Starti, Shehin e nderon vetëm sulmi/ Kolela dhe Gega më të mirët, ja çfarë duhet të korrigjojë ky Partizan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 22:19

Starti, Shehin e nderon vetëm sulmi/ Kolela dhe Gega më të mirët, ja çfarë duhet të korrigjojë ky Partizan

Disa thonë se fillimi i mirë është gjysma e punës, ndërsa të tjerë thonë se kur starton me vrull, të bie fuqia rrugës. Nuk dimë se cili është opsioni për Orges Shehin, por me siguri vetë durrsaku do të donte të kishte një nisje më të mirë, të paktën pa eliminimin në Kupë.

shehi

“Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të 11 ndeshjeve të para të trajnerëve të 5 viteve të fundit te Partizani.

FITORET – Sa i përket triumfeve, trajneri aktual i të kuqve renditet i katërti me 6 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje në të gjitha kompeticionet në ndeshje zyrtare. Më mirë se Shehi kanë arritur të bëjnë Xhovani Kolela (7 fitore), Skënder Gega (7 fitore) dhe Ilir Daja (6 fitore).

Mjaft pranë janë edhe emra si Abilaliaj apo Mehmeti, të ardhur në krye të ekipit në situatë emergjence. Sa i përket trajnerëve mbi Shehin, është fakt se ata që kanë bërë më mirë se ai, e kanë marrë skuadrën në fillim të sezonit dhe kanë pasur kohën dhe burimet e mjaftueshme për të bërë më shumë ndërhyrje. Krahasuar me Zekiçin, që nisi sezonin, Shehi i ka shifrat më pozitive.

SULM PRODUKTIV – Nëse do të kishte diçka me të cilën trajneri aktual i Partizanit do të krenohej, është sulmi. Në 11 ndeshje, Pratizani i tij ka shënuar 18 herë, po aq sa kur Partizani drejtohej nga Ilir Daja. Në fakt duket sikur durrsaku e ka garën me Dajën, i cili është trajneri më jetëgjatë në epokën “Demi”, i vetmi që ka qëndruar më shumë sesa një sezon. Diferencën durrsaku do të tentojë ta bëjë me trofetë.

MBROJTJE ME LUHATJE – Nëse sulmi i Shehit shkëlqen, mbrojtja nuk është më e mira e mundshmja, për shkak se ka pësuar 9 gola në 11 ndeshje. Vetëm Sormani (11) dhe Lerda (9) kanë bërë njësoj ose më keq sesa Shehi në aspektin mbrojtës. Më i miri i 5 viteve të fundit në këtë aspekt është Daja me 3 gola, i ndjekur nga Skënder Gega.

TITULLI – Vetëm dy prej 9 trajnerëve të viteve të fundit, përkatësisht Gega dhe Kolela, e kanë fituar titullin kampion. Të dy e kanë nisur sezonin nga fillimi, ndryshe nga Shehi, që do të kërkojë të thyejë këtë “tabu”, por edhe të mohojë të gjitha shifrat që janë prodhuar deri më tani. Me “Final 4”, durrsaku do të jetë në lojë deri në fund.

TRAJNERET

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"