STATISTIKA/ Sulmi ‘anemik’ i Dinamos, shënojnë vetëm tre lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 17:10

STATISTIKA/ Sulmi ‘anemik’ i Dinamos, shënojnë vetëm tre lojtarë

Barazimi me Egnatian është përjetuar si një humbje në kampin dinamovit, pasi 2 pikët e lëna në këtë ndeshje djegin shumë. Blutë e mbyllën fazën e parë me vetëm 10 pikë, larg pritshmërive dhe larg asaj skuadrës së javëve të para, që u duk se mund të pretendonte titullin.

DINAMO

Kjo fazë e parë, përveçse ka vërtetuar faktin se këtij grupi lojtarësh do t’i duhet ndoshta pak më shumë kohë nga sa mund të mendohej, ka zbuluar edhe defektet e Dinamos aktuale. Grupi ka deficite në disa pozicione kyçe, si një mbrojtës i tretë qendre me përvojë, një organizator dhe po ashtu një sulmues me përvojë.

 

Këtë e kanë pranuar publikisht si presidenti Adrian Bardhi, ish-lojtarë të njohur të skuadrës dhe trajneri Bledi Shkëmbi, të cilët gati çdo herë kanë folur për merkaton e dimrit, kur ende nuk ishte mbyllur faza e parë. Ndoshta edhe kjo gjë ka pasur ndikim psikologjik në ekip. Statistikat e 9 ndeshjeve të fazës së parë flasin qartë: një Dinamo që vuan shumë për të shënuar, me oshilacione të forta në lojë dhe që shkërmoqet edhe në prapavijë në momente të caktuara.

VARËSIA NGA IBRAIMI – Që Dinamo ka varësi nga kapiteni Agim Ibraimi, këtë nuk e vë askush në dyshim. U ndodh edhe skuadrave të mëdha që të kenë një lloj varësie nga një lojtar i veçantë, por te Dinamoja kjo gjë është shumë e theksuar. Çdo top duhet të kalojë te këmbët e kapitenit dhe çdo goditje standarde duhet të ekzekutohet nga ai.

Kualiteti i 33-vjeçarit bën që besimi i gjithë pjesës tjetër të skuadrës të përqendrohet tek ai, por në anën tjetër nuk lejon që lojtarët më të rinj të marrin më shumë iniciativë dhe përgjegjësi në lojë dhe rrjedhimisht të rriten në këtë aspekt. Sidomos në momentet më të vështira të ndeshjes, kur Dinamo është në disavantazh, Ibraimi nuk lihet të marrë frymë më shumë nga lojtarët e tjerë blu se nga kundërshtarët.

GOL VETËM ME 3 LOJTARË – Varësia nga kapiteni Ibraimi është evidente edhe te golat e shënuar të bluve. Në 9 ndeshje ata kanë shënuar 9 herë, por njëri prej tyre është autogol (Shehu ndaj Laçit), kështu që vetëm 8 gola janë “tamam” të Dinamos. Nga këta 8 gola, 2 janë shënuar me penallti nga Ibraimi dhe nga aksioni mbeten vetëm 6 gola, një shifër shumë e ulët për një skuadër me pretendime.

Po ashtu, tregues i qartë i ngërçit të Dinamos në sulm është numri shumë i ulët i lojtarëve që kanë shënuar, vetëm tre prej tyre. Konkretisht, kanë shënuar kapiteni Ibraimi 4 gola, Çinedu 3 gola dhe Skuka 1 gol.

Pjesa tjetër e skuadrës nuk ka marrëdhënie aspak të mira me portën, të paktën për momentin. Mihana dhe Gavazaj, të cilët ishin titullarë në ndeshjen e fundit me Egnatian, nuk e kanë shijuar ende golin e parë zyrtar si dinamovitë. E njëjta gjë vlen edhe për Patrik Bardhin dhe Rimal Haxhiun, që kanë luajtur më pak. Edhe në 4 ndeshje të Kupës së Shqipërisë, blutë kanë shënuar vetëm 4 gola, duke mos e kaluar mesataren e 1 goli për ndeshje.

Përsëri kanë shënuar me kapitenin Ibraimi dhe Skukën. Përjashtim bën një gol i shënuar nga Sidibe ndaj Erzenit. Blutë kanë shumë punë për të bërë në sulm, duke nisur që nga ndeshja e radhës me Kastriotin.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"