STATISTIKA/ Epoka “Reja” te Shqipëria, eksperiment dhe rinovim. Italiani ia doli me 49 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 12:54

STATISTIKA/ Epoka “Reja” te Shqipëria, eksperiment dhe rinovim. Italiani ia doli me 49 lojtarë

Shqipëria ia doli që të sigurojë objektivin për ta mbyllur e para në grupin C4. Me gjithë eksperimentet, provat dhe të rinjtë e ftuar gjatë këtij edicioni, trajneri Edi Reja ia doli që ta listojë Shqipërinë në vend të parë, duke fituar “finalet” ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, si dy “detyrat e shtëpisë” për ekipin. Për këtë, ‘Panorama Sport” ju sjell një pasqyrë të plotë të të gjithë organikës së lojtarëve që janë grumbulluar të paktën një herë nga trajneri në 15 ndeshjet që ai ka drejtuar skuadrën tonë përfaqësuese. Në bazë të statistikave, Frederik Veseli është lojtari me më shumë ndeshje nën drejtimin e Rejas, ndërsa Cikalleshi është bomberi i tij.
Trajneri Reja

LOJTARËT, 49 NË LISTË
Edi Reja me anë të listës së lojtarëve të grumbulluar për 15 takimet, ka pasur 49 futbollistë në organikë. Mes tyre, janë edhe Egzon Binaku dhe Ivan Balliu, dy të “panjohurit” për trajnerin në daljet e fundit publike, i cili pyeti Berishën për t’u kujtuar për ta. Berat Gjimshiti dhe Rei Manaj plotësojnë podiumin me nga 12 ndeshje. Në këtë listë, tetë nga futbollistët e grumbulluar së paku një herë nga Reja, nuk kanë marrë ende asnjë minutë nën drejtimin e tij.

MOSHA, VETËM 4 MBI 30
Teksa shumë të rinj kanë qenë pjesë e listave të trajnerit Reja, ku më i vogli është Ramën Çepele, i cili theu rekordin e debutimit me kuqezinjtë, mosha mesatare e kësaj liste është relativisht e re. Bëhet fjalë për një mesatare prej 25.5 vitesh, e 49 futbollistëve të epokës “Reja”. Duke qenë se objektivi madhor është “Euro 2024”, kontingjenti i futbollistëve me të ardhme është shumë i madh. E nëse flasim për lojtarët më në moshë, Berisha (31), Lenjani (31), Memushaj (33) dhe Alban Hoxha (32) janë të vetmit mbi 30 vjeç.

GOLAT, SHËNOJNË 11
manaj cikalleshi

Nën drejtimin e 75-vjeçarit, kanë shënuar 11 futbollistë. Sokol Cikalleshi është bomberi i italianit, me tetë gola të realizuar. Më pas, Manaj me katër të tillë konfirmon se ka arritur që të shpërblejë në fushë besimin e trajnerit. Nga dy herë kanë shënuar Balaj dhe Bare, ndërsa me nga një realizim janë Ismajli, Hysaj, Dermaku, Roshi, Trashi, Uzuni dhe Ylber Ramadani.

ROSHI ASISTMEN…
roshi

Odise Roshi është njeriu asist për trajnerin Reja. Mesfushori fierak, megjithëse ka munguar në disa takime për shkak të dëmtimeve, mbetet në krye të listës së lojtarëve me numrin më të lartë të asisteve të dhënë. Pesë të tillë mbajnë autorësinë e “raketës kuqezi”, i cili ndiqet nga Ledian Memushaj me tre të tillë. Rei Manaj, Amir Abrashi dhe Myrto Uzuni kanë asistuar nga dy herë në 15 ndeshjet e fundit të Kombëtares ndërsa me nga një asist vijojnë Hysaj, Bare, Cikalleshi, Selahi dhe Memolla.

REJAAAA

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"