“Stoli i minuar”, skuadra e Kategorisë së Parë shkarkon trajnerin e dytë për këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 10:15

“Stoli i minuar”, skuadra e Kategorisë së Parë shkarkon trajnerin e dytë për këtë sezon

Matjanët kanë larguar edhe trajnerin e dytë për këtë sezon. Pas 5 humbjesh dhe vetëm 1 fitoreje në 6 ndeshje zyrtare (4 kampionat dhe 2 Kupë) në krye të Burrelit, edhe Gentian Stojku është larguar.

Stojku5

Para nisjes së sezonit ishte larguar Vladimir Gjoni, aktualisht trajner i Erzenit, ekipit që i mundi matjanët 4-0 javën e 4-t të kampionatit, duke sjellë sërish “tërmet” në stolin e Burrelit. Rezultatet e dobëta kanë bërë që drejtuesit e klubit ta ndërpresin kontratën me trajnerin Gentian Stojku.

Burreli

Vendimi është marrë mesditën e djeshme, në analizën e humbjes së fundit në Shijak, kundër Erzenit. Burime pranë klubit të Burrelit thanë se diskutimet me trajnerin Stojku janë bërë në analizë, ku atij i është kërkuar llogari për tri humbjet në transfertë nga drejtuesit e ekipit. Por kjo kërkesë llogarie, me sa duket, nuk është pritur mirë nga ana e Stojkut, çka ka çuar më pas në prishjen zyrtare të kontratës mes palëve.

Në javën e parë të këtij sezoni Burreli humbi në Peqin me Shkumbinin, javën e dytë erdhi një tjetër humbje në transfertë përballë Egnatias, ndërsa humbja e tretë në kampionat ishte ajo ndaj Erzenit, madje me 4 gola të pësuar. Dy humbje Burreli pësoi edhe në Kupën e Shqipërisë, ku u mund nga Vllaznia në të dyja ndeshjet.

Burreli

Tashmë matjanët po mendojnë për një trajner të ri, të tretin për këtë sezon, por ende nuk ka ndonjë emër konkret që mund ta marrë përsipër drejtimin e Burrelit. Ndeshja e radhës është ajo me Korabin, që kryeson Grupin A aktualisht. Trajneri i ri do të ketë në dispozicion gati dy javë për të njohur skuadrën, pasi këtë fundjavë kampionati ndërpritet për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Mbetet për t’u parë zgjedhja e drejtuesve matjanë. Ndoshta del “e treta, e vërteta”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"