Sulmuesi përfundon në spital para ndeshjes me vlonjatët, trajneri Ziu: Rezultat i padrejtë, Tomori shpreson deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 17:12

Sulmuesi përfundon në spital para ndeshjes me vlonjatët, trajneri Ziu: Rezultat i padrejtë, Tomori shpreson deri në fund

Tomori luajti ndaj Flamurtarit pa sulmuesin Obando, që mungoi për arsye shëndetësore. “Panorama Sport” mëson se lojtari ka pasur dhimbje të forta të barkut të alternuara me shqetësime të tjera. Për këtë arsye ai ka kërkuar ndihmën mjekësore, e cila i është dhënë menjëherë nga ana e stafit mjekësor dhe së bashku me teknikun Ziu janë nisur drejt spitalit rajonal të Beratit, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

febron ziu

Trajneri i Tomorit, Febron Ziu, pas disfatës në shtëpi me Flamurtarin, për “Panorama Sport” deklaroi: “Po t’u referohemi rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, rezultati ishte i padrejtë. Kemi dominuar në raport me kundërshtarin dhe këtu kam parasysh rastet e Oshafit, Çaços, traun e goditur nga Vrapi, të cilat mund të kishin kthyer ndeshjen në favorin tonë.

Flamurtari përfitoi nga moskonkretizimi ynë. Po e vuajmë këtë aspekt, ndonëse na ka dëmtuar në këtë ndeshje edhe mungesa e dy titullarëve, si mesfushori Ndreaj dhe sulmuesi Obando që përfundoi në spital. Ky është futbolli dhe na mundi një skuadër si Flamurtari, që ka një organikë shumë cilësore dhe një investim prej skuadre pretendente për në elitë.

Tomori do të vazhdojë të luajë dhe të besojë deri në fund. Asgjë nuk ka mbaruar, pasi në lojë janë edhe 33 pikë, ndaj kemi arsye të shpresojmë për mbijetesën”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"