Partizani-Zvezda, kur pallati mbushej me vajza dhe Fagu refuzonte shiritin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 22:27

Partizani-Zvezda, kur pallati mbushej me vajza dhe Fagu refuzonte shiritin

UVIL ZAJMI

Ishte periudha kur shorti në Kupat e Europës do t’u rez ervonte ekipeve shqiptare sfida ndaj skuadrave të njohura të basketbollit jugosllav të viteve ’70, të cilat ishin në kulmin e tyre. Në pak vite në Tiranë do të vinte Zadari i Zarës, më pas Jugoplastika e Splitit, pastaj dy herë radhazi Crvena Zvezda. “Panorama Sport” u rikthehet atyre ngjarjeve të mëdha sportive, me rrëfime nga vetë protagonistët, detaje e momente të rralla.

agim fagu

E para i takon dhjetorit 1972, në një pallat sporti të tejmbushur, Partizani-Crvena Zvezda. Por pragsfida ka një ngjarje të pazakontë: Agim Fagu refuzon të jetë kapiten i skuadrës. Pati tension në dhomat e zhveshjes që ishin mbushur plot me ushtarakë. Në fund, spektatorët, të painformuar, do të shohin Pëllumbin dhe jo idhullin e tyre si kapiten. Pastaj 40 minutat e paharruara, udhëtimi me “Skoda” pas një jave në Beograd, shkëlqimi i Fagut që shtangu vendësit dhe banketi zyrtar me këngën “Vajta në Elbason për me ble fuston…”.

E KATËRTA KONTINENTALE PËR PARTIZANIN…

Ky ishte konkurrimi i tretë në katër pjesëmarrje në kompeticionet europiane. Pas atij debutimi me Partizani-Oransoda, dhjetor-janar 1968-’69, ai vijues ndaj Dinamos së Bukureshtit, e para e zhvilluar në Shkodër, pasi pallati kryeqytetas po ristrukturohej me rastin e festës së 25-vjetorit të Çlirimit. Kështu, në Pallatin e Sportit të Shkodrës, të sapopëruruar, rumunët fitojnë 65-70 dhe me shifrat 96-76 triumfojnë sërish në kthim.

Në sezonin 1970-’71, për Kupën e Kupave, shorti e përplas Partizanin me Juventud (Badalonjë) dhe për tërheqje (motive politike në marrëdhëniet Shqipëri-Spanjë), ndeshja fitohet në tavolinë 0-4 nga spanjollët. I rikthyer në Kupën e Kampioneve, në të tretën përballje (sezoni 1971-’72) shorti u rezervoi turqit e ITUK, por edhe ky takim nuk u zhvillua, pasi në Turqi kishte rënë sëmundja e kolerës dhe Partizani nuk udhëtoi për në Stamboll. Ndërkohë, në kampionatin kombëtar rivaliteti midis Partizanit e 17 Nëntorit vazhdon të jetë një pafundësi dhe sezoni 1971-’72 regjistron triumf të dyfishtë të Partizanit, që mori kampionat dhe Kupë. Por, edicioni 1972-’73 fillon me vonesë, kur Kombëtarja kthehet pas një turneu të gjatë në Kinë.

GOGLAT, SHORT “BOMBË”, VJEN ZVEZDA

Për edicionin 1972-’73, në turin e parë Partizani do të luajë me CJS Aleppo të Sirisë. “U nisëm me avionin ‘Malev’, – kujton Astrit Greva, – drejtues e sportistë u nisëm për në Budapest, dy net transit qëndruam aty, kur papritur u erdhi njoftimi se ka filluar konflikti arabo-izraelit. Kishte bombardime dhe ndeshja nuk mund të zhvillohej. Të detyruar kthehemi në Tiranë dhe takimi na u dha aforfe. Pastaj Partizani-Crvena Zvezda, dëshirë e madhe për një përballje të tillë, një përfaqësim sa më të bukur e dinjitoz, por njëkohësisht edhe frikë sportive”, thotë Greva.

das

Në ndeshjet për Kupat e Europës, si zakonisht, përforcim do të merret Viktor Papavangjeli nga Flamurtari, lojtar i fortë qendre, shtatlartë (191 cm), që bashkë me Palin e Zaçen japin më siguri në luftën në dy tabelat. Për kuriozitet edhe në ligën jugosllave të basketbollit të viteve ’70, derbi beogradas, Partizani-Crvena Zvezda, ka qenë shumë i madh, si ai kryeqytetas Partizan-17 Nëntori. Në sezonin 1971- ’72, Zvezda shpallet fituese e dyfishë: kampionat e Kupë, pas një rivaliteti deri në koshin e fundit me Jugoplastikën dhe vetëm në finalen e madhe, duke fituar 75-70 ndaj formacionit nga Spliti, mori trofeun. Në ato vite Zvezda kishte në përbërje lojtarë të kombëtares, mbi 2 metra, si Kapiçiç, V. Cvetkoviç, organizatorin fenomenal Sllavniç, por mbi të gjithë Ljubodrag Simonoviç, ndoshta lojtari më i mirë jugosllav, të paktën deri në vitet ’90.

Kombëtarja e Jugosllavisë, më 1969, 1970, 1971 është nënkamione e Europës, kampione bote, vendi i 5- të në Olimpiadën e Mynihut dhe tri herë radhazi kampione e Europës (73′,75′, 77′). Në raundin e parë Zvezda, pasi kishte eliminuar Levi’Flamingo’s Harlem 72-88/107- 74, dhe më pas Partizanin, në gjysmëfinale luajti me sovjetikët e CSKA të Moskës, që i mundi në të dyja sfidat 98-90 dhe 100-83. Në çiftin tjetër Ingis e Varezes eliminon Simental të Milanos dhe në finale janë: Ignis-CSKA Moskë, që përfundon 71- 66 për italianët, me amerikanin Bob Morse, si dhe Dino Menegin, që ishin lojtarët vendimtarë të sfidës. Zvezda u rendit në vendin e tretë. Ndërkohë, ishte hera e parë që një skuadër basketbolli nga Beogradi do të vinte në Tiranë dhe pragsfida pati jehonë në shtypin sportiv.

PRAGSFIDA DHE FESTIVALI I 11-të

Takimet e dyfishta të Partizanit ndaj Yllit të Kuq (Crvena Zvezës), janë zhvilluar në muajin dhjetor të vitit 1972. Tifozë të pasionuar në një mjedis argëtues, me vajza ndër frekuentueset e pandara të tij. Pati një numër rekord spektatorësh, pasi interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo, edhe nga kurioziteti për të parë nga afër yjet e kohës, sepse çdo të shtunë në mbrëmje në kanalin e parë të televizionit jugosllav transmetohej një ndeshje nga kampionati serb në kulmin e rivalitetit të tij. Tribuna VIP, ajo në sektorin A të pallatit të sportit “Partizani”, rezervohej për drejtuesit e lartë të shtetit. Biletat ishin me autorizim, pak kishte në shitje, një numër i caktuar u jepej sportistëve, deri në dhjetë copë. Pikërisht ai muaj, koinçidon edhe me Festivalin e 11- të të Këngës në “RTVSH”, i famshëm për historinë dhe fundin dramatik që pati. Ishin vitet kur shfaqet dëshira për një tendencë perëndimore, plot shpresë për një hapje edhe në sport, kur një takim ndërkombëtar shërbente si një dritare që të afronte me botën.

Partizan-Zvezda i parapriu gjithashtu një takimi në ambasadën jugosllave në Tiranë, me të ftuar drejtues dhe disa sportistë të skuadrave në një koktej modest. Aty u fol kryesisht për miqësinë sportive. “Ndërkohë, – kujton Greva, – një natë përpara i ndoqa në stërvitje. Kisha dëgjuar për një skuadër të madhe e lojtarë të kombëtares. I vetmi kontakt me basketbollin e tyre ishte Ballkaniada e 65-ës, dhjetë vite më parë në Tiranë, diçka nga Zadari dhe Jugoplastika dhe çfarë shihnim nga televizori ‘JRT'”. Në Kupën e Kupave, Vllaznia (e renditur e dyta në Kupë) bëri një prezantim tekanjoz. Në Shkodër, në tetor, pati humbur 64-57 (33-30) me Gallatasarajin duke gabuar në gjuajtje ndaj turqve që dominuan me lartësi dhe përgatitje fizike. Në Stamboll ishte tjetër Vllazni, pati rivalitet deri në sekondën e fundit dhe shkodranët fituan 64-60, por me diferencë pikësh eliminohen.

NGJARJA ME FAGUN, KAPITEN DO TË JETË PËLLUMBI

Një situatë e tensionuar i ka paraprirë sfidës, madje në dhomat e zhveshjes të Partizanit zotëronte një atmosferë ndryshe. Një debat i ashpër ka përfshirë kapitenin lider, Agim Fagu, dhe drejtues e zyrtarë të lartë të klubit dhe ministrisë. Fagu kishte dy javë që kishte braktisur shiritin e kapitet dhe refuzonte ta mbante. Çështje personale… Madje, nga ajo ndeshje ai nuk do të jetë asnjëherë më kapiteni legjendar i skuadrës, pikërisht kur ishte në kulmin e formës, famës dhe kontributit. Ajo që e bëri më agresive situatën ishte urdhri nga Petrit Dumja, që Fagu do të jetë kapiteni në takimin ndaj Zvezdës dhe kjo nuk duhet të diskutohej. Por, vendimi i Fagut ishte ndryshe… Pati kundërshtime në dhomat e zhveshjes, ngrihen zërat, dyer që hapen e mbyllen dhe ushtarakë që dalin e futen mjaft të nevrikosur. “Do dalësh kapiten, është urdhri”, dëgjoheshin ata që i shprehnin lojtarit orientimin e Petrit Dumes. “Nuk dal, nuk jam më kapiten”, ishte reagimi i Fagut. Nuk ka kohë, skuadra del në nxehmje, pastaj ndeshja. Skuadrat janë rreshtuar, ka brohoritje, por janë befasuar, spektatorët, gazetarët, madje edhe telekronisti Grillo, që transmetonte direkt sfidën. Pa e ditur motivin ata shohin që Fagu nuk është kapiten, por Besnik Pëllumbi. Një situatë aspak normale, të cilën Zvezda e shfrytëzoi. Në pushim, në dhomat e zhveshjes ka tjetër atmosferë. Çështja “Fagu” është lënë pas, lojtarët do të shkunden dhe në 20 minutat u dyta, Partizani është rikthyer te vetvetja. Spikat dueli Fagu-Sllavniç, krahas klasit, ambicieve, ka edhe shumë kualitet.

Tiranë, e enjte, 9 dhjetor 1972 Partizani-C. Zvezda 83-94 (37-40).

PARTIZANI: Fagu 21, Zaçe 17, Papavangjeli 16, Mushi 14, Pali 13, Dheri 2. U aktivizuan edhe Bekteshi, Përmeti, Pëllumbi, Moja, Boshnjaku. Tr. Astrit Greva.

C. Zvezda: Kapiçiç 31, Simonoviç 25, Vuçiniç 12, Rakosheviç 10, Sarjanoviç 7, Sllavniç 3, Lazareviç 2, Latifiç 2, Pajoviç 2. Në stol: Bogosaljeviç, Kubura, Zugiç, Pesiç, Stefanoviç. Tr. Dordeviç.

Arbitra: Ceresmnjes (Hun) dhe Negulesku (Rum). Spektatorë 3.500 (Dolën me 5 gabime personale: Pali min 24, Dheri’27, Zaçe 37′. Partizani ekzekutoi 14 gjuajtje të lira dhe realizoi 9, kurse Zvezda nga 20, 14.

NGA “SPORTI”, SHKRIMI QË KA PËR AUTOR NDRIÇIM KETËN LEXOJMË:

“Ndonëse mbetëm të pakënaqur nga përfundimi i ndeshjes, sepse skuadra jonë nuk doli fituese, prapëseprapë, duke pasur parasysh se kundërshtari është mjaft i njohur jo vetëm në arenën e basketbollit të Jugosllavisë, por edhe në atë të Europës, rezultati përfundimtar nuk duhet quajtur i keq. Partizani arriti një koeficient të mirë pikësh duke mbetur vetëm 11 pikë larg nga kundërshtari, që është ndër ekipet më të mira të klubeve, në mos më i miri që ka luajtur deri tani në vendin tonë. Pjesa e parë ishte e një niveli të mirë, ajo ishte e ekuilibruar deri në fund të 20 minutave që ishte 40-37 për jugosllavët. Dalja e Palit në pjesën e dytë me pesë personale i shkëput kundërshtarët deri në 20 pikë. Në minutën e 37-të rezultati ngushtohet në tetë pikë diferencë, por largimi me 5 personale edhe i Zaçes i dha mundësi Zvezdës të sigurojë fitoren”.

KOSHI QË U DUARTROKIT EDHE NGA SIMONOVIÇ

Kjo ka ndodhur gjatë takimit dhe si një gjest i rrallë, kur një basketbollist madje i një kalibri të jashtëzakonshëm duartroket publikisht një kundërshtar. Greva kujton: “Mbaj mend se luhej me topa kinezë, vetëm në Shqipëri, por që ishin të një cilësie shumë të mirë. Nervoz në pjesën e parë, në meslojën e të dytës, ku shënoi thuajse të gjitha pikët e tij, Agim Fagu ka realizuar një kosh nga rreth 8 metra. Spektakolar, i befasoi edhe beogradasit. Aq ka mjaftuar që Simoniviçi, i ndodhur në fushë, ka ndalur për një çast, është kthyer nga spektatorët, duke e duartrokitur haptazi me duart lart atë kosh, ‘një bravo’ publike si një veprim individual teknik i klasit të lartë”.

ME “SKODA” DREJT BEOGRADIT

Nisja drejt Beogradit u bë me autobusin çek “Skoda”. Ishte një udhëtim i gjatë, lodhës, TiranëStrugë-Manastir-Shkup-Beograd. Pasi janë sistemuar në hotel “Sllobodna”, një natë para takimit skuadra zhvilloi një seancë njohëse në stërvitje. Të nesërmen, më 14 dhjetor në mbrëmje ndeshja, një 40-minutësh krejt ndryshe nga ai i Tiranës.

E enjte, 14 dhjetor 1972 Pallati i Sportit në Beogradin e Ri C. Zvezda – Partizani 99-74 (38-34)

C.ZVEZDA: Lazareviç 24, Simonoviç 18, Rokosheviç 14, Sarjanoviç 12, Sllavniç 11, Vuçiniç 10, Peçiç 8, Pajeviç 4, Latifiç 4. Në stol: Kapiçiç, Grasi, Bogosaljeviç, Kubura, Zugiç, Stefanoviç Tr. Dordeviç.

PARTIZANI: Fagu 20, Pali 18, Zaçe 14, Papavangjeli 14, Mushi 12, Boshnjaku 4, Pëllumbi 2. Në stol: Bekteshi, Përmeti, Dheri, Moja. Tr. Astrit Greva.

ARBITRA: A. Popoviç (Bull), P. Novak (Çek). 1500 spektatorë.

VIRTUOZI FAGU MË I MIRI NË FUSHË

Sigurisht që Zvezda nuk rrezikonte kualifikimin, madje nuk aktivizuan as Kapiçiçin. Në një atmosferë miqësore, pjesa e parë që mbyllet 38- 34 ka qenë një 20-minutësh krejtësisht i barabartë. Pastaj lodhja fizike nga rritja e presionit të kundërshtarëve, por edhe aktivizimi më shumë minuta i Simonoviçit, në një ditë fantastike, përcaktuan edhe rezultatin përfundimtar. Sidoqoftë, Partizani prezantohet mjaft mirë, duke i shënuar 74 pikë Zvezdës në fushën e saj, teksa me Fagun spikasin edhe Pali në një ditë të veçantë, Zaçe, Papavangjeli dhe i riu Kastriot Mushi.

Duke iu referuar gazetës “Rilindja” të Kosovës të së premtes, 15 dhjetor 1972, informohemi: “Loja në momente ishte mjaft interesante. Këtë ndeshje e karakterizoi edhe një gjë: të dyja palët treguan lojë sportive. Sa herë që ndaj njëri-tjetrit bënin faulle të paqëllimta, ia shtrinin dorën njëri-tjetrit, kurse nëse dikush rrëzohej, afroheshin lojtarët dhe e ngrinin nga podi. Këto gjeste sportive spektatorët i përshëndetën ngrohtësisht. Në skuadrën vendëse u dallua Lazareviç, i cili arriti më së tepërmi kosha – 24, ndërsa pa dyshim lojtari më i mirë në fushë qe Fagu, të cilin sa herë që merrte topin, pa marrë parasysh a do të ketë sukses, spektatorët e përshëndesnin me brohoritje, pasi ai u tregua virtuoz i vërtetë i lojës së basketbollit”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"