pak në fushë, vlonjatët e kanë të vështirë ta mbajnë të paprekur portën e tyre. Hutimi i prapavijës kuqezi në një moment të vetëm i jep mundësinë Erkocevic, i futur në lojë si zëvendësues, të shënojë e të barazojë shifrat në minutën e 66-të. Këtu ndizet më tej ndeshja, sepse të dyja skuadrat bëjnë cmos për t’i rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës. Fierakët janë më ngulmues, por e kanë të pamundur të superojnë bllokadën vlonjate, e cila ndërtohet e dendur para portierit Xhelili. Kësisoji, mbyllet me nga një pikë për secilën skuadër kjo sfidë përmbyllëse e javës së 12-të. Flamurtari mbetet në vendin e 6-të, me 15 pikë, një më pak se Laci, ndërsa Apolonia e parafundit, me 8 pikë, aq sa edhe kuqeblutë e Shkodrës.


Java e 12-të, Kategoria Superiore

09.11.2014
APOLONIA-FLAMURTARI  1-1
Golat: Erkocevic 66′ / Muzaka 34′
Gjyqtarë: A.Koci, F.Lamaj, E.Velo

KUKËSI-LAÇI    1-0
Golat: Lushtaku 77′
Gjyqtarë: E.Jorgji, R.Cokaj, E.Ganxhi


08.11.2014

TIRANA-VLLAZNIA  1-0
Golat: Taku 64′
Gjyqtarë: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova

SKËNDERBEU-PARTIZANI  3-0
Golat: Martins 30′, 72′, Sefa 89′
Gjyqtarë: L.Alla, R.Avdo, D.Korreshi

TEUTA-ELBASANI   0-2
Golat: Cota 11′, Lamcja 82′
Gjyqtarë: O.Sokoli, E.Barushi, E.Doda

 





www.minuta90.com