Stadiumi çështje në Vlorë, opozita: Karamele me helm! Nuk duam kulla si tek “Air Albania”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2023 | 17:15

Stadiumi çështje në Vlorë, opozita: Karamele me helm! Nuk duam kulla si tek “Air Albania”

Këshilli Bashkiak i Vlorës i ka hapur rrugën ndërtimit të stadiumit të ri “Flamurtari”. Zhvillimi përfshin hapësirën aktuale të stadiumit, pallatin e sportit, aneksin dhe pishinën, si dhe zonën përreth me një sipërfaqe 5 hektar.

VLORE

Qëllimi i ndërhyrjes është rizhvillimi i kompleksit sportiv, duke transformuar zonën jo vetëm në një hapësirë sportive moderne, por edhe në një kompleks miks social dhe ekonomik. Stadiumi pritet që të ndërtohet në vendin ku aktualisht është stadium ekzistues në “Skelë”. Kapaciteti ende nuk është ndarë përfundimisht, por diskutimet janë mes 8 mijë deri 10 mijë vendesh.

Stadiumi i projektuar nga studioja belge, “XDGA”, është përzgjedhur si fitues në konkursit ndërkombëtar për stadiumin “Flamurtari”. Impianti modern do të shërbejë për futbollin, por do të jetë edhe një qendër multi-funksionale.

KUSHTA- Sokol Kushta në cilësinë edhe të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Vlorës është shprehur pro këtij projekti. “Është një ndjenjë vlonjate ndaj sportit. Gjithmonë kemi fantazuar një stadium të ri. Sporti në Vlorë ka shumë deficite në ambiente, këto do të shikohen në vazhdimësi.

KUSHTA

Le ta kalojmë këtë projekt që t’i japim një zhvillim zonës. Presidenti i FSHF-së ka menduar që në pjesën pas aneksit do të ketë një hoteleri që do t’u shërbejë ekipeve kombëtare. Kemi një plan për zhvillimin e disa fushave, ku aty do të marrin pjesë ekipet e shkollave. Ka fusha futbolli, basketbolli, do të jetë një zhvillim tërësor”, tha Kushta.

OPOZITA- Por nuk kanë qenë të këtij mendimi këshilltarët bashkiakë të opozitës. Ata kanë thënë se në këtë zonë do të ndërtohen kulla shumëkatëshe. Këshilltari i PD të Vlorës, Atird Hoxha, u shpreh: “Jemi sportdashës dhe duam më të mirën për Flamurtarin, ekipet zinxhirë dhe terrenet sportive.

Këtu nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për miratim për marrëveshje për zhvillimin e stadiumit. Kjo është një zonë e gjitha që do të kthehet në një kantier ndërtimi për kulla. Këtu shitet sikur do të bëhet vetëm stadiumi, por aty janë të paktën tri kulla.

Pas aneksit vjen një kullë e madhe dhe e gjatë. Aty ka banesa që sot jetojnë njerëz. Nuk jemi kundër zhvillimit të terreneve, por jemi kundër kullave që janë prioritet. Stadiumi aty ku është të rikonstrukohet. Ne jemi krenarë për Flamurtarin, pavarësisht se kush e drejton atë. Këtu shitet sikur do të ndërtohet vetëm stadiumi. Aty janë të paktën tre kulla që do të ndërtohen. Këto vijnë si një paketë që u bashkëngjiten disa kompani që do të ndërtojnë kullat. Ne nuk kemi pse të shikojmë të njëjtën situatë si stadiumi “Air Albania”, që është shoqëruar me një kullë hoteleri që i përket privatit, ndërkohë që është pronë publike”, tha Hoxha.

ISUFI E XHYHERI, KUNDËR- Edhe këshilltari tjetër i opozitës, Arjan Isufi, u shpreh kundër kullave, që sipas tij prishin edhe aneksin e stadiumit. “Jemi dakord të zhvillohet Flamurtari dhe sporti në Vlorë. Kryetari i Bashkisë duhet që të ketë të drejtën për këtë marrëveshje dhe do të vendosë disa piketa. Nuk e dimë nëse do të realizohet kjo apo jo? Çfarë funksioni kanë brenda kompleksit sportiv katër kullat? Po kulla e pestë në të majtë dhe më keq akoma kulla e gjashtë në zonën e aneksit? Kjo është pasuri publike, duam shpjegime”, tha Isufi.

Për këshilltarin e PD-së, Klodian Xhyheri, ky projekt shkon kundër ligjit të sporteve. “Më vjen për të qeshur, stadium me kullë dhe kullë me stadium. Aneks me pishinë, pishinë me aneks. Sport me sufllaqe, sufllaqe me sport, hotel me krevate, krevate me topa futbolli.

Kjo është karamele e kamufluar bukur, por nga brenda ka helm. Nuk ka Zot të më mbushë mendjen mua që ndërtime të tilla që shkojnë kundër ligjit të sportit. Janë ndërtime hibride. Gjysmë femër dhe gjysmë luan. Veprimtari dhe ndërtime që kanë qëllim sportin dhe te koka kanë betonin”, tha Xhyheri.

KRYEBASHKIAKU – Ermal Dredha shpjegoi edhe fazën e projektit të stadiumit, duke theksuar se momentalisht po punohet për të gjetur financuesit. “Ne do të bëjmë një dëgjesë publike me komunitetin. Kjo është vijimësia e procesit. Jemi në fazën e dytë. Ka pasur një marrëveshje bilaterale me administratën e kaluar bashkiake.

Kemi një projekt që ka fituar dhe ne tani po kërkojmë financimin. Nuk e ka kapacitetin financiar bashkia që ta përballojë këtë investim. Ne jemi të detyruar ta bëjmë këtë gjë. Të njëjtën praktikë ka bërë edhe Durrësi dhe Korça. Mbase nuk është më e mira, por kemi precedentë. Ne kërkojmë financimin dhe shpresojmë që të na afrohen, ashtu sikundër shprehën interesin në fazën e parë. Për banorët do të gjejmë emëruesin e përbashkët me ta.

Unë do të jem në krahë të komunitetit aty, që kur të merret një vendim përfundimtar ata të trajtohen si duhet. Për terrenet e tjera do të shikojmë si do ta rregullojmë se Vlora vetëm këtë stadium ka. Mund të bëjmë edhe ndonjë investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, përfundon Dredha.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"