Nga Kategoria e Dytë në Kombëtare, kur Strakosha e Sadiku thyenin një… tabu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 20:41

Nga Kategoria e Dytë në Kombëtare, kur Strakosha e Sadiku thyenin një… tabu

Nga UVIL ZAJMI

640px-Uvil_Zajmi

Një tjetër histori! Edhe kjo tejet origji nale për futbollin kombëtar, një pjesë e rëndësishme e atij kuqezi, sa e veçantë, aq befasuese. Një faqe ndryshe e tij. Bëhet fjalë për atë çfarë ndodhte para viteve ‘90- të, kur një lojtar pa shumë emër, i panjohur, i padëgjuar, i një skuadre modeste, jo e nivelit të lartë, por sistematike në kategoritë inferiore, do të evidentohen si talente dhe “rrëmbeheshin” nga klubet e mëdha, për t’u konfirmuar protagonistë në formacionet e kohës, titullarë, kapitenë deri në Kombëtare.

Collage Maker-27-Oct-2023-08-39-PM-9373 (1)

Dhe nuk janë pak: Nga Bujar Cani, te Milto Gurma, nga Mujo Targaj tek Ilir Lame, nga Halim Mersini te Foto Strakosha, nga Ilir Alliu te Mahir Halili, bashkë me Fatmir Hasanpapën nga Valbona në “Uembli” të Londrës. Pa harruar Armando Sadikun, futbollistin e Turbinës prej vitesh kuqezi. Por cila është historia e tyre, si u bënë të njohur dhe cilët ishin ata që i zbuluan dhe përcaktuan fatin e tyre si lojtarë cilësorë, duke u aktivizuar me formacionet e njohura të kampionateve shqiptare dhe në përfaqësuese?

BUJAR CANI, MBROJTËSI I SHKUMBINIT EDHE NDAJ MYLERIT

I vitlindjes 1946, fillimet me fanellën e vendlindjes, skuadrës së “Shkumbinit” të Peqinit që luante në Kategorinë e Dytë. Do të evidentohet nga i mirënjohuri Fadil Kovaçi, që e do ta marrë te Labinoti. Një sezon në Kategorinë e Parë, ku Cani është një ndër pikat e forta të mbrojtjes elbasanase. Më pas transferimi në Tiranë. E diel, 9 nëntor 1969 në “Qemal Stafa”, një miqësore midis skuadrave përfaqësuese të Tiranës dhe përfaqësueses së rretheve. Fiton skuadra udhëtuese 1-0 me golin e Zhegës në pjesën e dytë.

Bujar Cani me Gerd Mylerin

Bujar Cani me Gerd Mylerin

Spikat një mbrojtës, një futbollist pak i njohur për mjedisin sportiv tiranas. Quhet Bujar Cani, shtatlartë, luan mirë në ajër dhe i sigurt në ndërhyrje. Pëlqehet nga Loro Boriçi, që e “rrëmbyen” si ushtar te “Partizani” me idenë për të rindërtuar e për t’i kthyer lavdinë klubit tashmë të humbur. Në harkun e 15 muajve, Partizani do të fitonte kampionat dhe Kupë, Kupën Ballkanike, duke kaluar edhe turin paraeliminator në Kupën e Kupave ndaj Atdvidabergut. Dyshja mbrojtëse Berisha-Cani do të ishte thuajse e pakalueshme. Për të ardhur te kapitulli i Kombëtares. 15 tetor 1970, në Katovicë, EKE, Poloni-Shqipëri 3-0.

Loro Boriçi në linjën mbrojtëse do të aktivizojë për herë të parë edhe Bujar Canin, ende pa mbushur 24 vjeç. Më pas në Stamboll, EKE, 13 dhjetor 1970, Turqi-Shqipëri 2-1, dhe më 17 shkurt 1971 në “Qemal Stafa”, takimi historik Shqipëri-RF Gjermane 0-1, EKE, ku spikat dueli Bujar Cani-Gerd Myler. Ndeshja Finlandë Shqipëri 1-0 në Helsiniki, 21 qershor 1972 EKB, është epilogu i tij me përfaqësuesen. Vetëm 7 ndeshje. Më 1973, ende jo 27 vjeç, do të shkëputej me futbollin dhe në moshën 66 – vjeçare do të ndahej papritur nga jeta. Një karrierë e Bujar Canit nisur me Shkumbinin, me kulm Kombëtaren edhe ndaj Gerd Mylerit.

MILTO GURMA, NGA BANKAT E SHKOLLËS TITULLAR NË RUMANI

Një karrierë e nisur si notar, pastaj lojtar me të rinjtë e Butrintit, vjen për t’u testuar në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive, që do të hapej në Tiranë në janar të vitit 1968. Vendimtar do të jetë trajneri Zyber Konçi, që spikat talentin dhe miraton, aprovon konkurrimin e tij. Një mbrojtës-mesfushor, që luan pa frikë, me një vizion loje, pjekuri taktike, teknikë të rafinuar.

MILTON GURMA

Milto Gurma, 1973, Rumani-Shqipëri

Pa karrierë të gjatë, jo futbollist i një skuadre elite, por i një formacioni modest shkollor, Shkëndija, në vitin e parë që militon në Kategorinë e Parë, skuadër e re e sapokrijuar, e që vjen nga një nivel inferior. “Trajneri Myslym Alla e pëlqente mënyrën si luaja unë. Dhe, në periudhën që iu besua ekipi përfaqësues më thirri, më aktivizoi menjëherë, pa hezitim. Në Rumani kam qenë në formacion. Isha futbollist i Shkëndijës së Shkollës së Mjeshtërisë, dhe kjo i befasoi të gjithë”, kujton Milto Gurma.

I datëlindjes 1951, i cilësuar “Bekenbaueri shqiptar”, për atë vizion loje, mënyrën spektakolare të të luajturit, as 21 vjeç, Gurma debuton më 29 tetor 1972 në Bukuresht, EKB, Rumani-Shqipëri 2-0. Më pas në Magdenburg, EKB, 8 prill 1983, RD Gjermane-Shqipëri 2-0, për të vijuar më 10 tetor 1973, Tiranë, EKB, Shqipëri-Finlandë 1-0, i futur në lojë nga trajneri Ilia Shuke në 65’-ën, në vend të kavajasit Naim Allaj.

E fundit në miqësoren e fituar 3-0 me Algjerinë në “Qemal Stafa”, më 10 tetor 1976, i aktivizuar në të 75’-ën nga trajneri Loro Boriçi në vend të Safet Berishës së Partizanit. Vetëm katër takime është karriera kuqezi e Milto Gurmës, e nisur dhe e mbyllur si lojtar i një formacioni shkollor, Shkëndija, e ardhur nga Kategoria e Dytë. E panjohur, pa traditë, dhe ai ishte lojtari i parë i saj që ka luajtur veshur me fanellën e Përfaqësues.

MUHEDIN TARGAJ, TEPELENASI I ZBULUAR NGA NJË MJESHTËR

I lindur në mars të vitit 1955 në Tepelenë, ndërsa luan me ekipin e të rinjve dhe shpejt në klubin e Minatorit të Memaliajt (pasi Tepelena nuk ka fushë), në Kategorinë e Dytë, që në moshë të re, as 15-16 vjeç, titullar në formacion për tri sezone, 1971-1973.

Mujo Targaj dhe Rumenige

Mujo Targaj dhe Rumenige

Në rolin e mbrojtësit, në ndeshjet e vështira të kësaj kategorie, elegant, trup i bukur, me një staturë të admiruar fizike. Njeh shumë mirë lojën në ajër dhe i sigurt në ndërhyrje. “Përcaktues në karrierën time ka qenë Skënder Jareci. Ai më zbuloi, më mori te Dinamo. Ka qenë sezoni 1972- 1973, në Fushën e Mjeshtërisë Sportive luhet Shkëndija (skuadra e dytë që luan në Kategorinë e Dytë) dhe Minatori i Memaliaj. Për të ndjekur ndeshjen i pranishëm edhe Skënder Jareci. Më pa dhe pas takimit foli me trajnerin Partizan Hila.

Vetëm pas një jave më kanë njoftuar të paraqitem në Tiranë dhe të dal në stërvitjen e parë me Dinamon, te ish-aneksi i stadiumit”, thotë Targaj për “Panorama Sport”. Ndeshja debutuese në Kombëtare, i preferuar nga trajneri Zyber Konçi, më 3 shtator 1980, EKB, në Tiranë, në sfidën Shqipëri-Finlandë 2-0. Deri në takimin e fundit, sërish në kombëtarin kryeqytetas, Shqipëri-Greqi 1-1 për EKB, 30 tetor 1985, që është edhe ajo mbyllëse me fanellën kuqezi për Mujo Targajn, në një sfidë epike, i aktivizuar nga trajneri Agron Sula.

Në total 22 ndeshje me përfaqësuesen, duke qenë edhe autor i tre golave, të tre të realizuar nga pika e penalltisë: 02.09.1981, EKB, Finlandë Shqipëri 2-1 (47’ Targaj 11 m); 30. 03.1983 KB Shqipëri–RF Gjermane 1-2 (81’ Targaj 11 m); 08.06.1983, KE, Shqipëri-Austri 1-2 (84’ Targaj 11 m). Kapiten i saj në 15 ndeshje.

ILIR LAME, PËRMETARI I PËLQYER NGA BORIÇI

Një ndër mesfushorët më të shquar të futbollit kombëtar. Lojtar i 24 Majit të Përmetit, më pas te Partizani dhe në Kombëtare, protagonist i kësaj fanelle në disa takime epokale për kohën. Një nisje me një skuadër pa pretendime, gjithmonë konkurruese në Kategorinë e Dytë, siç ka qenë historikisht skuadra përmetare. Vitit 1975, i rekomanduar si një talent paraqitet te Partizani.

Ilir Lame, Shqipëri-RF Gjermane

Ilir Lame, Shqipëri-RF Gjermane

“Nuk njihja asnjeri isha i rezervuar, ishte një i afërm që kishte folur dhe pas stërvitjes më prezantuan te Loro Boriçi, që sa më pa u shpreh: “Kenka i gjatë, nesër të fillojë stërvitjen”, shprehet Ilir Lame për gazetën. Kaq ka mjaftuar, por edhe pse i pëlqyer nga Boriçi, kërkohet nga Partizani. Transferimi i tij do të refuzohet nga drejtuesit e qytetit, një kalvar i gjatë deri kur më në fund arrin marrëveshja. Ilir Lame do të jetë lojtar i Partizanit, vetëm 20 vjeç dhe për vite do të jetë titullar i padiskutueshëm. Më pas vjen karriera në Kombëtare.

Ndeshja e parë i aktivizuar nga trajneri Zyber Konçi më 6 dhjetor 1980, për EKB, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Austri 0- 1. Është futur si zëvendësues i dinamovitit Andrea Marko në mes të lojës në pjesës së dytë. Aktiv në këtë formacion deri në 90 minutat e fundit me këtë fanellë: Mielec, EKB, 31 tetor 1984, Poloni-Shqipëri 2-2, i aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Shyqyri Rreli në vend të Haxhi Ballgjinit të Lokomotivës së Durrësit.

Në total 11 ndeshje për Ilir Lamen me ngjyrat kuqezi. Edhe ky një futbollist me nisje nga një skuadër jo e elitës, nga 24 Maji i Përmetit, tradicionalisht pjesëmarrëse në kategoritë inferiore. Arriti deri në Kombëtare.

FATMIR HASANPAPA, NGA VALBONA NË LONDËR

Nga Valbona te Përparimi i Kukësit, Partizani dhe në “Uembli”. Bëhet fjalë për një tjetër befasi, kur një lojtar i ardhur dhe i evidentuar në qytet me kategoritë e ulëta, të jetë titullar deri në Kombëtare, madje në një ndeshje nga më uniket, atë të zhvilluar në “Uembli”, që edhe për Platininë e Maradonën ka qenë ëndërr të luanin aty.

Fatmir Hasanpapa, i dyti djathtas në “Uembli” Angli-Shqipër

Fatmir Hasanpapa, i dyti djathtas në “Uembli” Angli-Shqipëri

Fatmir Hasanpapa, i vitlindjes 1964, mesfushor-sulmues me të rinjtë e Valbonës në vitet ‘80-të, shquhet për një fizik tërheqës, shtatlartë. “Isha i panjohur. Asnjë nuk shfaqte interes për mua. Ka qenë ish-arbitri Hajro Leskaj, që më kishte parë në Tropojë kur ai drejtonte ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Ai do të fliste me drejtuesit e Partizanit, trajnerin Bejkush Birçe, të cilit i pëlqej, më afron te Shpresat e klubit”, kujton Miri për gazetën. Pastaj endjet nga Përparimi i Kukësit në Kategorinë e Dytë, sërish te Partizani për të kryer shërbimin ushtarak.

Më 1988 nuk figuron në formacion kundër Benfikës, pastaj titullar. Pa mbushur 24 vjeç në edicionin vijues në skuadrën e parë që drejtohet nga Neptun Bajko.

Njohës i mirë i lojës në ajër, i shpejtë. Do të jetë trajneri Shyqyri Rreli që do ta grumbullonte në Kombëtare dhe me 26 prill e vitit 1989, në stadiumin mitik të Londrës, EKB, Angli-Shqipëri 5-0, Hasanapapa është titullar. Por vetëm 34 minuta ka zgjatur aventura londineze për të, pasi është zëvendësuar nga Pjerin Noga. Sidoqoftë, një ngjarje si asnjë tjetër analoge kjo e Fatmir Hasanpapës: Nga Valbona në Kombëtare dhe titullar në “Uembli”. Mjafton jo vetëm një ndeshje, por edhe pak minuta për të qenë pjesë e kësaj historie.

HALIM MERSINI, VLONJATI I SHKËNDIJËS

I datëlindjes 1961, i panjohur në fillimet e tij si portier i Shkëndijës, që luan në Kategorinë e Dytë. I spikatur nga 17 Nëntori pas përfundimit të epokës shkëndijase, merret prej tyre. Është vetëm 23-24 vjeç dhe direkt në formacion me ekipin e 17 nëntorasve të famshëm në atë periudhë, me Mingën, Kolën, Muçën, Josën, shoqëruar me disa kualifikime në Europë me klube dhe me lojtarë titullarë të ekipit përfaqësues. Për shumë vite titullar i padiskutueshëm në ekipin e drejtua nga Enver Shehu, fitues i kupave, trofeve nga ky klub.

Portieri Halim Mersini në ndeshjen Shqipëri-Angli

Portieri Halim Mersini në ndeshjen Shqipëri-Angli

I saktë, i qetë, pozicional, Mersini jep siguri për portën dhe mbrojtjen. Papritur vjen thirrja, grumbullimi edhe në Kombëtare nga trajneri Shyqyri Rreli. “Ka qenë befasi, nuk e prisja kur më njoftuan. Debutimin e kam bërë në miqësoren e zhvilluar në Berat më 6 gusht 1988, Shqipëri-Kubë 0- 0”, tregon Mersini. Me ekipin përfaqësues si numri 1 në portë, që do ta mbrojë vetëm në 6 takime kuadratin kuqezi. Por, në sfida të mëdha për kohën, si Shqipëri-Suedi 1-2, Shqipëri – Angli 0-2, Suedi-Shqipëri 3–1 dhe e fundit kjo e zhvilluar më 8 tetor 1989 në Stokholm. Edhe Halim Mersini është një tjetër rast kur një futbollist produkt i një skuadre të Kategorisë së Dytë, si Shkëndija e Mjeshtërisë Sportive, që ka veshur fanellën e ekipit përfaqësues.

FOTAQ STRAKOSHA, TITULLAR TE MINATORI

Lindur më 1965 në Memaliaj, ku dhe regjistron startin me të rinjtë e klubit të Minatorit vendës. Evidentohet dhe kalon me ekipin e parë, një skuadër e përhershme, e njohur vetëm si protagoniste në këtë nivel në historinë e kampionateve kombëtare. Por, i riu Strakosha është evidentuar si një talent në këtë rol, shtatlartë, me të ardhme.

Foto Strakosha me Kombëtaren

Foto Strakosha me Kombëtaren

“Për transferimin tim te Dinamo dy janë personat që mundësuan ardhjen time në Tiranë: Skënder Ibrahimi, i dënuar në Vlorë, një njeri dhe trajner i jashtëzakonshëm dhe që drejtonte Minatorin, kishte folur me Bejkush Birçen. Viti 1986, më kërkonin edhe Luftëtari, Apolonia, por biografia më pengonte dhe frenonte lëvizjen. Edhe Skënderi më thoshte mos u nxito, ke të ardhme. Dhe Birçe vendosi të më merrte te Dinamo. Por garancinë që nuk do të kisha pasoja e dha Gramoz Ruçi, asokohe Sekretar i Parë i Tepelenës. Ai takoi Hekuran Isain, ministër i Brendshëm dhe i kërkoi garanci për faktin që nëse unë vija te Dinamo, nuk do të më pengonin të dilja jashtë shtetit. Kjo, pasi do të ishte një vrasje e dyfishtë për Strakoshën i pati thënë”, kështu kujton Foto.

Dhe nga portier i një klubi joelitar, pa pretendime në nivele inferior, do të realizohet transferimi surprizë i tij te Dinamon. Shumë shpejt do të shfaqej dhe u afirmohej si një ndër numrat 1, i padiskutueshëm si titullar në formacion, pa u vonuar edhe thirrja dhe grumbullimi me ekipin kombëtar. Më pas debutimi në portën kuqezi: Rejkjavik, 30 maj 1990, as 25 vjeç, Islandë-Shqipëri 2-0, i aktivizuar nga trajneri Bejkush Birçe.

Nga ai takim, në 73 sfida ai do të jetë protagonist absolut i kuadratit të përfaqësueses, deri kur u nda me të në moshën 39- vjeçare, në takimin e 9 shkurtit 2005 në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Ukrainë 0-2, ndonëse ceremonia e lamtumirës do t’i zhvillohej në sfidën Shqipëri-Turqi, pak kohë më vonë. Kapiteni më jetëgjatë, me 32 ndeshje në përfaqësuese për Foto Strakoshën, një karrierë e shkëlqyer, e nisur nga një skuadër e thjeshtë, modeste e Kategorisë së Dytë. E njëjtë me të Mujo Targajn, të dy me start nga Minatori i Memaliajt dhe në Kombëtare, kapitenë legjendarë të saj.

ILIR ALLIU, LIBRAZHDASI I KUDONDODHUR

Nga Sopoti i Librazhdit në Kombëtare, në tri takime me fanellën kuqezi. I lindur më 1973, vitet dhe karriera e tij futbollistike do të ishin me Sopotin e Librazhdit, një skuadër gjithmonë në kategoritë inferiore, ndonëse protagonist në këtë nivel të futbollit kombëtar. “Isha lojtar i Teutës, sezoni 1995-1996, kur trajneri Neptun Bajko do të më grumbullojë për një turne miqësor të ekipit përfaqësues në Maltë”, thotë Alliu.

Ilir Alliu, futbollist me Sopotin

Ilir Alliu, futbollist me Sopotin

Debutimi, 16 gusht 1995, miqësore Maltë Shqipëri, Alliu figuron në formacion si mbrojtjes i djathtë, një ndeshje e fituar 2-1 nga ishullorët. Janë vitet e shkëlqimit të tij, pasi është larguar nga Sopoti, është titullar me Teutën, formacionin e bujshëm durrsak në atë periudhë, ku shquhet si një lojtar energjik i kudondodhur. Pastaj takimi i dytë kuqezi, sërish në një miqësore, në po atë fundvit:

Tiranë, 30 nëntor, Shqipëri-Bosnje, 2-0. Luan në pjesën e parë, për t’u zëvendësuar në fillim të së dytës. Dhe e treta, kur trajner është Astrit Hafizi, në “Qemal Stafa”, EKB, 9 nëntor 1996, Shqipëri-Armeni 1-1, është aktivizuar në të dytën në vend të vlonjatin Viktor Paco. Edhe Ilir Alliu është pjesë e kësaj historie, kur nga Sopoti i Librazhdit, skuadër tipike e Kategorisë së Dytë, u ngjit në Kombëtare, pa harruar edhe vitet si lojtar i Teutës dhe Lushnjës.

MAHIR HALILI, QË E KA STARTIN NGA KORABI

Me Kategorinë e Dytë në start, futbollist i Korabit të Peshkopisë, një klub historikisht në këtë nivel të futbollit shqiptar. Lindur më 1973, 13 vjeç luan me skuadrat e moshave dhe në të 17-at do të jetë titullar me ekipin e parë. “Ka qenë viti 1995, në Peshkopi do të luhet takimit Korabi-Kastrioti. Para saj do të organizohej një ceremoni, pasi i mirënjohuri i futbollit popullor, Shpëtim Toska, do të linte futbollin dhe fanellën e tij do të ma dorëzonte mua”, kujton Mahir Halili. I ri me perspektivës, Mahir Halili ka qenë edhe autori i golit, një takim i fituar 1-0 nga Korabi.

Për talentin që demonstron, do vëmendje, i është propozuar SK Tiranës, por drejtuesit e klubit nuk shfaqin interes për të. Në skenë shfaqet Kastrioti që luan në Kategorinë e Parë, ia njeh vlerat dhe aftësinë, duke e aktivizuar në formacion ku spikat si i shpejtë, driblues, shënues. Pastaj transferimi jashtë vendit, në Zvicër me klubet Delemont dhe Neushatel. Dallohet si shënues në debutimin në Kombëtare: As 23 vjeç, në Zyrih, më 10 shtator 1997, EKB, Shqipëri-Irlanda V 1-0. Në të 66’-ën Halili ka zëvendësuar Pecon.

Pas dy ditësh sërish nga stoli në vend të Bledar Kolës në të 78’-ën, Hanover, EKB, në takimin RF Gjermane-Shqipëri 4-3. 21 janar 1998, Antalia, miqësore, Turqi-Shqipëri 1-4, Halili është autor i golit të fundit kuqezi. 1998 është lojtar me FK Gorician, ndeshja e fundit kuqezi: 18 gusht 1998 në Lubjanë, EKB, Slloveni-Shqipëri 2-0, kur ka zëvendësuar në të 73’-ën Muratin, që luan në Francë me PSG-në. Protagonsit në 13 ndeshje dhe një gol të shënuar, është kartela e Mahir Halilit me përfaqësuesen. Me start Korabin, produkt i atij klubi dhe qyteti, një dibran autentik. Më pas vitet e shkëlqimit te SK Tirana, golashënues dhe protagonist në disa vite.

ARMANDO SADIKU, NJË CËRRIKAS HERO I “EURO 2016”

I takon pas viteve 2000 dhe bëhet fjalë për Armando Sadikun, sulmuesin e ekipit kombëtar. “Luaja me të rinjtë në Fushë-Mbret, pastaj kalova me moshatarët e Turbinës dhe kur nga ekipi parë, për bojkot u përjashtuan disa lojtarë. Ishte Engjëll Belshi që më mori nga të rinjtë më aktivizoi në ekipin e parë, kur Turbina në sezonin 2009-2010 luante në Kategorinë e Dytë”, kujton Armando. Pastaj një tjetër klub, po në këtë nivel, Gramozi i Ersekës, për të kaluar në vitin 2011 tek Elbasani dhe një sezon figuron titullar me të verdhët. Më pas, largimi i detyruar jashtë vendit, kur për reagimin e tij ndaj një asistenti në ndeshje kampionati, Sadiku dënohet dy vjet nga Disiplina.

Sadiku me Turbinën

Sadiku me Turbinën

Transferimi në Zvicër, te Lokarno. Debutimi në Kombëtare do të regjistrohet me 29 shkurt 2012, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Mihail Meskhi” në Tbilis, GjergjiShqipëri 2-1, kur trajneri Xhani de Biazi, në ndeshjen e parë të tij në stolin e përfaqësueses, e hedh në fushë Sadikun në të 82’-ën, në vend të Çanit. Një debutim i dyfishtë kuqezi trajner-futbollist. Nga “i burgosuri” i Disiplinës, Sadiku do të jetë heroi kuqezi në finalet “Euro 20162, i vetmi futbollist shqiptar që ka shënuar një gol në një turne të tillë. Edhe kjo një karrierë e nisur nga Turbina e Cërrikut në Kategorinë e Dytë, e përfunduar në Kombëtare, një ngjarje në kohët moderne, ato të shekullit të ri.

EPILOG

Ka edhe të tjerë. Morëm ata më tipikët, por nuk mungojnë futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, sportistë në disiplina dhe fusha të tjera, të panjohur dhe më pas titullarë, protagonistë me klubet e elitës. Nga futbollisti Arben Shehu, Tepelena-Luftëtari në Kombëtare, basketbollisti Robert Kuqo nga Ylli i Kuq i Pogradecit te Partizani e në Kombëtare, Edmond Dosti futbollist i Industrialit-Partizanit dhe në përfaqësuese. Ndonëse të gjithë njihen si lojtarë të skuadrave të mëdha, pikënisjen e karrierës, aty ku filluan dhe u zbuluan e kanë nga skuadrat dhe klubet e panjohura, të kategorive inferiore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"